Acne inversa (Akne inversa, Hidradeniti supurativ, Sëmundja e Verneuil)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sëmundja e Verneuil ose ndryshe acne inversa është një sëmundje inflamatore, kronike dhe jo ngjitëse e lëkurës. Acne inversa nuk duhet të ngatërrohet me acne vulgaris (puçrrat e zakonshme). Zakonisht ajo nuk shfaqet deri pas pubertetit dhe karakterizohet nga zona të skuqura, me nodule (kokrra) në lëkurë, ose abcese të përsëritura, të dhimbshme, që shfaqen kryesisht në sqetulla ose në zonën e ijes. Acne inversa shfaqet shpesh edhe në pjesë të trupit ku lëkura fërkohet më shumë, si p.sh nën gjinj, në të pasmet ose edhe në pjesën e brendshme të kofshëve. Në rastet e rënda të sëmundjes formohen fistula (kanale të thella në shtresën e poshtme të lëkurës), dhe në zonën e lëkurës së prekur formohen cikatrice, që shkaktojnë dhimbje të forta dhe mund të kufizojnë lëvizshmërinë lokale.
Zonat më të prekura të trupit
Acne inversa shkakton vatra tipike në lëkurë, në afërsi të gjëndrave të djersës dhe në zonat e lëkurës ku ka fërkime. Në shumicën e rasteve, pamja e lëkurës së prekur prej saj është e pakëndshme dhe nganjëherë shkakton dhimbje të forta.
Shkaku i saktë i acne inversa është ende i panjohur, por supozohet se sistemi i dobët imunitar, si dhe inflamacioni dhe bllokimi i folikujve të qimeve, janë faktorët që i shkaktojnë këto lloj dëmtimesh në lëkurë.
Elementet e acne inversa janë karakteristike. Nëse rrënja e qimes bllokohet, mund të inflamohet folikuli i qimes (e gjithë struktura përreth rrënjës së qimes). Folikuli mund të çahet, duke shkaktuar formimin e një abcesi (puçrre të infektuar), dhe dëmtime dytësore si fistulat dhe cikatricet.
Faktorët e rrezikut të lidhur me acne inversa
- Këto lloj puçrrash mund të shfaqen në çdo moshë, sëmundja zakonisht shfaqet rreth të njëzetave dhe ndërmjet moshës 50-55 vjeç sëmundja bëhet përgjithësisht më pak aktive.
- Femrat kanë më shumë gjasa ta shfaqin këtë problem, pasi acne inversa është 2-5 herë më e shpeshtë tek femrat.
- Deri më sot nuk është zbuluar asnjë lidhje ndërmjet hormoneve seksuale dhe kësaj sëmundjeje të lëkurës, edhe pse supozohet se hormonet luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqjen e acne inversa.
- Hulumtimet tregojnë se acne inversa është e trashëguar.
- Hulumtimet e fundit gjithashtu tregojnë një lidhje të fortë midis pirjes së duhanit, mbipeshës trupore dhe kësaj sëmundjeje të lëkurës.
- Faktorë të tjerë rreziku, që mund të shpërthejnë një acne inversa janë: diabeti i sheqerit, djersitja e tepërt, veshjet tepër të ngushta, prodhimi i tepërt i yndyrës në trup dhe stresi.

Në rastin e acne inversa, bllokohen gjëndrat dhjamore dhe rrënjët e qimeve të zonave të prekura, që janë të ndotura me bakteriet e lëkurës. Në to formohen shtresa inflamacioni lokal dhe qelb, të shoqëruara me dhimbje të forta, skuqje të lëkurës, ënjtje dhe nxehtësi të tepruar.
Shkalla e ashpërsisë së acne inversa
Forma e lehtë (Hurley I)
Manifestohet me një abces të izoluar, të dhimbshëm, pa fistula dhe cikatrice. Shfaqet në zonën e sqetullave, vitheve poshtë gjinjve dhe në pjesën e brendshme të kofshëve. Këto elemente janë të forta dhe në madhësinë e një kokrre bizeleje. Simptomat shpesh çojnë në një diagnozë të gabuar për shkak së elementet e lëkurës ngjajnë me pucrrat e zakonshme.
Forma e mesme (Hurley II)
Karakterizohet nga prania e një ose më shumë abceseve të izoluara, me fistula dhe cikatrice. Prania e zgjatur ose dhe e përsëritur e kësaj forme mund të çojë drejt formimit të cikatriceve.
Forma e rëndë (Hurley III)
Karakterizohet nga një sipërfaqe më e madhe e përhapjes së abceseve, me fistula dhe zona të cikatrizura (shenja). Puçrrat me qelb mund të jenë të dhimbshme dhe të zhytura thellë në lëkurë. Ato mund të çahen dhe të çlirojnë një aromë të pakëndshme.
Simptomat tipike të sëmundjes dhe historiku mjekësor i pacientit janë të mjaftueshme për mjekun, që të përcaktojë diagnozën e acne inversa. Gjithsesi, për një diagnozë më të saktë, ekzaminohet vetë indi i prekur, për të verifikuar nëse dëmtimet qelizore vërtet korrespondojnë me ato të acne inversa.
Ndodh shpesh që sëmundja nuk identifikohet, ose elementët në lëkurë interpretohen gabim. Një analizë bakteriale ose mikrobiologjike mund të zbulojë mikrobin që ka shkaktuar inflamacionin.

Është e rëndësishme që personat me acne inversa të konsultohen nga një dermatolog, i cili ka përvojë dhe njohuri të mira mbi këtë sëmundje, dhe që di si ta trajtojë atë.
Dallohen dy forma të trajtimit: farmakologjik dhe kirurgjikal
1.Trajtimi farmakologjik
Për të trajtuar simptomat dhe për të luftuar infeksionin bakterial përdoren:
- Antibiotikët (luftojnë infeksionin)
- Anti-inflamatorët (luftojnë inflamacionin)
- Analgjezikët (qetësojnë dhimbjet)
- Anti-androgjenët (frenojnë hormonet seksuale mashkullore), që jo gjithmonë japin efekt.
Duke luftuar bakteriet në vatrat e dëmtuara të lëkurës, antibiotikët zvogëlojnë inflamacionin, duke zvogëluar edhe vetë vatrat. Gjithsesi, ato nuk çojnë në shërim të plotë.
Agjentët biologjikë: mënyrë e re trajtimi
Acne inversa mund të trajtohet edhe me agjentë biologjikë, që janë medikamente të përftuara nëpërmjet bioteknologjisë. Ato frenojnë sistemin imunitar, duke synuar bllokimin e disa lajmëtarëve kimikë që mund të shkaktojnë inflamacionin. Kështu, ato mundësojnë një ndërprerje të zgjatur të proçesit inflamator. Agjentët biologjikë mund të përdoren për të trajtuar format e mesme dhe të rënda të sëmundjes, në rastet kur trajtimet e tjera kanë dështuar ose nuk mund të tolerohen nga vetë pacienti. Megjithatë, zakonisht nuk çojnë në shërimin e plotë të saj.
Trajtimi lokal
Në nivel lokal është i mundur përdorimi i antimikrobikëve në formën e kremrave dhe vajrave. Kujdes: këto lloj mjekimesh, dhe mënyra sesi përdoren, duhet të rekomandohen vetëm nga mjeku.
2. Trajtimi kirurgjikal (forma e mesme dhe e rëndë)
Për trajtimin e acne inversa mund të përdoren teknika të ndryshme kirurgjikale. Zgjedhja e tyre përcaktohet nga mjeku kirurg, në varësi të natyrës së saktë të simptomave dhe zonës së trupit që është prekur nga sëmundja. Trajtimi kirurgjikal i acne inversa mund të konsistojë në:
Incizionin e abcesit
Incizion i një abcesi do të thotë hapje dhe drenazhim i tij, pra nxjerrja e qelbit jashtë. Dhimbjet lehtësohen në një kohë shumë të shkurtër pas ndërhyrjes, por rikthimi i simptomave është i pashmangshëm. Kjo është arsyeja pse incizioni duhet shmangur, nëse është e mundur.
Marsupializimin
Është një lloj teknike kirurgjikale, që konsiston në heqjen e plotë të abcesit, pra në hapjen, zbrazjen dhe heqjen e lëkurës sipër tij. Pas kësaj teknike sëmundja edhe mund të përsëritet, por jo gjithmonë. Në përgjithësi, suksesi i ndërhyrjes nuk është i përhershëm.
Heqja kirurgjikale e indit
Gjatë kësaj ndërhyrjeje, kirurgët heqin indet e sëmura. Forma e rëndë e acne inversa mund të kërkojë heqje të zonave të mëdha të lëkurës. Kjo vlen për rastet me fistula të përhapura ose kur simptomat rishfaqen në zonat ku është kryer më parë ndërhyrja kirurgjikale. Heqja e një zone të madhe indore shoqërohet me një rrezik më të ulët për përsëritje, krahasuar me metodat e tjera kirurgjikale.
Kujdes: gjatë kohës së ënjtjes dhe formimit të qelbit në brendësi të puçrrës, nuk duhet ta pastroni ose ta zbrazni atë.

- Në pacientët me acne inversa, një nga vështirësitë më të mëdha është vuajtja psikologjike. Ata ndihen të turpërurar nga lëkura e tyre, sepse disa janë shpërfytyruar nga sëmundja, dhe për pasojë kjo kategori pacientësh izolohen në aspektin social. Depresioni dhe problemet në çift janë pasoja më e shpeshtë e kësaj sëmundjeje.
- Dhimbjet e forta, cikatricet dhe shkurtimi i indeve mund të kufizojnë lëvizshmërinë dhe të vështirësojnë aktivitetet e përditshme. Sëmundja shkakton mungesa të shpeshta në shkollë ose në punë.
- Nëse bakteriet që jetojnë në zonën inflamatore depërtojnë në gjak, rritet rreziku i një sëmundjeje infektive, madje edhe i një gjendjeje septike (helmim i gjakut). Sepsisi është një emergjencë mjeksore dhe gjithmonë duhet të trajtohet. Shenjat kryesore të tij janë: ethe, të dridhura, skuqje, ënjtje, nxehtësi e madhe në vendin ku gjendet infeksioni.
- Inflamacionet lokale shpesh përsëriten, me ënjtje të vazhdueshme dhe formim të cikatriceve.
- Diskutohet për një lidhje të mundshme ndërmjet acne inversa dhe zhvillimit të disa tipeve të kancerit (karcinoma epidermoide).