Autopsia (Ekzaminimi pas vdekjes, Nekropsia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është autopsia?
Autopsia, ose ekzaminimi pas vdekjes, shërben për të përcaktuar shkakun dhe rrjedhën e saktë të vdekjes. Në parim, bëhet dallimi midis dy tipeve të autopsisë: autopsisë mjekësore dhe autopsisë mjeko-ligjore. Nëse vdekja ka qenë e natyrshme, p.sh. për shkak të një infarkti të miokardit ose një kanceri, kryhet autopsia mjekësore nga një mjek i përgjithshëm, detyrimisht me pëlqimin e të ndjerit gjatë jetës ose të familjarëve të tij. Autopsia mjeko-ligjore kryhet nga një mjek ligjor në rastet e vdekjeve nga shkaqe jonatyrale ose të pashpjegueshme, dhe mund të kryhet pa pëlqimin e familjes. Në mënyrë të ngjashme, autoritetet shëndetësore mund të kërkojnë kryerjen e autopsisë, veçanërisht nëse ekziston dyshimi për një infeksion ngjitës. Autopsitë përdoren gjithashtu për përparimin e mjekësisë, sigurimin e cilësisë, trajnimin dhe specializimin e studentëve dhe mjekëve, duke ofruar informacion të rëndësishëm për sëmundjet, diagnozat dhe trajtimet.
Autopsia është një ekzaminim i fushës së Patologjisë.
A nevojitet nonjë përgatitje e veçantë përpara kryerjes së autopsisë?
Trupi i kufomës përgatitet për ekzaminimin pas vdekjes nga asistenti i autopsisë. Kjo përfshin edhe përgatitjen e tavolinës së autopsisë dhe instrumentave të nevojshëm.
Çfarë duhet të sqarohet përpara kryerjes së autopsisë?
Autopsia mjekësore ka nevojë për miratimin e familjarëve të kufomës. Autopsia mjeko-ligjore ose ajo e kërkuar nga autoritetet shëndetsore mund të kryhet pa këtë miratim.
Si realizohet autopsia?
Fillimisht, nga ekzaminimi i jashtëm trupor mjeku Patolog regjistron gjendjen e përgjithshme trupore, peshën, gjatësinë, ngjyrën e lëkurës, si dhe karakteristikat dhe anomalitë e tjera, të tilla si nishanet, plagët ose dëmtimet e dukshme. Gjithashtu, ai regjistron edhe veçoritë e vdekjes, duke përfshirë numrin dhe pozicionin e gjymtyrëve trupore. Më pas bëhet kontrolli i brendshëm, me hapjen e trupit, që konsiston në kontrrollin e organeve të ndryshme. Gjatë këtij proçesi mund të merren edhe mostra të indeve, të cilat mund të vërehen nën një mikroskop. Në fund të autopsisë, trupi rindërtohet, pastrohet dhe përgatitet për funeralin. Mjeku patolog shkruan një raport të autopsisë, ku përshkruhet shkaku i vdekjes dhe diagnoza të tjera.
Kur kryhet autopsia?
Autopsia shërben për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
A paraqet autopsia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Rreziqet mund të jenë të pranishme për mjekun Patolog ose ekspertin mjeko-ligjor, për shembull në rastin e një të vdekuri me sëmundje ngjitëse. Kjo për faktin se disa mikrobe mund të mbijetojnë për disa orë pas vdekjes. Gjithsesi, me masat përkatëse mbrojtëse dhe duke respektuar udhëzimet e higjienës, rreziku është shumë i ulët.