logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Tomografia me emetim të pozitroneve
Tomografia me emetim të pozitroneve

Çfarë është TEP?

TEP është një nga proçedurat radiografike moderne të mjekësisë bërthamore. Me ndihmën e një substance lehtësisht radioaktive që injektohet në një venë të krahut - më shpesh glukozë radioaktive - kamera e TEP lejon identifikimin e indeve që konsumojnë një sasi jonormale, pra të lartë, të glukozës. Meqenëse tumoret malinje karakterizohen nga një metabolizëm i shtuar i glukozës, TEP lejon zbulimin edhe të vatrave të vogla kanceroze. Përveç përdorimit për diagnostikimin e kancerit, kjo proçedurë përdoret edhe në Neurologji dhe në Psikiatri (psh. për vlerësimin e sëmundjes Alzheimer), dhe në Kardiologji (për muskulin e zemrës). Shpesh, TEP dhe TDM (Tomodensitometria) kombinohen në formën e TEP-TDM. Të dy këto ekzaminime realizohen pothuajse njëkohësisht dhe mundësojnë imazhe të përbashkëta optimale, që japin informacione edhe më të sakta.

TEP është një ekzaminim i fushës së Mjekësisë bërthamore.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para këtij ekzaminimi?

Për të kryer TEP-in, pacienti duhet të jetë esëll. Pra, nuk duhet të ketë ngrënë ushqim pas vaktit të mbrëmjes përpara ekzaminimir. Ditën e ekzaminimit mund të konsumojë vetëm pije pa sheqer.

Nuk duhet kryer asnjë sforcim fizik ditën e ekzaminimit.

Personat e diagnostikuar me diabet nuk duhet të marrin asnjë medikament për diabetin (anti-diabetik) ditën e ekzaminimit.

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?

Meqenëse TEP kryhet me glukozë radioaktive, përpara fillimit të ekzaminimit duhet të matet glicemia (niveli i sheqerit në gjak) tek pacientët diabetikë, dhe të stabilizohet me medikamente nëse është e nevojshme.

Si realizohet TEP?

Përpara fillimit të TEP-it, në një venë të krahut injektohet glukozë radioaktive. Pas një kohe të përcaktuar (rreth 1 orë), shpërndarja e saj në organizëm është e mjaftueshme dhe TEP mund të fillojë. Pacienti shtrihet në shpinë mbi një tavolinë ekzaminimi që futet ngadalë në një skaner TEP në formën e tubit. Tubi, rreth 70-100 cm, është relativiaht i gjerë, gjë që eviton ndjesinë e klaustrofobisë (frika nga vendet e mbyllura). Realizimi i pamjeve radiografike të të gjithë trupit zgjat rreth 1 orë. Gjatë kësaj kohe është e rëmdësishme që pacienti të qëndrojë shtrirë, i relaksuar dhe i qetë, në mënyrë që të evitohen pamjet e turbullta. Përveç TEP-it, mund të kryhet edhe TDM (TEP-TDM). Në të tilla raste injektohet edhe lënda e kontrasti e jodizuar (shih Tomodensitometrinë, radiografinë më injektimin e lëndës kontraste).

Kur përdoret TEP-i?

TEP përdoret kryesisht për diagnostikimin, planifikimin e trajtimit, kontrrollin e trajtimit dhe ndjekjen në vazhdim të pacientëve me kancer. Gjithashtu, përdoret edhe në Neurologji, në Psikiatri dhe në Kardiologji.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e TEP-it janë:

A paraqet TEP rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe përgjithësisht i parrezikshëm. Gjatë kryerjes së tij, pacienti ekspozohet për kohë të shkurtër ndaj rrezatimit, për shkak të lëndës radioaktive dhe emetimit të rrezeve nga skaneri. Gjatë injektimit të lëndës radioaktive të jodizuar mund të shfaqet një ndjenjë nxehtësie në trup, që është gjithsesi e parrezikshme. Në raste të rralla janë të mundshme reaksionet alergjike, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve mund të manifestohen vetëm me një reaksion në lëkurë (skuqje) që zhduket shpejt pas administrimit të një antidoti me veprim të shpejtë. Reaksionet e rënda alergjike, që manifestohen me probleme të frymëshkëmbimit dhe të qarkullimit (gjendja e shokut alergjik) janë jashtëzakonisht të rralla. Lëndët e kontrastit radiografik që përdoren në kohët e sotme tolerohen përgjithësisht shumë mirë nga pacientët.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.