logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Këputja e ligamenteve të gjurit: lëndime të shpeshta sportive.
Këputja e ligamenteve të gjurit: lëndime të shpeshta sportive.

Për të qënë më i qëndrueshëm, gjuri ka nevojë për muskulaturën, tendinet (që lidhin muskujt me kockën) dhe ligamentet (që lidhin  kockat me njëra-tjetrën). Gjuri përmban ligamentet e kryqëzuara, të brendshme dhe të jashtme. ligamentet anësore përgjigjen për qëndrueshmërinë anësore të gjurit. 

Dëmtimet e ligamenteve ndodhin përgjithësisht gjatë ushtrimit të një sporti, të tillë si skitë dhe futbolli. Në këto situata, ligamentet këputen gjatë përdredhjes (rrotullimit) së kyçit (artikulacionit) përkatës. 

Më shpesh dëmtohen ligamenti i brendshëm ose ligamentet e kryqëzuara, krahasuar me ligamentin e jashtëm. Meqenëse ligamenti i brendshëm është i lidhur me meniskun, edhe ky i fundit këputet në të njëjtën kohë. 

Në këtë temë do të trajtohen dëmtimet e ligamenteve anësore. Dëmtimet e ligamenteve të kryqëzuara (Kreuzband-Verletzungen) dhe ato të menisqeve do të trajtohen në tema të ndara. 

Sporti i skive dhe futbolli janë shkaktarët kryesorë të dëmtimeve të ligamenteve të gjurit, ku këto të fundit këputen gjatë përdredhjes të kyçit të gjurit.

Në përgjithësi, këputja e ligamentit të gjurit është një fenomen i shpeshtë. Pothuajse të gjitha plagosjet (traumat) e mbyllura, të shkaktuara gjatë ushtrimit të sporteve të veçanta që kanë lidhje me aparatin lokomotor (muskulo-skeletik) shoqërohen me gjakderdhje të brendshme në nivelin e indeve. Kjo reflektohet me shfaqjen e hematomës (mavijosje, njollë e errët në lëkurë), që është shenja e parë e dukshme në zonën e dëmtuar.

Simptoma të tjera të këputjes së ligamenteve të gjurit:

  • Dhimbje të menjëhershme dhe përgjithësisht shumë të forta pas aksidentit.
  • Pas tërheqjes dhe këputjes së ligamentit, dhimbja mund të zhduket dhe të rishfaqet gjatë disa lëvizjeve të caktuara ose gjatë ecjes normale.
  • Humbje e forcës, kufizim i lëvizjeve, paqëndrueshmëri e kyçit të gjurit, që mund të arrijë deri në paaftësi për të lëvizur (veçanërisht kur ka dëmtime të kombinuara të ligamenteve).
  • Enjtje, ndjenja e shtypjes (ngjeshjes).
  • Në pjesën më të madhe të rasteve konstatohen hemorragji (gjakderdhje) të brendshme në inde, që reflektohet me hematomë në lëkurë. Nëse hematoma është shumë e dukshme, mund të bëhet fjalë për një këputje të ligamentit, të shoqëruar me prekje edhe të kapsulës artikulare (të kyçit) dhe ligamenteve.

 

Për të vendosur diagnozën e këputjes së ligamentit të gjurit:

  • Ekzistojnë teste të ndryshme, të cilat e ndihmojnë mjekun specialist ortoped për të kuptuar nëse është prekur ligamenti ose jo. Në rast se janë dëmtuar ligamentet e brendshme anësore, gjuri është zakonisht i prirur për nga jashtë.
  • Radiografitë tregojnë nëse ka edhe dëmtime shoqëruese të kockave.
  • Rezonanca magnetike ose skaneri janë të nevojshme vetëm nëse konstatohet tërheqje e tendinit ose në rast se dyshohet për dëmtime kockore ose dëmtime të meniskut.

Trajtimi i urgjencës duhet të kryhet, nëse e lejojnë mundësitë, në vendin e aksidentit. Ai konsiston në skemën PANN, të paraqitur më poshtë:

  • P-pushim, që nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit fizik (sportiv), për shkak të pamundësisë për të lëvizur automatikisht këmbën.
  • A-akull, që nënkupton vendosjen e akullit në zonën e dëmtuar, por vetëm me kusht që të mos ketë plagë të hapur në të.
    Kujdes: akulli nuk duhet të vendoset direkt në lëkurë, sepse mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës prej të ftohtit.
  • N-ngjeshja, që nënkupton vendosjen e fashove shtrënguese, që pengojnë enjtjen.
    Kujdes: zona e fashuar duhet të kontrollohet rregullisht, pasi mund të shfaqen probleme prej furnizimit  të pamjaftueshëm me gjak të saj.
  • N-ngritja, që nënkupton vendosjen e gjymtyrëve (krahëve, këmbëve) të dëmtuara në pozicion të ngritur, pasi ky pozicion favorizon furnizimin me gjak dhe rënien e enjtjes.

Tek mjeku

  • Dëmtimi i ligamentit të brendshëm ka nevojë për trajtim konseravtiv, pra pa operacion.
  • Qëllimi i këtij trajtimi është të lehtësojë dhimbjen dhe të ulë enjtjen në zonën e gjurit. Kjo realizohet duke përdorur fiksuese mbështetëse, fasho ose allçi sintetike.

Medikamentet

Mund të përdoren medikamente që qetësojnë dhimbjet (antialgjikë).

Masat fizike

Menjëherë pas rënies së enjtjes dhe largimit të dhimbjeve, pacienti duhet të riedukohet lidhur me: forcimin e detyrueshëm të muskulaturës së kofshës dhe përmirësimit të lëvizshmërisë së saj. Ushtrimi i sporteve që kërkojnë përdorim të theksuar të gjurit, mund të rifillohet të paktën pas dy javësh. Gjatë të paktën gjashtë muajve pacienti duhet të mbajë një mbrojtëse të posaçme për kyçin e gjurit (psh. një fasho ngjitëse, me stabilizim të ligamentit anësor) gjatë ushtrimit të çfarëdolloj sporti. 

 

Tërheqjet e thjeshta të ligamenteve të gjurit shërohen përgjithësisht brenda dy javëve. Nëse janë këputur ligamentet e kapsulës, stabilizimi i kyçit është i lidhur me shërimin (cikatrizimin) e tyre. Kështu, në rastin e stabilizimit të pamjaftueshëm të ligamenteve kapsulare, duhet të kryhet qepja e tyre nëpërmjet operacionit. Në rast të kundërt, nëse dëmtimi është i thjeshtë, rifillimi i ushtrimit të aktivitetit sportiv është i mundur vetëm pas dy javësh.

Këputja e ligamenteve të gjurit: seanca përgatitore, ngrohja e muskujve ndihmon në parandalim.
Këputja e ligamenteve të gjurit: seanca përgatitore, ngrohja e muskujve ndihmon në parandalim.

Forcimi i muskujve dhe ushtrimet përgatitore përpara çdo aktiviteti sportiv ulin ndjeshëm rrezikun e dëmtimit të gjurit. Për sportet që kërkojnë përdorimin e theksuar të kyçit të gjurit, si psh. skitë ose futbolli, rekomandohet fashimi i gjunjve në mënyrë të përshtatshme, që të mund të mbrohen nga traumat e mundshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.