logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: dhimbje shpesh në të dy gjunjët.
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: dhimbje shpesh në të dy gjunjët.

Patela (kupa e gjurit) është një kockë e sheshtë në formë trekëndore, që vendoset në pjesën e përparme të gjurit dhe shërben për ta mbrojtur atë. Sëmundjet e kërcit të saj shkaktojnë ndryshime të tilla në nivelin e kyçit të gjurit, që fillimisht nuk japin shqetësime. Përgjithësisht, ato shkaktojnë dhimbje vetëm në një stad të avancuar. Shpesh preken të dy gjunjtë. Në disa raste, kërci edhe mund të thyhet, duke ekspozuar kockën. Kjo situatë pasohet nga shfaqja e dhimbjeve.

Dhimbjet në pjesën e përparme të gjurit janë të shpeshta tek femrat e reja. Gjatë pubertetit ato hasen si tek meshkujt, ashtu edhe tek femrat. Për arsye biomekanike kjo sëmundje prek më tepër sportistët, si futbollistët, skiatorët dhe atletët, veçanërisht ata amatorë. Gjithashtu edhe personat që ushtrojnë profesione ku gjunjët duhet të përballojnë mbingarkesë.

Nëse nuk trajtohet, sëmundja shkakton shkatërrim të plotë të kërcit, duke shkaktuar zhvillim të artrozës (dëmtim të kyçit të gjurit).

Shkaqet e ndryshimeve të kërcit të përparmë të kupës së gjurit janë shpesh të panjohura. Sforcimet e mëdha gjatë aktiviteteve sportive i favorizojnë ato. Përveç kësaj, sportistët vuajnë shpesh nga dhimbje në pjesën e pasme të kërcit, për shkak të sforcimit të madh të tendineve në këtë nivel. Megjithatë, dhimbjet mund të shfaqen edhe në mungesë të sforcimeve fizike. Në këto raste, si shkak i tyre shërbejnë keqformimet ose deformimet e kupës së gjurit.

Dhimbjet e gjurit mund të shfaqen edhe pas aksidenteve ose traumave, qofshin këto edhe të lehta. Gjithashtu, pleqëria dhe predispozita gjenetike (trashëgimia) i favorizojnë mjaft dëmtimet e kërceve.

 

Pacientët me dëmtime të kërcit të kupës së gjurit paraqesin:

  • Dhimbje pas kupës së gjurit, shpesh e përshkruar nga pacienti si dhimbje në shtypje gjatë lëvizjeve të gjurit kundër një rezistence.
  • Dhimbje në qetësi gjatë dhe veçanërisht pas një pozicioni ulur për një kohë të gjatë, siç është drejtimi i automjetit, fluturimet me distanca të gjata, puna në kompjuter, etj.
  • Dhimbje gjatë lëvizjeve normale, shpesh në të dy gjunjtë.
  • Dhimbje e shprehur në pozicion relativisht të përkulur të gjurit, si gjatë ecjes në të tatëpjeta, gjatë praktikimit të skive, zbritjes nga shkallët, zbritjeve me biçikletë dhe drejtimit të automjetit (gjatë frenimit dhe përshpejtimit të tij).
  • Fërkim i mundshëm pas kupës së gjurit kur pacienti përkulet, shtrihet ose kur përkul kyçin e gjurit.

 

Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: në radiografi, mjeku sheh ndryshime në nyjen e gjurit.
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: në radiografi, mjeku sheh ndryshime në nyjen e gjurit.

Për vendosjen e diagnozës së sëmundjes së kërcit të kupës së gjurit, mjeku specialist ortoped bazohet në:

  • Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit, duke u përqëndruar në të dhënat e sakta rreth momentit dhe mënyrës së shfaqjes së dhimbjeve.
  • Egzaminimin fizik, vlerësimin e lëvizshmërisë së gjurit; evidentimin e dhimbjeve gjatë shtypjes në nivelin e kupës së gjurit, që shfaqen kur gjuri sforcohet.
  • Praninë e zhurmave të fërkimit pas kupës së gjurit ose gjatë lëvizjeve të kockës së kofshës (femurit), që mund të jenë të dëgjueshme.
  • Egzaminimin e gjurit nëpërmjet prekjes (palpacionit), që i lejon mjekut të evidentojë deformime dhe paqëndrueshmëri të tij. Ndonjëherë, gjatë lëvizjeve të pakujdeshsme mund të thyhet kupa e gjurit.
  • Radiografinë e kyçit të gjurit dhe kupës së gjurit
  • Egzaminimin e kyçit të gjurit, nëpërmjet artroskopisë.
  • Skanerin ose rezonancën magnetike të kyçit të gjurit.

 

Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: trajnim special për muskujt e kofshës.
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: trajnim special për muskujt e kofshës.

Në linjën e parë të trajtimit të dëmtimive të kërcit të kupës së gjurit qëndrojnë ushtrimet e kinezioterapisë. Mjaft të rëndësishme në këtë drejtim janë edhe:

  • Vendosja në qetësi (në pozicion të palëvizshëm) e kyçit të gjurit për një kohë të shkurtër, nëpërmjet fashimit të tij.
  • Kryerja e fizioterapisë, ushtrimeve të shtrirjes për forcimin e muskulaturës shtrirëse të kofshës. Tërheqja efikase e këtyre muskujve pakëson presionin e ushtruar mbi kupën e gjurit.
  • Nxitja elektrike (elektrostimulimi), kur është e nevojshme.
  • Banjat e ngrohta me lule të fushës dhe kripë mund të ndihmojnë në lehtësismin e simptomave.

Medikamentet

Në këto raste, rekomandohet përdorimi i:

  • Medikamenteve kundër dhimbjes (antialgjikët), që rekomandohen rrallë. Në rast nevoje, kur dhimbjet janë të forta,mund të injektohen medikamente që shkaktojnë mpirje lokale (anestezike).
  • Medikamenteve që përmirësojnë lëndën kockore, si kondroitinë sulfati ose acidi hialuronik.

Operacionet

Prej disa vitesh, mënyra kirurgjikale e trajtimit të kësaj sëmundjeje përdoret rrallë, vetëm në rastet me deformime të rëndësishme, ku operacioni është i pashmangshëm. Për këtë arsye, parandalimit të këtyre dëmtimeve i kushtohet rëndësi e veçantë.
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: përzgjedhja e sporteve të buta për gjunjtë.
Sëmundjet e kërcit të kupës së gjurit: përzgjedhja e sporteve të buta për gjunjtë.

Çfarë mund të bëni për të shëruar apo parandaluar sëmundjen e kërcit të kupës së gjurit?

Duhet të evitoni:

  • Sforcimet e mëdha, ku përfshihen: ngjitja e shkallëve ose ecja në sipërfaqje të pjerrët ngjitëse (të përpjetë), veçanërisht duke ngritur pesha të rënda.
  • Kthimin e pjesës së sipërme të trupit, duke mbajtur këmbët e fiksuara, siç ndodh gjatë golfit.
  • Kërcimin vetëm mbi njërën këmbë
  • Qetësinë e plotë: gjithmonë të ruajmë lëvizshmërinë, por pa përdorur në mënyrë të tepruar gjunjët. Në rastet e nevojshme, ato të mbahen të fashuara.
  • Disa sporte që kërkojnë sforcim të gjunjve, si futbolli, skitë, tenisi ose vrapimi.

Të favorizohen:

  • Sportet si noti, ecja, çiklizmi, por gjithmonë në periudhat kur dhimbja është zhdukur.
  • Ecjet, por gjatë zbritjes në të tatëpjeta, duhet të përdoret patjetër një shkop, për të shkarkuar ngarkesën e gjunjve.
  • Femrat duhet të përdorin këpucë të sheshta, sepse këpucët me taka të larta i sforcojnë ligamentet e gjurit.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.