Kisti sinovial
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në fakt, kisti sinovial mund të shfaqet në nivelin e të gjitha kyçeve, por ai është më i shpeshtë në nivelin e kyçit të dorës (në shpinën e dorës), në kyçin e bazës së gishtave (në pëllëmbën e dorës) dhe në fundin e gishtit.
Ai përfaqëson një nga sëmundjet më të shpeshta të kyçit të dorës.

Kistet sinoviale janë ndonjëherë asimptomatike (pa simptoma). Megjithatë, disa kiste të vogla dhe të padukshme mund të shkaktojnë dhimbje për disa vite. Simptomat e kistit sinovial janë:
- Dhimbje në shtypje, në tkurrje dhe në lëvizjen e pjesës së prekur.
- Kufizimi i lëvizshmërisë së kyçit
- Formimi i zonave të fryra (kokrrave), të pakëndshme estetikisht.
- Dëmtime të thoit, kur kisti prek kyçin e fundit të gishtit.

Diagnoza e kistit sinovial përcaktohet nga mjeku specialist ortoped, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes
- Egzaminimin e kyçit
- Terapinë e dritës
- Radiografinë e kyçit
- Punksionin e likidit (tërheqjen me shiringë të likidit)
- Rezonancën magnetike të kyçit

Një kist sinovial mund të përthithet spontanisht, pa trajtim. Nëse simptomat nuk janë shqetësuese, nuk është i nevojshëm trajtimi i tij. Në rastet kur simptomat janë shqetësuese, përdoret trajtimi konservator (jokirurgjikal) dhe trajtimi kirurgjikal (operacioni).
Trajtimi konservator
Ky tip i trajtimit përfshin vendosjen e kyçit të dorës në qetësi, në pozicion të palëvizshëm, dhe tërheqjen me shiringë (punktimin) të likidit që përmban kisti. Këto proçedura parandalojnë zmadhimin e kistit, madje mund ta zhdukin fare atë. Gjithsesi, kisti sinovial mund të rishfaqet pas shërimit të tij nëpërmjet trajtimit konservator. Pikërisht për këtë arsye, shpesh nevojitet një ndërhyrje e dytë.
Operacionet
Heqja e kistit synovial realizohet përgjithësisht në poliklinikë, nën efektin e anestezisë lokale. Mjafton një prerje e vogël në nivelin e kyçit të dorës, që kisti të hiqet lirshëm, ndonjëherë me një pjesë të kapsulës së kyçit.Pas operacionit, kyçi i dorës duhet të vendoset në pozicion të palëvizur (në allçi) për një periudhë 2 javore. Në përgjithësi, brenda 3-8 javësh, kyçi nuk është më i dhimbshëm dhe është krejtësisht funksional. Për të shmangur çdo ngjitje apo ngurtësim në këtë stad, kyçi duhet të lëvizet vazhdimisht.