Gonorrea
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Termi gonorre vjen nga greqishtja dhe do të thotë "rrjedhje e spermës". Në anglisht do të thotë "rrjedhje e pikave të vogla", dhe konsiderohet si sëmundje e turistëve.
Në fakt, gonorrea përfaqëson sëmundjen veneriane më të shpeshtë në botë, të njohur prej shekujsh. Ajo është pasojë e një infeksioni bakterial nga neiseria gonorrea, që transmetohet gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Pikërisht për këtë arsye, ajo është emërtuar me termat e mësipërme.
Në fillimet e saj, sëmundja është pothuajse asimptomatike (pa shqetësime). Për këtë arsye, personat e infektuar vazhdojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura, duke përbërë një burim të mundshëm të infeksionit për persona të tjerë.
Nëse nuk trajtohet, gonorrea mund të çojë deri në pamundësi për të bërë fëmijë (sterilitet), më tepër tek meshkujt sesa tek femrat. Sëmundja mund t’i transmetohet të porsalindurit nga nëna e infektuar.
Njihen dy tipe të gonorresë:
- Gonorrea gjenitale, që prek organet seksuale
- Gonorrea ekstragjenitale, që prek organet e tjera të organizmit.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave) për bakterin Neiseria gonorrhea zgjat nga 2-5 ditë. Simptomat e sëmundjes së gonorresë janë të ndryshme, në varësi të tipit të saj, si më poshtë.
Gonorrea gjenitale karakterizohet nga:
- Inflamacioni i mukozave (shtresës së brendshme) të organeve gjenitale, me shfaqjen e sekrecioneve me ngjyrë të gjelbër në të verdhë.
- Dhimbje në nivelin e perineumit (cipës që mbështjell organet e fundit të barkut) dhe të fshikëzës urinare.
- Dhimbje gjatë urinimit tek meshkujt. Tek femrat, infeksioni është më shpesh asimptomatik (pa shqetësime), me përjashtim të pranisë së sekrecioneve, që shpesh ngatërrohen me sekrecionet vaginale normale.
Ndërlikimet e mëvonshme:
- Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale.
- Tek meshkujt, infeksioni mund të manifestohet me inflamacion të prostatës (prostatit), që karakterizohet nga urinime të detyruara, dhimbje gjatë jashtëqitjes dhe temperaturë.
Sëmundja mund të përhapet në:
- Vezikulat seminale dhe kordonin spermatik (struktura përbërëse të sistemit gjenital mashkullor)
- Inflamacion të epididimusit (strukturë që mban të fiksuar testikulin), me skuqje, enjtje, dhimbje në palpacion (prekje) dhe temperaturë. Të gjitha këto mund të çojnë në sterilitet (pamundësi për të bërë fëmijë).
- Tek femra, inflamacioni i tubave të Fallopit, që mund të çojnë gjithashtu në sterilitet.
Gonorrea ekstragjenitale karakterizohet nga përhapje e inflamacionit në organet e tjera, jashtë sistemit gjenital, siç janë:
- Inflamacioni i mukozës së gojës, pas marrëdhënieve me aplikim të seksit gojor.
- Inflamacioni i anusit, pas marrëdhënieve seksuale të kryera në këtë nivel.
Infektimi nga nëna i të porsalindurit në momentin e lindjes karakterizohet nga:
- Inflamacioni i konjuktivave (pjesës së brendshme të qepallave), që manifestohet me ndjeshmëri të lartë ndaj dritës, enjtje të konjuktivave dhe rrezik për përhapjen e infIamacionit në korne, që mund të çojë në verbimin e fëmijës.

Diagnoza e gonorresë vendoset nga mjeku obstetër-gjinekolog, në bazë të:
- Simptomave të pacientes
- Informimit të mjekut lidhur me mundësinë e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.
- Identifikimit të gonokokut në analizën e sekrecioneve vaginale (strishos vaginale).

Trajtimi i shpejtë i gonorresë me antibiotikë siguron një shërim të shpejtë të infeksionit. Në të njëjtën kohë me gruan e infektuar me gonorre, duhet të trajtohet edhe partneri seksual, në mënyrë që të evitohet një infektim i ri i saj pas përfundimit të trajtimit.
Parandalimi i infektimit të të porsalindurit konsiston në:
- Hedhjen në çdo sy të pikave me bazë nitrat argjendi 1%
- Aplikimin e penicilinës vajore.
Në mungesë të trajtimit të përshtatshëm, gonorrea mund të shkaktojë sterilitet, më tepër tek meshkujt. Tek i porsalinduri, mund të çojë në verbim.
Rrallë, mund të konstatohet përhapje e infeksionit në organizëm nëpërmjet gjakut, që manifestohet me simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje kyçesh
- Temperaturë
- Shfaqje e elementeve në lëkurë, të tipit njolla ose puçrra të kuqe në nivelin e duarve dhe këmbëve
- Inflamacion i syve
- Inflamacion i cipës së trurit (meningit) dhe i muskulit të zemrës (miokardit)

Mënyra e vetme parandaluese e infeksionit nga gonokoku është ajo e përdorimit të masave mbrojtëse gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksulale. Ky infeksion nuk siguron asnjë imunitet (mbrojtje) pas kalimit të tij.
Për pasojë, personi mund të infektohet përsëri prej tij, pas shërimit të infeksionit të parë.