Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ligamentet e kryqëzuara të përparme dhe të pasme, së bashku me ligamentet anësore të brendshme dhe të jashtme, si dhe menisqet, sigurojnë qëndrueshmërinë e gjurit. Ligamenti i kryqëzuar i përparmë luan një rol të veçantë në këtë drejtim. Ai mund të këputet, sa herë që traumatizohet pjesërisht ose plotësisht, në rastet e ngarkesës së tepërt ose të goditjeve nga jashtë. Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë është dhjetë herë më e shpeshtë se këputja e ligamentit të kryqëzuar të pasmë.
Ligamentet e kryqëzuara të gjurit këputen kur ato shtrihen shumë, gjatë ngarkesës së tepërt. Kjo ndodh në rastin e goditjeve që vijnë nga jashtë, e pozicionimit të pavullnetshëm të këmbëve në formën e kryqëzuar, ose gjatë kthimit të këmbës nga jashtë (duke luajtur futboll ose gjatë skive).
Këputja e ligamentit të kryqëzuar shoqërohet shpesh nga dëmtime të tjera të gjurit, si ato të meniskut, të ligamentit anësor të brendshëm ose të jashtëm, dhe të kapsulës së kyçit të gjurit.
Në varësi të shkallës së paqëndrueshmërisë së gjurit dhe të testeve të kryera nga mjeku, këputjet e ligamentit të kryqëzuar janë klasifikuar në shkallë të ndryshme, ku shkalla e tretë i korrespondon paqëndrueshmërisë maksimale të gjurit.

Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë shkakton këto simptoma:
- Dhimbje në zonën e gjurit, që shfaqet në momentin e traumës, pakësohet gradualisht, dhe më pas rishfaqet gjatë një sforcimi të ri.
- Prania e gjakut në kyçin e gjurit, e lidhur me dëmtimin e enëve të vogla të gjakut në momentin e këputjes së ligamentit të kryqëzuar.
- Kufizimi i lëvizjeve, përgjithësisht i shkaktuar nga rrjedhja e gjakut në kyç.
- Ndjesia e paqëndrueshmërisë në nivelin e kyçit të gjurit, në veçanti gjatë zbritjes së shkallëve ose të një sipërfaqeje të pjerrët.

Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë diagnostikohet nëpërmjet:
- Informimit të mjekut specialist ortoped mbi historinë e fillimit të simptomave dhe përshkrimit të detajuar të aksidentit.
- Egzaminimit klinik të pacientit, që konsiston në vlerësimin e enjtjes së gjurit, të lëvizshmërisë së tij, të dhimbjes gjatë lëvizjes, të ecjes dhe aksit të këmbëve.
- Radiografisë së kyçit të gjurit, në pozicione të veçanta.
- Rezonancës magnetike të kyçit të gjurit
- Kryerjes së egzaminimeve të tjera specifike, si ekografia, skaneri ose punksioni brenda në kyç (tërheqja me shiringë e gjakut).

Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë trajtohet në dy mënyra.
- Mënyra e parë është konservatore dhe bazohet në përdorimin e medikamenteve dhe fizioterapisë.
- Mënyra e dytë është kirurgjikale.
Vendimi për zgjedhjen e mënyrës së trajtimit merret nga mjeku, sipas rastit. Kështu, në rastin e një atleti, që është i interesuar të ketë sa më shpejt një gju funksional, preferohet operacioni. Në rast të kundërt, nëse pacienti është i moshuar dhe lëviz pak, preferohet mënyra konservatore e trajtimit.
Medikamentet
- Qetësuesit e dhimbjeve
- Medikamentet që ulin enjtjen
- Në rast nevoje, medikamentet holluese të gjakut, për të parandaluar trombozën.
Operacionet
Kjo mënyrë e trajtimit konsiston në kryerjen e plastikës së ligamentit në kyç, duke zëvendësuar ligamentin e kryqëzuar të dëmtuar. Për të realizuar këtë, kirurgu përdor një tendin të vetë pacientit. Operacioni nuk kryhet menjëherë, sepse rreziku i formimit të cikatrices në nivelin e kyçit, i shoqëruar me ulje të lëvizshmërisë së tij, është shumë i madh në ditët që pasojnë aksidentin. Qepja e ligamentit, dikur shumë e përdorur, praktikohet vetëm në raste të veçanta, kur dëmtimi i ligamentit ka ndodhur në afërsi të kockës. Operacioni duhet të pasohet nga fizioterapia intensive, që është e nevojshme për rikthimin e funksionit normal të gjurit.
Masat fizike
Masat fizike përfshijnë:
- Kryerjen e fizioterapisë: kinezoterapia për forcimin e muskulaturës, përmirësimin e koordinimit të lëvizjeve, parandalimin e ngërçeve muskulare, uljen e irritimit pas trajtimit konservator ose pas operacionit.
- Trajnimi i pacientit për mbrojtjen e kyçit të gjurit
- Krioterapia (trajtimi me të ftohtë)
- Trajtimi me ultratinguj
- Ergoterapia
- Drenimi limfatik manual
Procedurat emergjente (ndihma e parë)
Në çdo rast të dëmtimeve apo traumave gjatë praktikimit të sporteve të ndryshme, duhet të aplikohen sa më shpejt masat e mëposhtme:
- P-pushim, që nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit fizik (sportiv), për shkak të pamundësisë për të lëvizur automatikisht këmbën.
- A-akull, që nënkupton vendosjen e akullit në zonën e dëmtuar, por vetëm me kusht që të mos ketë plagë të hapur në të.
Kujdes: akulli nuk duhet të vendoset direkt në lëkurë, sepse mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës prej të ftohtit. - N-ngjeshja, që nënkupton vendosjen e fashove shtrënguese, që pengojnë enjtjen.
Kujdes: zona e fashuar duhet të kontrollohet rregullisht, pasi mund të shfaqen probleme, prej furnizimit të pamjaftueshëm me gjak të saj. - N-ngritja, që nënkupton vendosjen e këmbës së dëmtuar në pozicion të ngritur, pasi ky pozicion favorizon furnizimin me gjak dhe uljen e enjtjes. Ky veprim nuk kryhet tek personat që kanë humbur vetëdijen, dhe as tek ata që dyshohet se kanë pësuar goditje në kokë, në shpatulla dhe shpinë. Në të tilla raste, vendosen kompresa me akull ose vendoset këmba e dëmtuar në pozicion të palëvizshëm, dhe njoftohet menjëherë mjeku ose spitali më i afërt.
Këputja e ligamentit të kryqëzuar mund të shkaktojë humbjen e qëndrueshmërisë së kyçit të gjurit, veçanërisht në rastet kur muskujt janë të dobët. Është ende e diskutueshme mënyra dhe periudha kohore, gjatë së cilës këto kushte jo të favorshme mund të shkaktojnë artrozë (dëmtim të kyçit). Kjo situatë përbën argumentin më të fortë dhe shpesh, dëmtimin më të avancuar të kyçit, që zgjidhet vetëm me operacion.
Si pas çdo operacioni, edhe në këtë rast mund të shfaqen ndërlikime të tilla, si tromboza e venave të thella, embolia ose infektimi i plagës.

Për të parandaluar këputjen e ligamenteve të gjurit, është mjaft e rëndësishme të mbrohen gjunjët gjatë ushtrimit të sporteve që paraqesin rrezik në këtë drejtim, si futbolli, volejbolli, skitë, etj. Gjithashtu, duhet të shmanget ngarkesa e tepërt e gjurit në përkulje, si psh. gjatë kërcimit nga trampolina, ose në pistën e skive. Forcimi i muskujve të kofshës mund të zëvendësojë pjesërisht funksionin stabilizues të ligamentit të kryqëzuar të përparmë.