Molusku ngjitës (Goca e detit infektuese)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Molusku ngjitës rezulton nga infektimi i lëkurës nga një virus specifik. Bëhet fjalë për noduse (kokrra, lythe) të vogla beninje, me ngjyrë të kuqe. Ato prekin përgjithësisht fëmijët që kanë lëkurë shumë të thatë. Tek të rriturit shfaqen në terren të një dobësie imunitare (ulje të aftësive mbrojtëse të organizmit).
Kjo sëmundje karakterizohet nga shfaqja në lëkurë e kokrrave të vogla si perla me ngjyrë të kuqe, në mes të një gropëze. Ato mund të shfaqen në çdo pjesë të trupit, madje edhe në zonat gjenitale.
Mjeku mund ta diagnostikojë moluskun ngjitës duke u bazuar në karakteristikat e kokrrave: të ndritshme si perla, dhe me ngjyrë të kuqe.

Pjesa më e madhe e kokrrave zhduken pas disa muajsh, por ato mund të vazhdojnë të jenë të pranishme për vite me radhë. Trajtimi konsiston në pastrimin ose djegien e tyre nën efektin e anestezisë lokale. Mund të përdoren edhe medikamente kundër tyre.
Tek fëmijët që kanë lëkurë të thatë dhe tek personat që vuajnë nga neurodermatiti, kokrrat duhet të ekzaminohen dhe trajtohen nga një mjek dermatolog. Tek personat e prekur nga SIDA, elementet e lëkurës mund të jenë burimi i një infeksioni të përgjithshëm të lëkurës, me shfaqjen e tyre në të gjithë trupin.

Higjiena: rekomandohet larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i peshqirëve të pastër, personalë. Të evitohet kruarja me forcë e lythave, sepse mund të infektohen. Në rastin e marrëdhënieve seksuale me partnerë të ndryshëm ose me partnerë tashmë të infektuar, është mjaft i rëndësishëm përdorimi i prezervativit.