logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Erizipela: infeksion i lëkurës me ethe dhe skuqje lokale.
Erizipela: infeksion i lëkurës me ethe dhe skuqje lokale.

Erizipela është një infeksion akut i lëkurës, i shkaktuar nga bakteret streptokoksike. Bakteret arrijnë në lëkurë përmes plagëve të jashtme përgjithësisht të parëndësishme, siç janë gërryerjet, plasaritjet, pickimet e mushkonjave ose mykozat e këmbëve, dhe përhapen më pas në enët limfatike dhe shtresat e sipërme të epidermës. Zona ku bakteret hyjnë në trup quhet portë e hyrjes së tyre.

Sëmundja fillon me një ethe të papritur dhe me të dridhura, para se të vijë eritema tipike e dhimbshme, vetëm pak orë më vonë. Më të prekura janë pjesët e poshtme të këmbëve, krahët dhe fytyra.

Më shumë gjasa për të shfaqur erizipelë kanë personat me sëmundje që shkaktojnë dobësim të sistemit imunitar dhe dëmtime të lëkurës. Në to përfshihen diabeti i sheqerit, çrregullimet e qarkullimit të gjakut të këmbëve, edema limfatike (këmbët e fryra) dhe mykoza e këmbëve. Trajtimi i erizipelës bëhet me antibiotikë.

Shkaktarët e erizipelës janë bakteret e grupit të streptokokëve (rrallë baktere të tjera), që hyjnë në lëkurë përmes plagëve në dukje të parëndësishme, siç janë gërvishtjet, pickimet e insekteve, lëndimet e lëkurës përreth thonjve gjatë manikyrit ose pedikyrit, ose një lëkurë përgjithësisht e thatë dhe e plasaritur. Sëmundjet që shkaktojnë dobësim imunitar dhe dëmtime të lëkurës, të tilla si diabeti i sheqerit, çrregullimet e qarkullimit të gjakut të këmbëve, këmbët e fryra (edemë limfatike) dhe mykoza e këmbëve, nxisin shfaqjen e erizipelës. Kjo e fundit rrallë ndikon në njerëz të shëndetshëm, sistemi imunitar i të cilëve funksionon siç duhet.

Edhe para se erizipela të bëhet e dukshme, sëmundja ndihet nga ethet e papritura, nga dridhjet dhe nga një ndjenjë e përgjithshme e sëmundjes. Vetëm disa orë më vonë, shfaqet eritema e dhimbshme tipike e erizipelës, e cila është një zonë e lëkurës:

  • jashtëzakonisht e kuqe, e inflamuar dhe zakonisht e kufizuar qartë, e cila është shumë e dhimbshme dhe përhapet në sipërfaqe.
  • e enjtur dhe e nxehtë
  • e shoqëruar shpesh me nyje limfatike të zmadhuara përreth

Në raste të rënda, formohen flluska dhe ndodh gjakderdhje në lëkurën e zonës së prekur.

Eritema tipike, vendndodhja e saj dhe paraqitja kronologjike e simptomave e orientojnë mjekun për praninë e një erizipele. Ai do të shqyrtojë zonat përkatëse në kërkim të portës së hyrjes së baktereve, dhe do të kërkojë nga pacienti informacion për praninë e sëmundjeve që mund të favorizojnë një erizipelë. Përveç kësaj, ai do të palpojë (prekë) nyjet limfatike dhe do të masë temperaturën trupore. Në raste të rënda ose të paqarta, një mostër gjaku është gjithashtu e nevojshme për të identifikuar mikrobin shkaktar të infeksionit.

Meqë shkaktohet nga bakteret, erizipela trajtohet gjithmonë me antibiotikë. Përveç kësaj, duhet të pastrohet dhe trajtohet zona e prekur e lëkurës (porta hyrëse e baktereve). Gjithashtu, duhet të trajtohen edhe sëmundjet favorizuese të erizipelës, të tilla si mykoza e këmbëve ose diabeti i sheqerit. Në rast të etheve dhe dhimbjeve të forta, mund të përdoren medikamente analgjezike (qetësuese të dhimbjeve) dhe medikamente antipiretike (që ulin temperaturën).

Masa të tjera të përgjithshme që ndihmojnë shërimin e erizipelës:

  • Regjimi i shtratit dhe vendosja e gjymtyrëve të prekura në pozicion të ngritur.
  • Vendosja e kompresave të ftohta
  • Në rastet e erizipelës së fytyrës, rekomandohet evitimi i të folurit dhe përtypjes për disa ditë (të konsumohet ushqim i lëngshëm ose i zier mirë), në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksionit më tej.

Masa kryesore parandaluese e erizipelës është minimizimi i faktorëve të rrezikut. Kjo përfshin trajtimin e infeksioneve mykotike të këmbës, balancimin e mirë të nivelit të sheqerit në pacientët diabetikë, trajtimin e hershëm të plagëve të lëkurës dhe sigurimin e furnizimit të mirë të gjakut në këmbë. Pacientët diabetikë duhet të kontrollojnë rregullisht këmbët e tyre për të zbuluar ndonjë plagë në lëkurë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.