Melanoma (Kanceri malinj i lëkurës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Bëhet fjalë për një kancer të lëkurës, tepër të rrezikshëm, ngjyrat dominuese të të cilit janë e zeza dhe kafja. Krahasuar me format e tjera të kancerit të lëkurës, ai përhapet relativisht më shpejt në organet e tjera, nëpërmjet metastazave. Gjatë viteve të fundit, numri i personave të prekur nga melanoma është rritur, megjithëse ajo mbetet përsëri më e rrallë se kanceret e organeve të tjera, si kanceri i mushkërive, kanceri i gjirit ose kanceri i zorrës.
Melanoma mund të shfaqet në forma të ndryshme në varësi të zonës së lëkurës (jo vetëm në zonat e ekspozuara ndaj diellit) apo të mukozës ku ajo zhvillohet.

Si shkaqe të melanomës mund të shërbejnë:
- Ekspozimet e drejtpërdrejta dhe të forta në rrezet e diellit, që prekin zonat e lëkurës të djegura nga dielli, të krijuara që në periudhën e fëmijërisë ose adoleshencës. Personat me lëkurë të ndjeshme (alergjike) dhe flokë të kuqe kanë një tendencë më të madhe për të zhvilluar melanomën.
- Prania e numrit të madh të nishaneve rrit shkallën e rrezikut, sepse melanoma formohet shpesh në bazën e një nishani.
- Është vërtetuar që melanoma e merr origjinën nga qelizat pigmentuese të epidermës (edhe për lëkurën e shëndetshme). Këto qeliza degjenerojnë dhe fillojnë të shtohen në mënyrë të pakontrollueshme. Ato lëvizin lirisht në lëkurë, gjë që shpjegon edhe tendencën e tyre të hershme për të përhapur metastazat.
- Predispozita gjenetike
Melanoma mund të manifestohet në mënyra të ndryshme. Përgjithësisht, dallohen dy forma kryesore:
- Forma që përhapet kryesisht në sipërfaqen e lëkurës.
- Forma nodulare, që përhapet më tepër në drejtim vertikal.
Melanoma zhvillohet sipas stadeve të mëposhtme:
Fillimisht, formohet një njollë e vogël, me ngjyrë të zezë të errët. Njolla rritet, duke ndryshuar pamjen në sipërfaqen e saj. Ajo shndërrohet nga e zezë e errët në një ngjyrë të përzier kuq e zi. Në një stad më të përparuar, sipërfaqja duket me reliev të çrregullt ose të ngritur mbi sipërfaqen e lëkurës (me gunga). Kufiri i saj është shpesh jo i rregullt dhe në rast lëndimi të saj, melanoma mund të gjakoset lehtësisht.
Në aspektin praktik, për të bërë dallimin ndërmjet një njolle normale dhe një melanome, përdoret sistemi ABCDE. Ai konsiston në:
- A - Asimetria: një njollë krejtësisht e rrumbullakët rrallë mund të jetë malinje.
- B - Kufiri: një kufi i paqartë dhe i holluar është i dyshimtë.
- C - Ngjyra: prania e kombinimit të disa ngjyrave njëkohësisht është e dyshimtë.
- D - Diametri: të gjitha njollat me diametër mbi 0,5 cm, ose që e rritin madhësinë e tyre, janë të dyshimta.
- E - Evolucioni progresiv: a ka njolla një sipërfaqe të ngritur (me gunga)?
Nëse nga pesë pikat e mësipërme, katër janë të pranishme, është e besueshme që bëhet fjalë për një melanomë. Për arsye sigurie, kjo njollë duhet të hiqet nëpërmjet operacionit.

Diagnostikimi i melanomës bazohet tek:
- Marrja e të dhënave të hollësishme, përfshirë edhe simptomat e pacientit.
- Egzaminimi dhe vlerësimi nga një specialist dermatolog.
- Marrja e monstrave të indit të dyshimtë për melanoma (biopsia).

Egzaminimi ekografik mundëson vlerësimin e thellësisë së melanomës, për të përcaktuar mënyrën e trajtimit sa më të përshtatshëm të saj. Tumori i dyshuar duhet të hiqet me një rreze të paktën 1 cm në indin e shëndoshë përreth tumorit. Materiali i hequr kalon në egzaminimin histologjik (biopsi).
Tumoret e izoluara, pak të thella, që nuk kanë lëshuar metastaza në organet e tjera, nuk kanë nevojë për asnjë trajtim specifik pas heqjes së tyre kirurgjikale. Megjithatë, vizitat dhe kontrollet e rregullta tek mjeku specialist, për të paktën 10 vitet në vazhdim, janë të detyrueshme.
Në varësi të gjendjes, dhe veçanërisht të thellësisë së tumorit, mund të jetë e nevojshme edhe heqja kirurgjikale e nyjës limfatike që ndodhet ngjitur me zonën e melanomës.
Nëse metastazat janë të pranishme në momentin e diagnostikimit të melanomës, duhet të fillohet menjëherë kimioterapia, imunoterapia ose rrezatimi i jashtëm.
Diagnoza dhe trajtimi i hershëm ndikojnë pozitivisht, madje janë thelbësore për shërimin e melanomës. Shkalla e mbijetesës së pacientit varet nga madhësia dhe thellësia e tumorit. Ecuria është e keqe në rastet kur metastazat kanë prekur organet e brendshme si mëlçinë, mushkëritë, trurin, etj. Melanomat e lokalizuara në nivelin e gjymtyrëve kanë ecuri më të mirë sesa ato që zhvillohen në zonën e trungut ose të kokës.

Për të parandaluar shfaqjen e një melanome, duhet të zbatohen këto masa të përgjithshme:
- Të evitohen banjat e diellit dhe djegiet nga dielli (veçanërisht tek fëmijët e vegjël dhe adoleshentët).
- Të mbrohet lëkura nëpërmjet veshjeve, kapeleve dhe kremërave mbrojtës ndaj diellit.
- Të konsultohet mjeku rregullisht, në të gjitha rastet me nishane.
- Të monitorohet në vazhdimësi pamja e nishaneve, për të konstatuar sa më herët ndryshimin e pamjes së tyre.
- Të kryhen kontrolle të rregullta tek mjeku në rast trashëgimie familjare për kancerin e lëkurës.