logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Testi i gjakut okult në feçe: shërben për të zbuluar sasi të vogla të gjakut në feçe (jashtëqitje), që nuk janë të dukshme me sy të lirë.
Testi i gjakut okult në feçe: shërben për të zbuluar sasi të vogla të gjakut në feçe (jashtëqitje), që nuk janë të dukshme me sy të lirë.

Çfarë është testi i gjakut okult në feçe?

Testi i gjakut okult është një test i thjeshtë që shërben për të zbuluar edhe një sasi të vogël të gjakut në feçet (jashtëqitjet), që nuk është i dukshëm me sy të lirë, pra është i "fshehur". Ky test përdoret për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë (kolorektal) dhe pararendësve të tij, polipeve të zorrës, që shkaktojnë gjakderdhje.

Testi i gjakut okult në feçe është një ekzaminim i Mjekësisë së përgjithshme dhe Gastro-enterologjisë, që është degë e Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Rrethanat e ndryshme mund të shtrembërojnë rezultatin e testimit. Për këtë arsye është thelbësore të ndiqni udhëzimet e mjekut ose treguesit në paketën e testimit. Direkt para dhe gjatë testimit, ju nuk duhet të hani mish me gjak (të pagatuar mjaftueshëm), si bifteku me gjak, apo domate, banane, brokoli dhe lulelakër. Në mënyrë të ngjashme, duhet të shmanget edhe vitamina C me dozë të lartë.

Çfarë duhet të sqaroni përpara ekzaminimit?

Nuk është i nevojshëm asnjë sqarim përpara ekzaminimit.

Si realizohet testi për gjakun okult në feçe?

Marrja e kampionit për këtë test realizohet nga vetë pacienti, në shtëpi. Mjeku e pajis pacientin me tre kuti sterile, në të cilat pacienti do të vendosi një kampion të vogël të feçes gjatë tre ditëve radhazi. Këto tre kuti brenda një zarfi i dorëzohen mjekut të familjes, i cili pasi i shton një solucion specifik, sipas reaksionit ngjyrues që ndodh mund të përcaktojë nëse në feçe gjendet gjak i fshehur ose jo. Në mungesë të gjakut, rezultati i testit është negativ. Nëse në feçe konstatohet gjak, testi është pozitiv. Është e rëndësishme të theksohet që prania e gjakut okult në feçe nuk do të thotë automatikisht kancer kolorektal (kancer i zorrës së trashë: kolonit dhe rektumit), pasi në shumicën e rasteve në origjinën e saj mund të jenë shkaqe të tjera. Nga ana tjetër, jo të gjithë kanceret kolorektalë shkaktojnë domosdoshmërisht gjak në jashtëqitje, për pasojë një test negativ nuk e përjashton me siguri një kancer kolorektal. Një test pozitiv i gjakut okult në feçe kërkon përgjithësisht një kolonoskopi për identifikimin e shkaqeve të gjakut të fshehur në feçe. 

Kur përdoret ky test?

Testi i gjakut okult në feçe rekomandohet të kryhet 1 herë në vit tek personat mbi 50 vjeç, për parandalimin e kancerit kolorektal. Krahas tushesë rektale dhe kolonoskopisë, testi pozitiv i gjakut okult në feçe tregon për mundësinë e një kanceri kolorektal. Gjithashtu, ky test mund të kryhet edhe në rastet me gjakderdhje nga stomaku ose nga zorra, me origjina të tjera. 

Arsyet e shpeshta për kryerjen e testit për gjakun okult në feçe janë:  

  • Divertikuli i zorrës
  • Polipet e zorrës
  • Hemorroidet
  • Sëmundjet inflamatore të zorrës: Koliti ulçeroz, sëmundja Crohn
  • Kanceri kolorektal 

A paraqet ky test rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.