logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Vitiligo: sëmundja e njollave të bardha, konsiderohet një sëmundje kronike e lëkurës.
Vitiligo: sëmundja e njollave të bardha, konsiderohet një sëmundje kronike e lëkurës.

Vitiligo është një sëmundje kronike e fituar, që karakterizohet nga humbja e pigmentit melaninë (përgjegjës për ngjyrën e lëkurës, flokëve/qimeve dhe syve) në formën e njollave, të cilat i japin lëkurës ngjyrë të bardhë. Shkaku i kësaj humbjeje të pigmentimit është një frenim ose shkatërrim i qelizave që prodhojnë melaninën (melanocitet). Njollat e bardha mund të shfaqen kudo në trup, madje edhe në mukozat, flokët/qimet ose sytë. Ndonjëherë njollat zhduken vetë, por më shpesh ato shkrihen me njëra-tjetrën për të formuar zona më të mëdha, ose shtrihen në disa pjesë të trupit.

Vitiligo prek rreth 0.5-1% të popullsisë, pavarësisht nga gjinia dhe ngjyra e lëkurës. Sëmundja mund të zhvillohet në çdo moshë, madje edhe në fëmijëri, por zakonisht ndodh para moshës 20 vjeçare. Në rreth një të tretën e të prekurve, ka një predispozicion familjar për këtë sëmundje. Vitiligo gjithashtu gjendet shpesh e bashkëshoqëruar me disa sëmundje autoimune (që prekin kryesisht gjendrën tiroide).

Vitiligo nuk është sëmundje e rrezikshme, nuk shkakton dhimbje dhe nuk është ngjitëse. Megjithëse vitiligo paraqet thjesht një problem kozmetik në pamje të parë, në të vërtetë është një sëmundje kronike, evolucioni i të cilës ndonjëherë është serioz dhe në shumë njerëz shkakton vuajtje të konsiderueshme, ndonjëherë edhe depresion.

Vitiligo është e pashërueshme. Megjithëse ka mundësi të ndryshme trajtimi, që mund ta ndihmojnë personin e prekur, trajtimi është afatgjatë dhe duhet të zgjidhet individualisht për secilin pacient. Qëllimi i alternativave të trajtimit që disponohen aktualisht është që të ndalohet përparimi i sëmundjes dhe të nxitet formimi i pigmenteve të reja të lëkurës.

Depigmentimi (çngjyrosja e lëkurës) në vitiligo ndodh kur qelizat që prodhojnë melaninën (melanocitet), ndalojnë prodhimin e saj për shkak të ndalimit të prodhimit ose shkatërrimit të tyre, pra të vetë melanociteve. Shkaku i saktë ende nuk dihet. Sidoqoftë ka një predispozitë familjare, sepse në rreth 30% të rasteve të diagnostikuara me vitiligo, në historinë e tyre mjekësore përmendet trashëgimia familjare.

Mekanizma të ndryshëm, të vetëm ose të kombinuar, dyshohet të ndikojnë tek melanocitet dhe të shkaktojnë çrregullime të pigmentimit të lëkurës. 

Në lidhje me këto mekanizma ekzistojnë hipotezat e mëposhtme:

Hipoteza autoimunitare

Sipas kësaj hipoteze, pranohet se sistemi imunitar i trupit të njeriut i njeh gabimisht qelizat e veta që prodhojnë melaninën si organe të rrezikshme të huaja; për këtë arsye prodhon substanca mbrojtëse (auto-antitrupa) të drejtuara kundër tyre, duke çuar kështu në shkatërrimin e tyre. Përveç kësaj, disa qeliza mbrojtëse do të ishin në gjendje të sulmonin drejtpërdrejt melanocitet e organizmit të tyre.

Hipoteza e vetë-shkatërrimit

Sipas kësaj hipoteze, një çekuilibër metabolik i qelizave që prodhojnë melaninën do të çonte në vetë-shkatërrim të tyre.

Hipoteza nervore ose neurogjenike

Disa substanca të çliruara nga nervat e lëkurës do të ishin përgjegjëse për shkatërrimin e melanociteve. Kjo hipotezë mund të lidhet me deklaratat e pacientëve me vitiligo, sipas të cilëve vitiligo është shfaqur ose është përkeqësuar pas traumave psikologjike, stresit, dëmtimeve të lëkurës apo djegies së rëndë nga dielli.

Hipoteza e radikaleve të lira dhe stresit oksidativ

Kjo hipotezë mbështet fenomenin e dështimit të mekanizmave të mbrojtjes antioksidative, që pasohet nga grumbullimi i radikaleve të lira në melanocite. Pikërisht ky proçes përshpejton plakjen qelizore dhe nxit shkatërrimin e melanociteve.

Simptoma kryesore e vitiligos është shfaqja e njollave të rrumbullakëta, të bardha ose ngjyrë qumështi, të kufizuara mire, dhe që variojnë nga disa milimetra deri në disa centimetra. Në raste të rralla, kufiri i njollave mund të jetë i errët ose i kuqërremtë. Vetë lëkura mbetet e paprekur.

Më shpesh, vitiligo shfaqet fillimisht në zonat e ekspozuara nga dielli, të tilla si fytyra, duke përfshirë sytë dhe gojën, duart, parakrahët dhe këmbët. Evolucioni është i paparashikueshëm. Ndodh që njollat e vitiligos zhduken spontanisht. Më shpesh, ato bashkohen për të formuar zona të mëdha ose përhapen në pjesë të ndryshme të trupit, apo edhe në gjithë sipërfaqen e lëkurës.

Zona të preferuara të vitiligos janë gjithashtu zonat e lëkurës rreth vrimave natyrore të trupit, të tilla si buzët, sytë, hunda, thithat e gjinjve, organet gjenitale, kërthiza, si dhe zonat e sqetullave dhe ijës. Njolla të bardha gjithashtu gjenden shpesh edhe në bërryla, kyçet e dorës ose nyjet e gishtërinjve.

Shpesh njollat e vitiligos shfaqen edhe pas traumave specifike në një zonë të shëndetshme të lëkurës, që njihet si fenomeni Köbner. Ai mund të jetë pasojë e faktorëve ose mekanizmave të ndryshëm, si për shembull dëmtimet e lëkurës që mund të shkaktohen nga prerjet ose goditjet, djegiet ose kimikatet, në zonat e fërkimit të vazhdueshëm (p.sh. nga veshjet) ose në zona të dala (p.sh. bërrylat dhe gjunjët).

Në zonat e prekura, gjithashtu mund të ndodhë zbardhja e parakohshme e flokëve/qimeve (e pjesshme ose e plotë), vetullave, qerpikëve dhe mjekrës. Përfshirja e mukozave është e mundur, siç është edhe depigmentimi i retinës.

Shpërndarja, klasifikimi

Vitiligo, në aspektin klinik, është trajtuar prej kohësh në mënyrë neglizhente. Edhe sot, shpesh lihet mënjanë sepse konsiderohet një problem thjesht kozmetik. Format e ndryshme të manifestimit dhe evolucionit, si dhe mënyrat e mundshme të shfaqjes së vitiligos, gjithashtu janë subjekt i diskutimit: nëse vitiligo përfaqëson një gjendje klinike të veçuar apo një spektër çrregullimesh të ndryshme.

Në vitet e fundit, kësaj sëmundjeje i është kushtuar një rëndësi në rritje dhe kohët e fundit është bërë publike një marrëveshje ndërkombëtare, lidhur me klasifikimin klinik të vitiligos. Sipas këtij të fundit, vitiligo është klasifikuar në 3 grupe: grupi i parë është përshkruar si vitiligo josegmentare; grupi i dytë përfshin vitiligon segmentare; grupi i tretë përfshin formën e vitiligos që nuk mund të klasifikohet në fillim të sëmundjes si segmentare apo josegmentare.

Vitiligo josegmentare 

Kjo formë përbën pjesën më të madhe të rasteve të kësaj sëmundjeje, me vitiligo të përgjithshme ose me shumë vatra, që dallon qartë nga vitiligo segmentare.

Kjo formë e vitiligos:

  • Karakterizohet nga njolla të bardha të madhësive të ndryshme që prekin secilën anë të trupit, shpesh simetrikisht.
  • Shfaqet zakonisht pas fëmijërisë.
  • Përparon në mënyrë progresive me ''shpërthime''. Në përgjithësi, madhësia e njollave rritet me kalimin e kohës dhe njollat evoluojnë në mënyra të ndryshme në lidhje me shtrirjen dhe vendosjen.
  • Flokët/qimet preken vetëm në një fazë të mëvonshme të sëmundjes.
  • Sëmundjet autoimune janë të shpeshta tek individët e prekur ose familjet e tyre.
  • Shpesh prek zonat që janë të ndjeshme ndaj presionit ose fërkimit (fenomeni Köbner).
  • Shpesh rishfaqet në të njëjtin vend pas transplantimit të melanociteve.

Vitiligo segmentare 

Mund të jetë njësegmentare, dysegmentare ose shumësegmentare, me respektivisht një, dy ose më shumë segmente të prekura. Forma njësegmentare është më e shpeshta.

Dallimet nga vitiligo josegmentare:

  • Njollat e bardha zakonisht shfaqen në njërën anë të trupit ("vitiligo unilaterale") dhe mund të korrespondojnë me segmente nervore të plota ose të pjesshme të lëkurës. Nëse në raste të rralla preken disa segmente, ato mund të jenë në njërën ose në të dyja anët e trupit.
  • Fillon përgjithësisht gjatë fëmijërisë.
  • Sëmundja zhvillohet që në fillim me shpejtësi (në 6-24 muaj), por stabilizohet më pas.
  • Flokët/qimet preken që nga fillimi i evolucionit të sëmundjes.
  • Në përgjithësi nuk ka lidhje me sëmundjet autoimune.
  • Prek shpesh fytyrën.
  • Karakterizohet nga suksesi i terapisë dhe stabiliteti i ripigmentimit (ringjyrosjes) të lëkurës pas transplantimit të melanociteve.

Vitiligo e paklasifikuar

Ky grup përfshin format e vitiligos që nuk mund të klasifikohen qartë në fillim të sëmundjes, si segmentare ose jo-segmentare. Ajo mund të jetë:

  • Vitiligo fokale: me njolla të vogla, të izoluara, të bardha, që nuk i plotësojnë kriteret e vitiligos segmentare dhe nuk zhvillohen si vitiligo josegmentare brenda 1- 2 vjetësh.
  • Vitiligo mukozale: shfaqet në një zonë të izoluar (mbi të paktën 2 vjet).

Diagnoza e vitiligos zakonisht është klinike: ajo bazohet në një histori të detajuar të pacientit dhe familjes së tij, dhe në një ekzaminim të plotë fizik. Analizat e gjakut dhe ndoshta një biopsi ndihmojnë për të përjashtuar shkaqe të tjera të mundshme të ndryshimeve të lëkurës, ose sëmundje bashkëshoqëruese (të tilla si sëmundjet autoimune).

Pikat kryesore të marrjes në pyetje të pacientit janë:

  • Që kur shfaqen ndryshimet e lëkurës? A janë ato të qëndrueshme apo progresive?
  • Në cilat kushte kanë ndodhur ndryshimet e lëkurës? Psh. si rezultat i inflamacionit, acarimit ose skuqjes; si rezultat i dëmtimeve të lëkurës; pas djegieve të rënda nga dielli; si rezultat i ngarkesave emocionale ose sëmundjeve fizike?
  • Fenomeni Köbner: i pranishëm ose jo?
  • A është vitiligo e pranishme në anëtarë të familjes?
  • A ka sëmundje bashkëshoqëruese të njohura (autoimune) të personit të prekur apo të familjes së tij, sëmundje të gjendrës tiroide, diabet të sheqerit tip 1, zbardhje të parakohshme të flokëve/qimeve (para moshës 30 vjeç), alopeci areata (rënie e flokëve në formën e njollave të rrumbullakta), anemi pernicioze (anemi nga mungesa e vitaminës B12), kolagjenoza, etj.?
  • A ka përdorur medikamente që përmbajnë /kontaktojnë substanca të caktuara kimike?

Ekzaminimi fizik

  • Ekzaminimi i lëkurës nga mjeku, duke përdorur një llambë për një pamje më të qartë të njollave të bardha.
  • Përshkrimi i numrit, shpërndarjes dhe shtrirjes së ndryshimeve të lëkurës (klasifikimi i vitiligos).
  • Ekzaminimi i pacientit nga një mjek okulist (40% e pacientëve me vitiligo gjithashtu kanë ndryshime të pazbuluara të retinës).

Analizat e gjakut

Ato janë të domosdoshme për përjashtimin ose zbulimin e sëmundjeve të tilla, si sëmundjet e tiroides ose diabeti i sheqerit, ose sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Biopsia indore

Është e nevojshme për përjashtimin e shkaqeve të tjera të çrregullimeve të lëkurës, të tilla si depigmentimi pas një melanome (kanceri i zi i lëkurës).

Vendosja e një diagnoze të sigurt është vendimtare për strategjinë që do të ndiqet dhe fillimin e trajtimit të vitiligos. Ka shumë sëmundje që shkaktojnë njolla të bardha (Leukoderma) ose depigmentim të lëkurës, por kërkojnë trajtim të mëtejshëm apo ndonjë metodë krejt tjetër nga vitiligo. Ndryshe nga vitiligo, disa janë të shërueshme (p.sh. sëmundjet infektive).

Shkaqe të tjera të ndryshimeve të lëkurës, të ngjashme me vitiligon (diagnoza diferenciale)

  • Disa sëmundje të lindura, të tilla si piebaldizmi (albinizmi i pjesshëm).
  • Depigmentimi pas sëmundjeve inflamatore, të tilla si psoriaza, lupusi eritematoz sistemik, dhe dermatiti atopik.
  • Depigmentimi pas sëmundjeve infektive, si Pitiriazis versicolor, leproza e sifilizi.
  • Depigmentimi pas dëmtimeve të lëkurës.
  • Depigmentimi pas kancerit të lëkurës.
  • Depigmentimi si rezultat i substancave kimike (fenoleve).

Vitiligo është e pashërueshme. Megjithatë, përveç masave të përgjithshme dhe kozmetike për të mbuluar njollat e bardha, ekzistojnë mundësi të ndryshme të trajtimit. Ato synojnë monitorimin e progresit të sëmundjes dhe nxitjen e rikthimit të ngjyrës së lëkurës, dmth ripigmentimin. Është e rëndësishme të diferencohen mënyrat e ndryshme të trajtimit, që janë: medikamentoze, me fototerapi dhe me ndërhyrje kirurgjikale.

Ripigmentimi (ringjyrosja) është e mundur të arrihet nëpërmjet stimulimit të melanociteve. Në të vërtetë, në shumicën e pacientëve me vitiligo, ka ende qeliza pigmentare në rrënjë të flokëve/ qimeve dhe mund të nxitet rritja dhe migrimi i tyre në lëkurë. Melanocitet e izoluara që mbeten në njollat e vitiligos ose të vendosura në skajet e tyre, janë një burim shtesë.

Nuk ka trajtim standart, të suksesshëm në çdo pacient me vitiligo. Shkalla e përgjigjes ndaj trajtimeve të ndryshme mund të ndryshojë nga një rast në tjetrin, dhe nuk është kurrë e parashikueshme. Disa masa terapeutike kanë efekte të dëmshme serioze, disa të tjera nuk lejohen akoma. Në çdo rast, trajtimi kërkon shumë kohë dhe durim (melanocitet kanë nevojë për disa muaj për të prodhuar përsëri melaninën).

Masat e përgjithshme

Mbrojtja e lëkurës nga dielli është një nga masat kryesore në rastin e vitiligos. Përdorimi i kremërave mbrojtës dhe veshjeve mbrojtëse nga dielli, jo vetëm që mbrojnë zonat e depigmentuara të lëkurës, por edhe bën që ndryshimi ndërmjet njollave të bardha dhe lëkurës së ekspozuar në diell të mos jetë shumë i madh. Djegiet e rënda nga dielli mund ta përkeqësojnë vitiligon.

Masat kozmetike

Për shumë persona të prekur nga vitiligo, njollat e bardha të saj përfaqësojnë një problem serioz estetik. Për të lehtësuar këtë pjesë, praktikohen masa të ndryshme kozmetike, si:

  • Maskimi: përdorimi i produkteve të veçanta make-up që janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ujit, dhe që mund të maskojnë ndryshimet e lëkurës. Rekomandohet edhe kryerja e operacioneve nga specialistë të kualifikuar në fushën e kozmetikës.
  • Vetë-nxirja: me produkte që shkaktojnë nxirje të lëkurës, që zgjat 3-5 ditë. 
  • Tatuazhet kozmetike: mund të konsiderohen në zonën e buzëve (sidomos në njerëzit me lëkurë të errët) ose tek thithat e gjirit. Për shkak të paparashikueshmërisë së vitiligos, duhet treguar kujdes në zonat e tjera.

Në varësi të shkallës së sëmundjes dhe nivelit të vuajtjes së pacientit, masat kozmetike mund të jenë të mjaftueshme.

Trajtimi medikamentoz

Medikamente për përdorim të jashtëm

Kortikosteroidet në formën e kremit ose pomadës:

  • Kortikosteroidet e lehta rekomandohen si trajtim i parë i zgjedhur për fëmijët dhe të rriturit me vitiligo me përmasa të kufizuara (më pak se 2-3% të sipërfaqes së trupit) jashtë zonës së fytyrës. Kohëzgjatja e përdorimit: 3-6 muaj, në varësi nga skema e trajtimit.
  • Mos i përdorni kortikosteroidet për kohë të gjatë, për shkak të efekteve të mundshme të pafavorshme, që përfshijnë atrofinë e lëkurës, zgjerimin e enëve sipërfaqësore (telangiektasia), shtimin e qimeve (hipertrikoza) ose ndryshimet e lëkurës të lidhura me aknet (puçrrat).
  • Efikasiteti maksimal arrihet në lëkurën e ekspozuar ndaj diellit, lëkurën e errët dhe ndryshimet e lëkurës të shfaqura kohët e fundit.
  • Për përdorim në periudha afatgjata, në sipërfaqe të mëdha të lëkurës, në lëkurë të hollë ose tek fëmijët, rekomandohet përdorimi i kortikosteroideve më të reja, me efekte anësore të papërfillshme.

Frenuesit e Kalcineurinës në formën e kremit ose pomadës:

  • Janë imunomodulatorë, që ndikojnë në proçese të caktuara brenda sistemit imunitar.
  • Studimet konfirmojnë efektivitetin e tyre në proçesin e ripigmentimit, veçanërisht në zonën e kokës dhe qafës.
  • Tolerohen më mirë se kortikosteroidet.
  • Mund të përdoren si një alternativë ndaj kortikosteroideve për njolla të reja të vitiligos në lëkurë të hollë, tek fëmijët dhe të rriturit. Për shkak të të dhënave ende të pamjaftueshme për pjesët e tjera të trupit, përdorimi i tyre duhet të mbetet i kufizuar vetëm në zonën e kokës dhe të qafës.
  • Kohëzgjatja e trajtimit: 6 muaj, zgjatet më tepër nëse terapia rezulton e suksesshme.
  • Gjatë terapisë, zonat e lëkurës së trajtuar duhet të ekspozohen çdo ditë nga pak ndaj dritës së diellit.
  • Edhe pse praktikisht përdoren për vitiligon, aktualisht kjo klasë medikamentesh është e autorizuar nga autoritetet vetëm për trajtimin e neurodermatitit.
  • Ende janë duke u hulumtuar përbërës të tjerë active, që ndikojnë në sistemin imunitar.

Medikamente për përdorim të brendshëm (sistemik)

Kortikosteroidet

  • Përdoren me doza të vogla në intervale të rregullta kohore. Stabilizojnë sëmundjen dhe favorizojnë ripigmentimin në rastin e vitiligos që zhvillohet shpejt (progresive), ose në mungesë të stabilizimit pas fototerapisë.
  • Nuk janë efikase në rastet me vitiligo të qëndrueshme.
  • Ende janë duke u hulumtuar përbërës të tjerë active, që ndikojnë në sistemin imunitar. Aktualisht, të dhënat e pamjaftueshme dhe efektet negative nuk e justifikojnë përdorimin e tyre në pacientët me vitiligo.

Fototerapia

Gjatë fototerapisë, zonat e lëkurës që janë të prekura nga vitiligoja trajtohen me rrezatim me dritë ultravjollcë (UV). Kjo stimulon rritjen e melanociteve të mbetura dhe formimin e pigmenteve të reja. Zonat e lëkurës së fytyrës ose të kraharorit zakonisht i përgjigjen mirë këtij trajtimi.

Fototerapia mund të kombinohet me medikamente (kortikosteroide, frenuesit e kalcineurinës). Kombinime të ndryshme me substanca të tjera, si xhel antioksidues (pseudokatalaza) ose shtesa dietike antioksiduese kanë treguar rezultate pozitive. Megjithatë, këto duhet të konfirmohen nga studime të mëtejshme.

Fototerapia UVB me spektër të ngushtë

  • Aktualisht konsiderohet trajtimi i parë i zgjedhur për vitiligon e përgjithësuar.
  • Rrezatimi me një spektër të caktuar të ngushtë të rrezatimit UVB (ultravjollcë B) kryhet në një kabinë rrezatimi ose me pajisje rrezatimesh të pjesshme të trupit.
  • Rrezatimi i të gjithë trupit kryhet nëse preket më shumë se 15-20% të sipërfaqes së trupit.

Fototerapia UVB e shënjestruar

  • Lazeri Excimer: rrezatim me dritë UVB të një gjatësie vale të caktuar (dritë monokromatike).
  • Mikrofototerapia: UVB me spektër të ngushtë, me fasha drite të fokusuara.
  • Llamba me energji të lartë.
  • Zonat e prekura nga vitiligo mund të rrezatohen në një mënyrë të shënjestruar, pa ndikuar në lëkurën e shëndetshme përreth. Veçanërisht e dobishme për zonat që zakonisht janë të vështira për t’u trajtuar, siç janë plikat e lëkurës.
  • Rekomandohet për forma të lokalizuara të vitiligos, veçanërisht për njolla të vogla, si dhe tek fëmijët.

Nuk ka ende unanimitet lidhur me kohëzgjatjen optimale të trajtimit në fototerapinë UVB të shënjestruar ose fototerapinë UVB me spektër të ngushtë. Zakonisht, fototerapia kryhet për një minimum kohor prej 3 muajsh dhe përsëritet në rast suksesi, për aq kohë sa ndodh ripigmentimi, për një maksimum kohor prej 1-2 vjetësh.

Fotokimioterapia

Është një kombinim i përbërësve aktivë specifikë, që shtojnë ndjeshmërinë e lëkurës ndaj dritës nëpërmjet rrezatimit të saj me rreze UVA (ultravjollcë A):

  • PUVA (Psoralen + UVA): një nxitës aktiv i ndjeshmërisë së lëkurës ndaj dritës, psoraleni, administrohet para rrezatimit nëpërmjet aplikimit lokal të jashtëm (në formën e kremit, pomadës) ose aplikimit të brendshëm. Ky produkt është veçanërisht efektiv në lëkurën e errët. Është zëvendësuar me fototerapinë UVB me spektër të ngushtë, më mirë të toleruar dhe më efektive, si trajtim i parë i zgjedhur për vitiligon e përgjithësuar. Efekti i dëmshëm afatgjatë i tij është rreziku në rritje i kancerit të lëkurës.
  • KUVA (kelin + UVA): përpara rrezatimit me UVA përdoret kelini, si një përbërës aktiv që rrit ndjeshmërinë e lëkurës ndaj dritës. Aplikimi i brendshëm nuk kryhet më për shkak të efektit toksik në mëlçi. Aplikimi i jashtëm local, në formën e kremit ose xhelit, mund të kryhet në raste të caktuara. Gjithsesi, mungojnë të dhëna studimore për efektivitetin e kësaj teknike.

Teknikat kirurgjikale

  • Pjesë të lëkurës ose të qelizave pigmentare të saj largohen nga zonat e shëndetshme të lëkurës së pacientit dhe transplantohen në zona të lëkurës të ndryshuara, pasi është hequr më parë shtresa e sipërme e lëkurës. Ka proçedura të ndryshme kirurgjikale, që kryhen nën anestezi lokale ose ndoshta edhe të përgjithshme.
  • Në rast të vitiligos segmentare dhe formave të tjera të lokalizuara, proçedurat kirurgjikale përdoren në rastet kur medikamentet dhe fototerapitë kanë dështuar. Që ndërhyrja kirurgjikale të jetë e susksesshme, është e domosdoshme që sëmundja të jetë e stabilizuar. Pikërisht për këtë arsye, vitiligo segmentare dhe format e lokalizuara të vitiligos janë shumë të përshtatshme për kirurgjinë.
  • Në kushte të caktuara, pacientët me vitiligo të qëndrueshme jo segmentare mund të përfitojnë nga trajtimi kirurgjikal, por gjithsesi rreziku i rikthimit është i lartë.

Depigmentimi

  • Në kontekstin e depigmentimit, zonat e lëkurës së shëndetshme zbardhen me kimikate dhe/ose trajtim me lazer, për të arritur harmonizimin me zonat e prekura.
  • Ky proçes rekomandohet vetëm për vitiligo që janë shumë të mëdha (më shumë se 50% të sipërfaqes së trupit), joestetike dhe që nuk i përgjigjen mënyrave të tjera të trajtimit.
  • Është një proçes i pakthyeshëm.
  • Pasojë e tij është rritja e ndjeshmërisë së lëkurës ndaj dritës së diellit.


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.