Tumori beninj i kockave
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Tumoret beninje të kockave përfaqësojnë shumëfishimin e qelizave në brendësi dhe, më rrallë, në sipërfaqe të kockës. Ato zakonisht e kanë origjinën në indin kockor, indin kërcor dhe atë lidhor. Meqenëse shpesh ato nuk shkaktojnë shqetësime tek pacienti, zbulimi i tyre është përgjithësisht i rastësishëm.
Është tepër e rëndësishme të bëhet dallimi i këtyre tumoreve beninje nga kanceri (tumori malinj) i kockës. Pjesa më e madhe e tumoreve kockore janë beninje dhe zhvillohen gjatë periudhës së dytë ose të tretë të jetës, ndryshe nga tumoret malinje që zhvillohen gjatë periudhës së rritjes.
Shkaku i zhvillimit të tumoreve beninje të kockës nuk është ende i njohur. Mendohet se, përveç trashëgimisë, në këtë drejtim luajnë rol edhe faktorët fizikë dhe ata kimikë. Në varësi të origjinës së tumorit, njihen grupe të ndryshme tumoresh, me përfaqësuesit e tyre kryesorë si më poshtë:
- Tumoret me origjinë nga qelizat kockore: osteoma, osteoma osteoide dhe osteoblastoma.
- Tumoret me origjinë nga indi kërcor: kondroma, kondroblastoma dhe osteokondroma.
- Tumoret me origjinë nga indi lidhor: fibroma kockore dhe osteoklastoma (tumori me qeliza gjigande)
- Tumoret me origjinë nga indi i enëve të gjakut: hemangioma kockore.
Shpesh, pacienti me tumor beninj të kockës nuk paraqet simptoma (shqetësime).
- Ndonjëherë, shfaqen dhimbje të përhapura, vetëm natën ose në rast sforcimi fizik.
- Ndonjëherë konstatohet enjtje në zonën e tumorit dhe nxehtësi lokale.
- Ndonjëherë shfaqen dhimbje që përhapen.
- Prania e ndërlikimeve, që manifestohen me paraliza ose me thyerje të kockave.

Diagnoza e tumorit beninj të kockave bazohet në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Egzaminimin trupor të pacientit nga mjeku specialist ortoped, me palpacionin (prekjen) e gjymtyrës së prekur.
- Radiografinë në dy projeksione të segmentit kockor të prekur.
- Nëse janë të nevojshme, rekomandohet edhe kryerja e skanerit, rezonancës magnetike, angiografisë (që evidenton enët e gjakut) ose ekografisë.
- Biopsinë e tumorit të hequr nëpërmjet operacionit, për të përjashtuar praninë e qelizave malinje në të.

Një tumor kockor beninj që nuk shkakton shqetësime dhe nuk kërcënon qëndrueshmërinë e kockës, përgjithësisht ka nevojë për trajtim vetëm në rast se ka shkaktuar ndërlikime (shih më poshtë). Shndërrimi i këtyre tumoreve në kancer (tumor malinj) të kockës është një fenomen mjaft i rrallë.
Kur tumoret beninje të kockave shkaktojnë shqetësime (simptoma), trajtimi është i domosdoshëm dhe ka për qëllim që të qetësojë dhimbjet dhe të ruajë një kockë të qëndrueshme dhe funksionale. Në përgjithësi, trajtimi është kirurgjikal, dhe konsiston në heqjen e tumorit dhe zëvendësimin e fragmentit kockor të hequr me ind kockor të vetë pacientit ose me transplant të kockës.
Në pacientët me tumor beninj të kockave, ndërlikimet mund të jenë pasojë e tumorit vetë, ose e ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e tij.
Ndërlikimet e shkaktuara nga tumori:
- Kufizimi i funksionit të gjymtyrës së prekur, si pasojë e dhimbjes.
- Thyerje të kockave
- Çrregullime nervore (kryesisht paraliza), kur tumori prek edhe indin nervor.
Ndërlikimet e shkaktuara nga ndërhyrja kirurgjikale:
- Ndërlikime të përgjithshme, të tilla si: hemorragji, infeksione, vonesë në mbylljen e plagës (formimin e cikatrices), tromboza venoze.
- Pabarazi e gjatësisë së këmbëve
- Pseudoartrozë.