logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Këputja e tendinit të Akilit shpesh ndodh gjatë sportit.
Fotolia 78113690 Dan Race
Këputja e tendinit të Akilit shpesh ndodh gjatë sportit.

Sipas legjendës, Akili i paprekshëm vdiq për shkak të një plagosjeje në thembrën e këmbës. Edhe në ditët e sotme, tendini i Akilit përfaqëson ende një nga pjesët më të ndjeshme ndaj plagosjeve, megjithëse është një nga tendinet më të forta të trupit të njeriut.

Njihen dy forma të këputjes së tendinit të Akilit: këputja akute (e menjëhershme), pa simptoma, dhe ajo e pjesshme. 

Problemet kronike në këtë zonë shkaktohen nga degjenerimi i tendinit. Personat e moshuar, ose ata që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, artriti reumatoid ose sëmundje të tjera reumatizmale, janë përgjithësisht më të predispozuar për ta zhvilluar këtë fenomen. 

Këputja e tendinit të Akilit shfaqet shpesh gjatë ushtrimit të një sporti, në fushën e tenisit, gjatë vallëzimit ose gjatë ushtrimeve aerobike. Zakonisht ai ndodh tek personat që janë amatorë në fushën e sportit, me moshë nga 30-50 vjeç. 

Këputja e tendinit të Akilit mund të trajtohet pa operacion. Megjithatë, specialistët rekomandojnë më shumë operacionin, sepse në rast të kundërt, qëndrimi i këmbës pa lëvizur për një kohë më të gjatë, mund të shkaktojë atrofi muskulare (pakësim të masës muskulare), trombozë, këputje të re të tendinit të Akilit, si dhe humbje të forcës.

Hedhja ose kërcimi janë shkaqet më të shpeshta të këputjes së tendinit të Akilit. Gjithashtu, rol të veçantë luan edhe ngarkesa e madhe mbi tendinin. Sportistët profesionistë preken rrallë nga ky fenomen, pasi ata stërviten (nxehen) mjaftueshëm përpara se të fillojnë një aktivitet sportiv të caktuar.

Këputja akute (e menjëhershme) e tendinit të Akilit manifestohet me një kërcitje të fortë në thembrën e këmbës. Menjëherë pas kësaj, për shkak të dhimbjeve, lëvizja e këmbës në drejtim të tibias (kockës së trashë të kërcirit) është e pamundur. Gjithashtu, pacienti nuk mund të qëndrojë mbi majat e gishtërinjve.

Simptoma të tjera:

  • Dhimbje të menjëhershme dhe të forta pas aksidentit
  • Formimi i një boshllëku në thembër, që përfaqëson shenjën tipike të këputjes së tendinit të Akilit.
  • Pamundësia për të lëvizur vetë këmbën dhe për t’u hedhur (për të kërcyer).
  • Mund të shfaqet një enjtje në pjesën e pasme të kyçit të këmbës.

 

Për vendosjen e diagnozës së këputjes së tendinit të Akilit janë mjaft të rëndësishme këto elemente:

  • Përshkrimi i aksidentit dhe i simptomave të shfaqura pas tij, në veçanti prania e një zhurme “kërcitjeje”.
  • Pamundësia për të lëvizur këmbën ose për të qëndruar në majë të gishtërinjve.
  • Të gjitha këto e ndihmojnë mjekun specialist ortoped në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje.

Testi që konfirmon diagnozën:

  • Bëhet fjalë për testin e Tomson-it, gjatë kryerjes së të cilit mjeku shtyp pulpën e këmbës. Ky veprim duhet të pasohet automatikisht nga përkulja e këmbës. Nëse kjo nuk ndodh, diagnoza është e konfirmuar.

Egzaminimet radiologjike:

  • Ekografia e këmbës, që lejon zbulimin e një boshllëku të tendinit, në rreth 70% të rasteve.
  • Radiografitë, për të përjashtuar një frakturë (thyerje) ose një këputje kockore të tendinit.
  • Rezonanca magnetike, që kryhet në rastet kur dyshohet për këputje të pjesshme të tendinit të Akilit.

 

Trajtimi i urgjencës duhet të kryhet, nëse e lejojnë mundësitë, në vendin e aksidentit. Ai konsiston në skemën PANN, të paraqitur më poshtë:

  • P-pushim, që nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit fizik (sportiv), për shkak të pamundësisë për të lëvizur automatikisht këmbën.
  • A-akull, që nënkupton vendosjen e akullit në zonën e dëmtuar, por vetëm me kusht që të mos ketë plagë të hapur në të.
    Kujdes: akulli nuk duhet të vendoset direkt në lëkurë, sepse mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës prej të ftohtit.
  • N-ngjeshja, që nënkupton vendosjen e fashove shtrënguese, që pengojnë enjtjen.
    Kujdes: zona e fashuar duhet të kontrollohet rregullisht, pasi mund të shfaqen probleme prej furnizimit të pamjaftueshëm me gjak të saj.
  • N-ngritja, që nënkupton vendosjen e gjymtyrëve (krahëve, këmbëve) të dëmtuara në pozicion të ngritur, pasi ky pozicion favorizon furnizimin me gjak dhe rënien e enjtjes.


 

Operacionet

Operacioni konsiston në ngjitjen e dy skajeve të tendinit, që janë shkëputur nga njëri-tjetri. Kjo realizohet me dy metoda, që janë: operacioni i hapur ose ai sipërfaqësor (më pak invaziv). Përzgjedhja e metodës kirurgjikale bëhet nga mjeku specialist ortoped, në varësi të gjendjes së pacientit dhe gjendjes së tendinit. Kështu, nëse janë formuar ngjitje, duhet të kryhet patjetër operacioni i jashtëm. Ndërhyrja sipërfaqësore vlen për rastet me këputje të tendinit për herë të parë, pra kur nuk ekzistojnë simptoma të një këputjeje të mëparshme të tendinit të Akilit.

Trajtimi pas operacionit

Qëndrimi në spital është zakonisht i shkurtër, 2-3 ditë. Trajtimi në këtë fazë përfshin:

  • Ngarkesën e pjesshme të këmbës së dëmtuar, fillimisht deri në gjysmën e peshës së trupit, dhe më pas ngarkesa rritet gradualisht.
  • Mbajtjen e këmbës në fasho ose në allçi.
  • Kryerjen e seancave të fizioterapisë, sipas dëshirës dhe mundësive të pacientit.
  • Ngarkesa totale e këmbës vendoset vetëm pas rreth 6-7 javësh.
  • Allçia mund të hiqet vetëm pas 2 muajsh.
  • Pacienti mund të rifillojë vrapimin e lehtë vetëm pas 12 javësh, ndërkohë që sportet e rënda kërkojnë një periudhë pritjeje prej 6 muajsh.


Masat fizike

Nëse mjeku konstaton që skajet e tendineve të këputura preken kur këmba është e shtrirë, operacioni nuk është i nevojshëm në çdo rast. Madje, në shumë raste dy skajet mund të bashkohen.

Metoda: konsiston në lehtësimin e tendinit të Akilit nëpërmjet përdorimit të këpucëve të veçanta, të cilat disponojnë një thembër të lehtë, që garanton qëndrimin në majë të gishtërinjve. Ky pozicion favorizon kontaktin ndërmjet dy skajeve të tendinit. Kjo proçedurë (lehtësimi i pjesshëm) zgjat për dy javë, dhe më pas shoqërohet me përdorimin e një ngarkese të veçantë.

Kujdes: proçesi i shërimit duhet të kontrollohet rregullisht nga mjeku. Metoda konservative eviton rrezikun e anestezisë (mpirjes) që shoqëron operacionin. Por gjithsesi, ajo paraqet edhe disa anë negative, si: atrofinë muskulare (pakësimin e masës muskulare), rrezikun për tromboza dhe qëndrimin pa lëvizur për kohë më të gjatë.

Në rastin e këputjes së tendinit të Akilit, proçesi i shërimit zhvillohet normalisht, pa ndërlikime. Kjo do të thotë që, pas një trajtimi konservativ ose kirurgjikal, duhet të rikthehet lëvizshmëria normale, si përpara aksidentit.

Në raste të rralla, mund të konstatohen probleme të enëve të gjakut, infeksione dhe shkurtim ose zgjatje e tendinit. Ashtu si për çdo operacion, edhe në këtë rast egziston rreziku i infektimit të plagës ose i trombozave.

Për të parandaluar këputjen e tendinit te Akilit, është mjaft e rëndësishme të respektohen disa rregulla, si:

  • Kryerja në mënyrë të rregullt e aktiviteteve sportive, që sigurojnë elasticitetin e muskujve dhe tendineve.
  • Kryerja e ushtrimeve të tërheqjes përpara dhe pas aktiviteteve sportive.
  • Evitimi i sporteve të rënda dhe që mbartin rrezik për trauma.
  • Të përdoren veshje mbrojtëse gjatë ushtrimit të sporteve që angazhojnë shumë këmbët.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.