Thyerja e kyçit të këmbës, thyerja e maleolës (Thyerja e kyçit të këmbës, Thyerja e maleolës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Thyerja e maleolave ndodh gjatë një rrotullimi të theksuar të këmbës nga jashtë ose nga brenda. Ligamentet e forta lejojnë ruajtjen e folesë së kyçit të këmbës, që siguron përthithjen e forcave të rëndesës. Gjatë thyerjes mund të këputet edhe ligamenti kryesor, por kjo nuk ndodh gjithmonë.
Lidhur me trajtimin, është tepër e rëndësishme të dihet nëse është këputur ose jo ligamenti kryesor. Për këtë arsye, thyerjet e kyçit të këmbës klasifikohen në varësi të lartësisë së thyerjes dhe të mundësisë së këputjes së ligamentit kryesor, përkatësisht në:
- Thyerje të tipit Weber A: kur thyerja ka ndodhur poshtë ligamentit kryesor dhe kyçi është ende i lëvizshëm.
- Thyerje të tipit Weber B: kur thyerja ka ndodhur në lartësinë e ligamentit kryesor. Shpesh ligamenti është i prekur, por kyçi mund të jetë akoma i lëvizshëm.
- Thyerje të tipit Weber C: kur thyerja ka ndodhur sipër ligamentit kryesor. Ligamenti është këputur dhe kyçi e ka humbur qëndrueshmërinë.
Në varësi të faktit, nëse është prekur vetëm njëra apo të dyja maleolat, flitet për thyerje maleolare ose bimaleolare. Në rastin kur thyerja përfshin edhe pjesën e pasme të tibias, ajo emërtohet thyerje trimaleolare.
Pacienti me thyerje të këmbës paraqet këto simptoma:
- Dhimbje spontane dhe në shtypje, në nivelin e maleolës së prekur.
- Enjtje dhe ndonjëherë rrjedhje të gjakut (hemorragji) në nivelin e kyçit të këmbës.
- Lëvizje të kufizuara dhe të dhimbshme.
Ndonjëherë, pozicion i detyruar i kërcirit në raport me këmbën, për shkak të thyerjes së maleolës.

Diagnoza e thyerjes së kyçit të këmbës përcaktohet nga mjeku specialist ortoped, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe informacionin e detajuar lidhur me rrethanat dhe mekanizmin e aksidentit që ka shkaktuar thyerjen.
- Egzaminimin e këmbës dhe kyçeve të afërta me të
- Testet mbi qarkullimin, ndjeshmërinë dhe lëvizshmërinë e këmbës së prekur.
- Radiografinë në dy plane të këmbës, mundësisht së bashku me kërcirin, pasi peroneusi mund të jetë thyer relativisht lart.
Në rastin e thyerjeve të ndërlikuara, nevojitet kryerja e skanerit për një përgatitje më të mirë për operacionin.

Në varësi të nivelit të thyerjes së kyçit të këmbës, pra të tipit të saj, trajtimi mund të jetë i tipit konservator (jokirurgjikal) ose kirurgjikal.
Trajtimi konservator (pa ndërhyrje kirurgjikale)
Me këtë mënyrë mund të trajtohen thyerjet në të cilat ligamenti kryesor dhe kyçi i këmbës janë të paprekura. Trajtimi klasik konsiston në vendosjen e këmbës së thyer në allçi për 6 javë.
Medikamentet
Në këto raste rekomandohet përdorimi i:
- Medikamenteve antialgjike (kundër dhimbjes)
- Medikamenteve parandaluese të trombozës (holluesit e gjakut)
Operacionet
Thyerjet e kyçit të këmbës, që përfshijnë këputjen e ligamentit kryesor ose paqëndrueshmërinë e kyçit, kanë nevojë për operacion. Për këtë qëllim, realizohet zëvendësimi i fragmenteve kockore të thyera me ndihmën e vidave dhe pllakave, duke i fiksuar në vendin e tyre origjinal. Ligamentet e këputura qepen. Pas operacionit, këmba duhet të vendoset në pozicion të palëvizshëm, përgjithësisht në allçi. Pas 8 javësh, ajo mund të lëvizë normalisht. Megjithatë, kjo varet nga tipi i thyerjes dhe tipi i operacionit. Pas operacionit, duhet të parandalohen trombozat, nëpërmjet medikamenteve që hollojnë gjakun.
Procedurat emergjente (ndihma e parë)
Masat e urgjencës (ndihma e parë)
Në çdo rast të dëmtimeve apo traumave gjatë praktikimit të sporteve të ndryshme, duhet të aplikohen sa më shpejt masat e mëposhtme:
- P-pushim, që nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit fizik (sportiv), për shkak të pamundësisë për të lëvizur automatikisht këmbën.
- A-akull, që nënkupton vendosjen e akullit në zonën e dëmtuar, por vetëm me kusht që të mos ketë plagë të hapur në të. Kujdes: akulli nuk duhet të vendoset direkt në lëkurë, sepse mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës prej të ftohtit.
- N-ngjeshja, që nënkupton vendosjen e fashove shtrënguese, që pengojnë enjtjen. Kujdes: zona e fashuar duhet të kontrollohet rregullisht, pasi mund të shfaqen probleme prej furnizimit të pamjaftueshëm me gjak të saj.
- N-ngritja, që nënkupton vendosjen e gjymtyrëve (krahëve, këmbëve) të dëmtuara në pozicion të ngritur, pasi ky pozicion favorizon furnizimin me gjak dhe rënien e enjtjes.
Thyerja e kyçit të këmbës mund të shkaktojë këto ndërlikime:
- Dëmtimet e nervave dhe të enëve të gjakut nga fragmentet kockore të thyera.
- Tromboza dhe embolia e mushkërive
- Paqëndrueshmëria e kyçeve, në rastin e menaxhimit jo korrekt të ligamenteve të këputura.
- Formimi i pseudo artrozave
- Inflamacioni i shpeshtë (sëmundja Sudek)
- Dëmtimet e lidhura me praninë e artrozave, kur sipërfaqet e kyçeve nuk korrespondojnë saktësisht me njëra-tjetrën.
- Operacioni mund të shkaktojë gjithashtu ndërlikime, si infeksionet dhe gjakrrjedhjet (hemorragjitë).