Ekzaminimi i fushës pamore (Perimetria)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekzaminimi i fushës pamore?
Ekzaminimi i fushës pamore, ose perimetria, është një ekzaminim i kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të fushës së pamjes, si dhe i ndjeshmërisë së funksionit pamor jashtë pikës së fiksimit. Fusha e pamjes përfshin zonën e shikimit që perceptohet kur sytë dhe koka janë të fiksuara, pra të palëvizshme. Një vlerësim i përafërt i fushës pamore realizohet me testin e krahasimit. Përcaktimi i saktë i fushës pamore realizohet nga perimetria nëpërmjet kompjuterit. Ky ekzaminim përdoret kryesisht për zbulimin e hershëm të glaukomës.
Ekzaminimi i fushës pamore i takon fushës së oftalmologjisë dhe neurologjisë.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara këtij ekzaminimi?
Ekzaminimi i fushës pamore mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Nuk nevojitet ndonjë sqarim i veçantë përpara ekzaminimit të fushës pamore.
Si realizohet ekzaminimi i fushës pamore?
Ekzaminimi i fushës pamore kryhet gjithmonë fillimisht vetëm në njërin sy, pastaj në tjetrin, pra asnjëherë në të dy sytë në të njëjtën kohë. Gjatë ekzaminimit syri tjetër mbulohet, që të mos ndikojë në ekzaminim.
Testi i krahasimit: Pacienti dhe ekzaminuesi ulen një metër larg njëri-tjetrit. Pacienti mbulon njërin sy dhe qëndron i palëvizur me syrin tjetër të pambuluar. Mjeku lëviz gishtin tregues, nga zona të ndryshme jashtë fushës pamore deri sa të arrijë ngadalë në fushën pamore të pacientit. Pacienti bën një shenjë sapo sheh gishtin. Kjo bën të mundur përcaktimin e mangësive në zonën e jashtme të fushës pamore.
Perimetria me anë të kompjuterit: Gjatë këtij ekzaminimi, në një ekran projektohen pika të ndritshme, dhe pacienti shtyp një buton sapo i dallon ato. Pikat e dritës ose emetohen nga jashtë (ekzaminimi i fushës pamore kinetike) ose ndizen direkt në vendet fikse të ekranit (ekzaminimi i fushës pamore statike). Kompjuteri vlerëson rezultatin, dhe në bazë të tij hartohet fusha pamore. Gjëja më e rëndësishme është që gjithmonë të përqendrohemi në pikën qendrore dhe të mos shikojmë pikat e tjera. Për të testuar ndjeshmërinë e pamjes në nivele të ndryshme, mund të përdoren intensitete dhe madhësi të ndryshme të dritës.
Në cilat raste është i nevojshëm ekzaminimi i fushës pamore?
Testi përdoret kryesisht për diagnostikimin e hershëm dhe kontrollin në vazhdim të glaukomës. Gjithashtu, ai mund të ndihmojë në zbulimin e sëmundjeve të caktuara neurologjike.
Shkaqet më të shpeshta për ekzaminimin e fushës pamore janë:
- Glaukoma
- Shkëputja e retinës
- Degjenerimi makular
- Goditja në tru
- Tumori i trurit
- Hemorragjia në tru, aneurizma në tru
- Marrja e lejes për drejtimin e automjetit
A paraqet ky ekzaminim rreziqe dhe/ose efekte të padëshiruara?
Ekzaminimi i fushës pamore është i padhimbshëm dhe nuk mbart asnjë rrezik për pacientin.