Orkiti (Inflamacioni i testit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Inflamacioni i testikulit shkaktohet përgjithësisht nga një infeksion bakterial ose infeksion viral. Shpesh orkiti shoqërohet më një infeksion tjetër, si parotiti dhe variçela. Shpesh, orkiti është pasojë e një epididimiti ose anasjelltas. Në këto raste bëhet fjalë për orki-epididimit.
Orkiti haset më shpesh tek meshkujt e rritur. Rrallë mund të haset para pubertetit.
Trajtimi i shpejtë dhe i përshtatshëm i orkitit bën të mundur shërimin e tij, pa lënë pasoja. Në raste më të rënda, dëmtimet e testeve mund të shkaktojnë sterilitet.
Orkitet shkaktohen shpesh nga infeksionet virale, rrallë nga infeksioniet bakteriale.
- Në raste të rralla, si shkak mund të shërbejë një sëmundje autoimune, veçanërisht tek meshkujt e moshuar.
- Orkiti mund të jetë pasojë edhe e një goditjeje ose një aksidenti.
Infeksionet virale që mund të shoqërohen nga një orkit:
- Parotiti: rreth një e katërta e meshkujve të rritur të prekur nga parotiti zhvillojnë orkit.
- Mononukleoza
- Variçela
- Sifilizi (sëmundje infektive seksualisht e transmetueshme)
Virusi përhapet nga vendi i infektimit parësor drejt testeve nëpërmjet gjakut.
Orkiti bakterial mund ta ketë origjinën nga një inflamacion i uretrës ose inflamacion i prostatës. Në raste më të rënda, bakteriet mund të vijnë në teste nëpërjet gjakut nga infeksione të tjera në organizëm, dhe të shkaktojnë aty infeksion purulent (me qelb).
Pacienti me orkit paraqet këto simptoma:
- Dhimbje të forta në testin e prekur
- Enjtje të testeve dhe epididimusit
- Ndjeshmëri e lartë e testit ndaj prekjes dhe shtypjes
- Skuqje dhe ndjenja e nxehtësisë në nivelin e skrotumit
- Shpesh, temperaturë tepër e lartë dhe dobësi e përgjithshme trupore

Diagnoza e orkitit bazohet në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit
- Palpacionin e testeve dhe epididimusit
- Matjen e temperaturës
- Analizat e gjakut (treguesit e inflamacionit)
- Analizën e urinës, për evidentimin e një infeksioni të mundshëm urinar.
- Egzaminimin ekografik, që lejon përjashtimin e sëmundjeve të tjera, si psh. përdredhja e testit (përdredhja e enëve të tij të gjakut).
- Ndërhyrjen kirurgjikale, në rast se është e nevojshme.

Rekomandohet regjimi absolut në shtrat, mbajtja e testeve në pozicion të palëvizshëm, me anën e mbathjeve të shtrënguara (që përdorin sportistët), dhe kompresave të ftohta.
Në pacientët me orkit mund të nevojiten:
- Antialgjikët dhe antiinflamatorët
- Në rastin e infeksionit viral, mund të trajtohen vetëm simptomat; gjatë infeksionit nga virusi i parotitit, përdorimi i interferonit ka rezultuar i dobishëm.
- Në rastin e infeksionit me natyrë bakteriale, rekomandohet përdorimi i antibiotikëve.
Në rastet e rënda, ku formohen abcese me qelb në nivelin e testeve, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
Në përgjithësi, orkiti i trajtuar në mënyrë korrekte shërohet pa lënë pasoja.
- Dëmtimi i testeve nga inflamacioni mund të shkaktojë atrofi të testit, që mund të çojë në sterilitet.
- Shpesh, orkiti shoqërohet me epididimit, duke dhënë orki-epididimitin.
- Orkiti mund të shkaktojë formimin e abcesit (shpesh pas një sifilizi). Në këtë rast është e paevitueshme ndërhyrja kirurgjikale, për të nxjerrë qelbin.

Përdorimi i prezervativit është mënyra e vetme e mbrojtjes kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.