Kultura e fytit (Kultura e faringut, Testi i zbulimit të shpejtë të streptokokut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është kultura e fytit?
Kultura e fytit shërben për të përcaktuar shkaktarin përgjegjës të infeksioneve të faringut, në mënyrë që të vendoset një trajtim i përshtatshëm. Për këtë qëllim, materiali që do të ekzaminohet merret në zonën e fytit me një shkop që ka pambuk në majën e tij (tamponi) dhe analizohet në laborator. Kultura e fytit përdoret veçanërisht për diagnozën e skarlatinës, difterisë ose tonsilitit. Përgjithësisht shërben për identifikimin e agjentëve të ndryshëm sëmundje-shkaktues (bakteret, viruset dhe kërpudhat) ose të ndryshimeve qelizore (qelizat e ndryshuara nga inflamacionet ose qelizat e kancerit).
Në prani të tonsilitit bakterial, ka rëndësi parësore indentifikimi i bakterieve, veçanërisht i streptokokut, për fillimin e terapisë specifike me antibiotikë. Në rast se nuk trajtohen me antibiotikun specifik, këto bakterie mund të shkaktojnë infeksione të rënda, që mund të lënë pasoja në zemër, në veshka dhe në kyçe. Në raste të dyshimta, realizohet një kulturë specifike e fytit, e quajtur testi i zbulimit të shpejtë të streptokokut, për ta identifikuar shpejt këtë bakter.
Kultura e fytit është një ekzaminim i fushës së Otorinolaringologjisë, Pediatrisë, si dhe i Sëmundjeve infektive dhe Mikrobiologjisë.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Nëse është e mundur, kultura e fytit duhet të kryhet para përdorimit të antibiotikëve. Veç këtij përjashtimi, shumica e rasteve nuk kërkojnë ndonjë masë paraprake.
Çfarë të sqarohet para marrjes së një kulture fyti?
Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm para këtij ekzaminimi.
Si merret kultura e fytit?
Pacienti hap gojën dhe nxjerr gjuhën, të cilën mjeku e ul pak dhe në zonën e inflamuar të fytit merr material me ndihmën e tamponit specifik. Meqenëse hapësira e gojës dhe faringu popullohen natyrshëm nga shumë mikrobe, materiali për ekzaminim duhet të merret specifikisht në vendin e infeksionit, p.sh. në tonsila (bajamet). Depozitat e ngjitura hiqen pas kryerjes së anestezisë lokale, duke përdorur një sprai të fytit dhe një pincë, dhe materiali merret nga mukoza e faringut të pastruar tashmë.
Mostra e materialit të fytit dërgohet në laborator në një enë transporti të mbyllur për analiza për mikrobet shkaktare. Testi i zbulimit të shpejtë të streptokokut kryhet drejtpërdrejt në dhomën e mjekut dhe siguron rezultatin brenda 5 minutave.
Kur nevojitet kultura e fytit?
Kultura e fytit kryhet për të përcaktuar mikrobin shkaktar specifik (bakteret, viruset, kërpudhat) në rastet me inflamacion të fytit.
Arsyet më të zakonshme për kryerjen e një kulture fyti janë:
- Angina, amigdaliti, tonsiliti
- Inflamacioni i fytit, faringiti
- Skarlatina
- Difteria
- Kolla e mirë
- Infeksionet mykotike
A paraqet kultura e fytit rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i sigurt. Kontakti i tamponit të pambukut me pjesën e pasme të fytit mund të shkaktojë një refleks të vjelli.