logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Osteodensitometria: ekzaminim mjekësor që mat densitetin kockor.
Osteodensitometria: ekzaminim mjekësor që mat densitetin kockor.

Çfarë është Osteodensitometria?

Osteodensitometria shërben për përcaktimin e densitetit kockor (përmbajtjes minerale të kockës) ose fortësisë së kockës, me ndihmën e një ekzaminimi radiografik të veçantë, që quhet DEXA.

Osteodensitometria është një ekzaminim që i takon fushës së Ortopedisë, por gjithashtu edhe Gjinekologjisë dhe Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara osteodensitometrisë?

Një osteodensitometri mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara kryerjes së osteodensitometrisë.

Si realizohet osteodensitometria?

Gjatë kryerjes së DEXA-s, realizohen dy radiografi të zonës lumbare (pjesa e belit) të shtyllës kurrizore dhe të femurit (kofshës) me një nivel të ndryshëm energjie. Ekzaminimi është i ngjashëm me një radiografi normale. Më pas, kompjuteri llogarit dendësinë e kockës mbi bazën e ndriçimit ose dobësimit të rrezeve, dhe rezultatet paraqiten gjithmonë me vlera krahasuese. Vlerat e matura krahasohen me vlerat mesatare të personave të rinj me kockë të shëndoshë ose me vlerat mesatare të personave të të njëjtës moshë.

Kur përdoret osteodensitometria?

Ky ekzaminim kryhet në rastet kur dyshohet për sëmundje që shkaktojnë humbje të densitetit kockor ose tek personat që paraqesin një shkallë të lartë rreziku për osteoporozë (humbje kockore), për diagnostikim dhe kontroll të trajtimit.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e osteodensitometrisë kockore janë:

  • Femrat në periudhën pas menopauzës, me rrezik të lartë për osteoporozë
  • Diagnoza dhe kontrolli i trajtimit të osteoporozës, humbja kockore
  • Meshkujt në rrezik për osteoporozë (alkoolistët, duhanpirësit e rëndë)
  • Trajtimi me kortizon për periudha të gjata kohore
  • Përcaktimi i diagnozës në rastet me dhimbje të kockave
  • Pas një frakture të kockave pa ndikimin e një force korresponduese (aksident), thyerjet spontane të kockave
  • Osteomalacia, mungesa e vitaminës D me pakësimin e indit kockor
  • Sëmundjet e trashëguara, me çrregullime të formimit të kockave, të tilla si osteogjeneza imperfecta.

A paraqet osteodensitometria rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim shoqërohet me një ekspozim të lehtë ndaj rrezatimit. Për këtë arsye, duhet të evitohet sa më shumë që të jetë e mundur tek femrat shtatzëna.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.