logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Mioma: Tumor beninj i indit muskular të mitrës.
Mioma: Tumor beninj i indit muskular të mitrës.

Mioma është një tumor beninj i indit muskular të mitrës. Ajo paraqitet në formën e një kokrre (formacioni, noduli) të vetme ose të disa kokrrave, me madhësi nga 1mm deri në më tepër se 20 cm. Miomat mund të zhvillohen në zona të ndryshme të murit të mitrës, rrallë në qafën e saj. Ato rriten ngadalë dhe zakonisht nuk shkaktojnë simptoma. Rreth 1/5 e femrave mbi 35 vjeç zhvillojnë mioma, ndërkohë që vetëm 25 % e miomave shkaktojnë shqetësime dhe kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Mioma e mitrës e merr origjininën nga qelizat e muskulit të mitrës që nuk shumëzohen në mënyrë normale, por përkundrazi, shumëfishohen me përmasa të mëdha dhe të pakontrollueshme.

Rritja e miomës varet drejtpërdrejt nga funksioni i vezoreve, pra ajo zhvillohet vetëm gjatë periudhës riprodhuese të jetës së femrës, kur prodhohet estrogjen nga vezoret. Kjo është arsyeja pse miomat nuk zhvillohen tek vajzat e vogla, që nuk kanë ende menstruacione. Gjithashtu, për këtë arsye gratë në periudhën e menopauzës nuk zhvillojnë më mioma, edhe nëse kanë zhvilluar deri para kësaj periudhe.

Shkaqe të tjera të zhvillimit të miomës konsiderohen:

  • Çrregullimet hormonale, që konsistojnë në rritjen e nivelit në gjak të estrogjenit (hormon që prodhohet në vezore)
  • Trashëgimia familjare, që konsiderohet si një shkak i mundshëm i zhvillimit të tyre.
  • Faktorët e jashtëm, siç është rrezatimi radioaktiv, duket se gjithashtu ndikojnë në shfaqjen e miomave.

 

Mioma: gjakderdhje dhe dhimbje në një fazë të mëvonshme.
Mioma: gjakderdhje dhe dhimbje në një fazë të mëvonshme.

Simptomat klinike të një miome janë të ndryshme, në varësi të stadit të zhvillimit të saj. Kështu, në stadet fillestare ajo, përgjithësisht, nuk jep shqetësime, pra pacientja nuk paraqet simptoma. Me kalimin e kohës, nëse rritja e saj vazhdon, mund të shfaqen:

  • Çrregullime të menstruacioneve, që janë pasojë e trashjes së mukozës (shtresës së brendshme) të mitrës, çrregullimeve të lidhura me tkurrjen e mitrës (prej masës së pranishme në murin e saj), si dhe prej çrregullimeve të proçesit të mpiksjes së gjakut. Pikërisht për këto arsye menstruacionet fillojnë të jenë të çrregullta, të zgjatura në ditë dhe të bollshme nga sasia e gjakderdhjes.
  • Në fillim të menopauzës, rritja e miomës mund të ndodhë për shkak të rritjes së prodhimit të estrogjeneve, që reflektohet me menstruacione të çrregullta, të bollshme dhe të trasha.
  • Dhimbje të forta në bark, të tipit tkurrës (kontraksione)
  • Miomat që zhvillohen në zgavrën e peritoneumit (cipës që mbështjell organet e barkut) janë përgjithësisht pa simptoma.
  • Në stadin kur mioma rritet dhe, për shkak të madhësisë së saj përhapet në organet e afërta, mund të shkaktojë dhimbje të forta të menjëhershme (kolika). Në këtë situatë ajo mund të ushtrojë efekt shtypës mbi organet e afërta si fshikëza e urinës dhe rektumi (pjesa fundore e zorrës së trashë). Kjo reflektohet me çrregullime të urinimit (të tipit të urinimit të detyrueshëm, pra paaftësi për të mbajtur urinën) dhe kapsllëk. Nëse mioma rritet drejt zonës së belit, mund të provokojë dhimbje të shpinës.
Mioma: ekzaminimi me ultratinguj.
Mioma: ekzaminimi me ultratinguj.

Për shkak të mungesës së simptomave në stadet e para të saj, mioma mund të diagnostikohet rastësisht, gjatë një egzaminimi gjinekologjik të rutinës. Është mjaft e rëndësishme që çdo femër që ka të pranishme simptomat e mësipërme të kryejë sa më parë një konsultë me mjekun specialist obstetër-gjinekolog, e cila duhet të konsistojë në:

  • Njohjen e mjekut me simptomat e pacientes dhe historinë e fillimit të tyre.
  • Egzaminimin ekografik, për të evidentuar miomën dhe lokalizuar vendndodhjen e saj në mitër, si dhe për të përjashtuar praninë e tumoreve të tjera, polipeve të mitrës apo keqformimeve të saj.
  • Përjashtimi i mundësisë së një shtatzanie ose tumori malinj, nëpërmjet vlerësimit të materialit të marrë nga indet.
Mioma: në varësi të madhësisë së miomës, heqja e mitrës.
Mioma: në varësi të madhësisë së miomës, heqja e mitrës.

Përgjithësisht, miomat që nuk shkaktojnë shqetësime (simptoma) nuk kanë nevojë për trajtim. Gjithsesi, në çdo rast, trajtimi i miomës së mitrës varet nga shkalla e zhvillimit, madhësia dhe vendi i lokalizimit të saj në mitër. Në varësi të këtyre faktorëve, mënyrat e trajtimit janë:

  • Medikamentoze, që nënkupton përdorimin e preparateve hormonale që përmbajnë progesteron (hormon femëror). Në disa raste ky trajtim është tepër efikas, sepse çon në zvogëlimin e miomës. Trajtimi hormonal i kombinuar (progesteron me estrogjen) mund të jetë i dobishëm jo vetëm për zvogëlimin e saj, por edhe për përgatitjen për ndërhyrjen kirurgjikale të mëpasme.
  • Trajtimi hormonal specifik, me preparate të ngjashme me GnRH (faktori çlirues i gonadotropinave hipofizare), që është një hormon i prodhuar në tru, që ka për funksion të nxisë prodhimin e dy hormoneve që komandojnë vezoret (FSH dhe LH).
  • Heqja e miomës me rrugë kirurgjikale, me prerje të jashtme në bark, mbi nivelin e vaginës ose me laparoskopi (teknikë moderne kirurgjikale, që konsiston në prerje të vogla në bark), që mundëson edhe eksplorimin e barkut.
  • Heqja e të gjithë mitrës (histerektomia) nga vagina ose nëpërmjet laparotomisë (operacionit me prerje nga barku). Mioma e mitrës përfaqëson shkakun më të shpeshtë të heqjes së mitrës në ditët e sotme.
  • Kryerja e embolizimit (bllokimit të enëve të gjakut që ushqejnë miomën) nën efektin e mpirjes lokale, që mundëson tkurrjen e miomës.

Rreth një e treta e miomave të mitrës shkaktojnë ndërlikime, që mund të jenë të rënda. Si të tilla mund të përmenden: infertiliteti (paaftësia për të lindur fëmijë) dhe ndërprerjet e përsëritura të shtatzanive (abortet e përsëritura).

Në raste tepër të rralla, në rreth 0,1% të miomave, mund të ndodhë shndërrimi i tyre në kancer të mitrës. Gjithsesi, prania e miomës ose prania e simptomave të saj përbëjnë një arsye të fortë për t’u konsultuar në mënyrë të rregullt me mjekun obstetër-gjinekolog.

Nëse mioma e mitrës është e pranishme gjatë shtatzanisë, ajo rritet shpejt dhe mund të shkaktojë ndërprerje spontane të shtatzanisë (abort spontan).

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.