logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Autizmi: sëmundje kronike me izolim nga bota e jashtme.
Autizmi: sëmundje kronike me izolim nga bota e jashtme.

Autizmi përfaqëson një çrregullim të rëndësishëm të zhvillimit të fëmijës, që manifestohet me izolimin e tij nga bota e jashtme dhe nga një mungesë e interesit për kontakte shoqërore. Termi autizëm vjen nga greqishtja, dhe shpreh fenomenin e tërheqjes së personit në botën e tij të brendshme. 

Problemi më i rëndësishëm i fëmijëve autikë është mungesa e interesit për të komunikuar me të tjerët. Kjo reflektohet në vështirësinë e madhe që hasin prindërit e tyre për të vendosur një mënyrë kontakti me fëmijën autik. Sipas shkallës së rëndesës, dallohen tre forma të autizmit, ku format më të përhapura  janë sindroma Kaner dhe sindroma Asperger.
 
Autizmi është një fenomen që haset më tepër tek meshkujt, dhe shfaqet përgjithësisht para vitit të tretë të jetës.

Sipas njohurive të deritanishme mbi autizmin, në shfaqjen e tij luajnë rol favorizues faktorë të ndryshëm, si:

Është më se e qartë që autizmi nuk është pasojë e edukimit jo të mirë të fëmijëve nga ana e prindërve dhe kujdestarëve, dhe as i konflikteve në familje.

Autizmi manifestohet me çrregullime të sjelljes, që ndahen në tre kategori:

  1. Kufizimi i komunikimit, si nëpërmjet të folurës, ashtu edhe në nivele të tjera.
    Autistët mund të arrijnë tepër rrallë të hyjnë në kontakt me njerëz të tjerë, me sy apo nëpërmjet buzëqeshjes. Ata shpesh refuzojnë përpjekjet e personave të tjerë për t’i afruar. Kështu p.sh: fëmijët autikë kundërshtojnë kur dikush dëshiron t’i përqafojë. Veçoritë e gjuhës vërehen shpesh kur personat me autizëm flasin: intonacioni i tyre është i pazakontë, ndryshojnë shpesh vijën melodike dhe tonin e zërit, si dhe shpejtësinë e të folurës. Shpesh, përsërisin fjalë ose fraza, disa prej të cilave i kanë shpikur vetë.
  2. Mungesa e interesit për kontakt me persona të tjerë
    Shpesh, personat autikë injorojnë personat përreth dhe ndjenjat e të tjerëve. Kështu p.sh: një fëmijë autik nuk reagon ndaj hidhërimit të nënës së tij, ose nuk shpreh keqardhje për të. Gjithashtu, kur dikush e përshëndet me dorë për t’i thënë "mirupafshim", ai nuk i përgjigjet këtij gjesti. Është tepër e vështirë për një fëmijë autik të krijojë marrëdhënie me të tjerët. Shumë rrallë mund të ndodhë që ai të pranojë përfshirjen e fëmijëve të tjerë në lojërat e tij.
  3. Interesat dhe aktivitetet e kufizuara
    Shumë fëmijë autikë nuk i përballojnë ngacmimet pamore ose dëgjimore. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë botën reale dhe të komunikojnë me të, duke favorizuar izolimin në botën  e tyre. Autikët përpiqen të ruajnë të pandryshueshme atë që ata bëjnë, zakonet dhe mjedisin e tyre. Për këtë arsye, ata irritohen nëse dikush tenton t’i ndryshojë këto zakone ose p.sh. të ndërrojë mobiljet apo mënyrën e vendosjes së tyre. Ata përsërisin shpesh disa lëvizje të trupit, veçanërisht gjestet me duar. Në përgjithësi, fushat e interesit të tyre janë të kufizuara, por shpesh tërhiqen nga objekte mekanike të veçanta, si makina larëse.
Autizmi: origjina kryesisht në fëmijëri, shpesh diagnostikohet para moshës 3 vjeç.
Autizmi: origjina kryesisht në fëmijëri, shpesh diagnostikohet para moshës 3 vjeç.

Për të diagnostikuar një fëmijë me autizëm, fillimisht duhet të identifikohet natyra dhe shtrirja e problemeve që ai paraqet. Për këtë qëllim, mjekut i shërben informacioni i përftuar nga prindërit, lidhur me çrregullimet e konstatuara në sjelljen e fëmijës dhe nga ana tjetër, vëzhgimi i fëmijës në situata të ndryshme të lojës. Kjo realizohet me plotësimin e pyetësorëve standartë dhe shkallëve specifike të vëzhgimit të fëmijës.

Autizmi: promovimi i aftësive shoqërore për të pakësuar izolimin.
Autizmi: promovimi i aftësive shoqërore për të pakësuar izolimin.

Objektivi kryesor i trajtimit të autizmit është përmirësimi dhe zhvillimi i aftësive komunikuese dhe shoqërore të fëmijës.

Për këtë qëllim, duhet filluar sa më shpejt që të jetë e mundur terapia e sjelljes, specifike për autizmin. Kjo terapi konsiston në identifikimin e defiçiteve të fëmijës dhe përmirësimit të tyre nëpërmjet ushtrimeve specifike.

Është tepër e rëndësishme që në këtë terapi të përfshihen prindërit dhe kujdestarët e fëmijës, në mënyrë që të mund t’i vazhdojnë ushtrimet edhe në shtëpi. Në rastin e çrregullimeve të të folurit, rekomandohen ushtrime me kontakt të drejtpërdrejtë, që të nxisin këtë proçes. 

Në të tilla raste mund të jenë të dobishme edhe mënyra të tjera të trajtimit, si terapia me muzikë, terapia me lëvizje ose terapia me praninë e kafshëve.

Autizmi është një sëmundje kronike (e përhershme). Manifestimet e tij  pakësohen dhe lehtësohen në moshën e rritur, por zhdukja e tyre është e pamundur. Në disa raste, personat me autizëm mund të bëjnë një jetë relativisht normale. Në përgjithësi, këta persona qëndrojnë tepër të izoluar dhe kanë nevojë për një tolerancë të madhe nga të afërmit dhe miqtë e tyre.

Në rast se shfaqen probleme të tjera psiqike, ndjekja e këtij kontigjenti fëmijësh duhet të kryhet në institucione të specializuara, që mund të nevojiten edhe në moshën e rritur.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.