Fimoza
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Fimoza përfaqëson një ngushtim të unazës së lafshës së penisit (lëkurës që mbulon kokën e penisit) që pengon zbulimin e kokës së penisit (organit të jashtëm mashkullor).
Njihen dy forma të fimozës: forma e plotë dhe ajo e pjesshme.
- Në rastin e fimozës së plotë, zbulimi i kokës së penisit është i pamundur, madje edhe në mungesë të ereksionit.
- Në rastin e fimozës së pjesshme, zbulimi i kokës së penisit është i mundur në prani të një ereksioni.
Shkaqet e fimozës janë:
- Të lindura (fimoza kongenitale)
- Skleroza që ndodh pas traumatizimeve lokale
- Dytësore, si pasojë e infeksioneve.
Një mashkull me fimozë paraqet:
- Çurg urinar të hollë
- Skuqje dhe enjtje të penisit (organit të jashtëm mashkullor)
- Dhimbje gjatë urinimit


Trajtimi i fimozës varet drejtpërdrejt nga mosha e pacientit në momentin e diagnostikimit.
Nëse fimoza konstatohet gjatë viteve të para të jetës, trajtimi nevojitet vetëm kur pengohet urinimi.
Në të gjitha rastet e tjera, mjeku kryen një prerje të unazës së lafshës vetëm kur fëmija arrin moshën 4-5 vjeç.
Në këtë stad, janë të mundshme dy mënyra të trajtimit kirurgjikal:
- Mënyra e parë konsiston në rindërtimin e lafshës së kokës së penisit, ku gjatë ndërhyrjes hiqet vetëm unaza e lafshës. Përparësia e madhe e kësaj metode qëndron në faktin që ruhet lafsha e paprekur.
- Mënyra e dytë konsiston në heqjen e plotë të lafshës, me ekspozimin e plotë të kokës së penisit. Kjo proçedurë përdoret shpesh për qëllime fetare (syneti).
Tek fëmijët me moshë nën 3 vjeç, fimoza është praktikisht fiziologjike (normale). Për këtë arsye, në këto raste nuk është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
Në rastin e fimozës, duhet të evitohet gjithmonë zbulimi i dhunshëm, pra me forcë i kokës së penisit (organit të jashtëm mashkullor), pasi në këtë rast mund të shfaqet parafimoza. Kjo e fundit shkakton enjtje të kokës së penisit dhe ngjyrosje në blu të saj. Parafimoza përfaqëson një situatë të rëndë mjekësore, që ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme.