Strisho (Strisho citologjike, Strisho e grykës, Strisho e plagëve)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është strisho?
Me strisho nënkuptojmë marrjen e materialit qelizor nga lëkura, mukozat apo sekrecionet, për t’u ekzaminuar më pas në laborator. Shpesh ky ekzaminim kryhet në rastet e infeksioneve të plagëve, për të verifikuar tipin e bakterit shkaktar. Ekzaminim tepër i rëndësishëm i kontrolleve gjinekologjike tek gratë është edhe strisho citologjike që kryhet me marrjen e materialit qelizor nga mukoza e qafës së mitrës "PAP testi", me qëllim identifikimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Shumë gra i nënshtrohen shpesh edhe strishos vaginale ku merret materiali qelizor nga sekrecionet vaginale në rast dyshimi për një infeksion të mundshëm mykotik. Mund të realizohen strisho të llojeve të ndryshme, me marrjen e materialit qelizor nga mukoza të ndryshme si ajo e gojës, hundës, syve, vaginës, uretrës dhe anusit.
Strisho është një ekzaminim i rëndësishëm i shërbimit të mjekësisë së përgjithshme, gjinekologjisë, dermatologjisë, kirurgjisë, otorinolaringologjisë, okulistikës, mikrobiologjisë, infektivit dhe mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Një strisho mund të kryhet edhe pa përgatitje paraprake. Nëse është e mundur, materiali duhet të merret para përdorimit të antiseptikëve (dezinfektuesve) ose antibiotikëve.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për shpjegim të veçantë para marrjes së strishos.
Si pregatitet strisho?
Marrja e materialit qelizor ose sekrecioneve nga sipërfaqja e lëkurës apo mukoza, kryhet me anën e një tamponi ose një furçe të vogël. Më pas ai dërgohet në laborator, ku materiali i strishos vëzhgohet menjëhere nën mikroskop. Aty ngjyroset me ngjyrues specifikë, për të identifikuar patogjenin apo ndryshimet qelizore patologjike (prekanceroze, kanceroze). Në rastin e një strishoje ku dyshohet për infeksion nga bakteret apo myku, materiali qelizor i marrë vendoset në inkubim në agar (terren kultivues për bakterin), në mënyrë që të përftohet rritja e bakterit apo mykut. Rritja dhe kolonizimi i baktereve shihet me mikroskop. Mund të përdoren edhe metoda të tjera laboratorike për identifikimin e tyre. Për të studiuar ndjeshmërinë e baktereve apo rezistencën e tyre ndaj antibiotikëve, kryhet antibiograma.
Kur këshillohet kryerja e strishos?
Strisho nevojitet për të konfirmuar praninë e patogjenit shkaktar të infeksionit në lëkurë apo për depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës (PAP-testi).
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e një ekzaminimi të tillë janë:
- Infeksionet: për të identifikuar patogjenin (bakterin, mykun apo virusin)
- Ndryshimet patologjike qelizore të lëkurës apo mukozës
- Depistimi i hershëm i kancerit (të qafës së mitrës, gojës)
A paraqet strisho rreziqe apo efekte të dëmshme?
Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe pa rreziqe. Kryerja e strishos gjinekologjike (PAP-testi) mund të shoqërohet me një hemorragji të vogël, por që është krejtësisht e padëmshme dhe zhduket brenda pak ditëve.