Pitiriazis (verzikolor dhe alba)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pitiriazis është një mykozë tepër e përhapur, që prek lëkurën e kokës dhe shkaktohet nga myku Pityrosporum oval. Ky myk është i pranishëm mbi lëkurën e kokës së shumë personave të rritur.
Tek personat që djersijnë shumë dhe që janë tepër leshatorë, myku mund të përhapet në zona të tjera të trupit, kryesisht në pjesët e sipërme të trungut si shpatullat, qafa, kraharori dhe shpina.
Sëmundja është e shpeshtë gjatë stinës së verës dhe në klimë të lagësht. Në Evropë, ajo prek rreth 1-5% të popullatës.
Ndër shkaqet e pitiriazis verzikolor përmendim:
- Produktet e kujdesit trupor që përmbajnë acide yndyrore (si kremrat e diellit), që krijojnë terren të favorshëm për mykun.
- Prodhimi në sasi të egzagjeruar i sebumit (lëndë e yndyrshme) nga gjendrat dhjamore.
- Klima e nxehtë
- Lagështira e rëndësishme në ajër.
- Përdorimi për periudha të gjata i kremërave ose pomadave që përmbajnë kortizon.
- Përdorimi i medikamenteve që ndikojnë mbi sistemin imunitar.
Në ratin e pitiriazis, në lëkurë shfaqen fillimisht njolla të vogla me ngjyrë të bardhë ose kafe në të kuqërremtë, që zmadhohen gradualisht. Përgjithësisht, sipërfaqja e tyre është e butë, por ndonjëherë mund të formohen luspa në formën e kokrrave të grurit. Për këtë arsye sëmundja është emërtuar pitiriazis = krunde gruri.
Njollat e errëta emërtohen pitiriazis verzikolor dhe gjenden vetëm tek personat me lëkurë të bardhë. Përkundrazi, tek personat me lëkurë të errët, njollat janë të bardha dhe emërtohen pitiriazis alba (e bardhë).

Diagnoza e pitiriazis vendoset nga mjeku specialist dermatolog, duke u bazuar në:
- Egzaminimin e zonave ku janë shfaqur elementët në lëkurë, me vlerësimin e madhësisë, formës, ngjyrës dhe relievit të sipërfaqes së tyre.
- Egzaminimin mikroskopik të materialit të marrë nga elementet e lëkurës.

Tek disa persona, Pityrosporum oval infekton rrënjët e qimeve në nivelin e kraharorit dhe të shpinës. Në këto raste, manifestimet në lëkurë janë tepër të ngjashme me aknenë. Kjo formë e sëmundjes quhet folikulit nga pityrosporum dhe prek kryesisht femrat ndërmjet 30-40 vjeç.
Në rastin e infeksioneve nga pityrosporum oval, mundësia që infeksioni të përsëritet është e lartë. Pas trajtimit të shenjave të para të pitiriazis, myku zhduket shumë shpejt. Gjithsesi, njollat e bardha vazhdojnë për disa muaj dhe zhduken vetëm kur epiderma (shtresa më e sipërme e lëkurës) të jetë rigjeneruar plotësisht.
Për të parandaluar shfaqjen e pitiriazis, është e këshillueshme:
- Të mos përdoren kremra mbrojtës kundër diellit, që përmbajnë acide yndyrore.
- Të evitohet klima e nxehtë dhe ajo e ftohtë
- Të thahet mirë lëkura e kokës dhe të mbahet e thatë.