Otoskopia (Ekzaminimi i veshit, Ekzaminimi otoskopik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është otoskopia?
Otoskopia, ose ekzaminimi otoskopik është një ekzaminim i veshëve, më saktë i kanalit të jashtëm të dëgjimit dhe daulles së veshit. Në të kaluarën, për realizimin e otoskopisë përdorej një otoskop i thjeshtë, i përbërë nga një dorezë, një burim drite dhe gyp me një xham zmadhues të integruar. Aktualisht, otoskopia realizohet pothuajse gjithmonë me një mikroskop modern për veshët ose një otoskop me video dixhitale. Gjithsesi, otoskopi klasik përdoret ende për fëmijët dhe për vizitat në kushtet e shtëpisë. Otoskopia praktikohet kryesisht për sëmundjet e veshëve, si otitet, infeksionet e veshit, humbjen e dëgjimit ose tringëllimën në vesh (tinitus).
Otoskopia është një ekzaminim i Otorinolaringologjisë, i praktikuar në Mjekësinë e përgjithshme dhe në Pediatri.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara otoskopisë?
Otoskopia kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara kryerjes së otoskopisë.
Si realizohet otoskopia?
Mjeku tërheq me kujdes veshin lart dhe prapa, për të mundësuar një pamje të drejtpërdrejtë në kanalin e dëgjimit, që është natyralisht i lakuar. Pastaj në kanalin e dëgjimit futet me kujdes gypi i otoskopit ose i mikroskopit të veshit. Sipas madhësisë së kanalit të dëgjimit, janë të disponueshme edhe gypa të madhësive të ndryshme. Për çdo vesh përdoret një gyp i veçantë, në mënyrë që asnjë mikrob të mos transportohet nga një vesh tek tjetri. Gypat e përdorur ose eleminohen, ose pastrohen pas otoskopisë. Gjatë otoskopisë mund të kryhen edhe proçedura të tjera, si marrja e materialit, trajtimi lokal i inflamacioneve, si dhe eleminimi i dyllit ose i trupave të huaj.
Kur përdoret otoskopia?
Otoskopia përdoret për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e ecurisë së sëmundjeve të kanalit të jashtëm të dëgjimit, daulles së veshit ose veshit të mesëm.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e otoskopisë janë:
- Otitet
- Zhurma në veshë
- Humbja e dëgjimit ose dëmtimi i dëgjimit: humbja e dëgjimit, shurdhimi i papritur
- Otiti i mesëm
- Inflamacioni i kanalit të jashtëm të dëgjimit, otiti ekstern
- Dëmtimet e daulles së veshit
- Shpimi i daulles së veshit
- Dylli
- Trupat e huaj në vesh
- Abcesi
- Keqformimet
A paraqet otoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Në parim, ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Gjithsesi, në rastet e inflamacioneve, otoskopia mund të jetë e parehatshme, madje e dhimbshme, veçanërisht për fëmijët. Dëmtimet e kanalit të dëgjimit ose të daulles së veshit janë shumë të rralla.