logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Gonioskopia: ekzaminimi i këndit irido-korneal.
Gonioskopia: ekzaminimi i këndit irido-korneal.

Çfarë është gonioskopia?

Gonioskopia është një ekzaminim i këndit irido-korneal të syrit që realizohet duke përdorur një lente të veçantë. Këndi irido-korneal është thelbësor për rrjedhjen e lëngut ujor. Kur rrjedhja e tij çrregullohet nga një kënd irido-korneal shumë i ngushtë ose i mbyllur, mund të shpërthejë një krizë akute e glaukomës. Së bashku me tonometrinë (matjen e presionit brenda syrit), gonioskopia është ekzaminimi kryesor për zbulimin e hershëm të glaukomës.

Gonioskopia është një ekzaminim i oftalmologjisë.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Gonioskopia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Gonioskopia nuk kërkon ndonjë sqarim të veçantë paraprak.

Si kryhet gonioskopia?

Si fillim, mpihet sipërfaqja e syrit duke hedhur pika të posaçme në të. Pastaj, mbi sy vendoset një lente kontakti që lejon vëzhgimin e këndit irido-korneal me anë të një llampe të posaçme (biomikroskopi i oftalmologut). Në këtë mënyrë mund të përcaktohet nëse këndi irido-korneal është i hapur, i ngushtë ose i mbyllur.

Kur përdoret gonioskopia?

Gonioskopia përdoret për diagnostikimin dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve në zonën e këndit irido-korneal, kryesisht për zbulimin e hershëm të glaukomës.

Arsyet më të shpeshta për kryrjen e gonioskopisë janë:

  • Glaukoma
  • Sëmundjet në këndin irido-korneal: tumoret, kistet
  • Traumat e syrit, trupat e huaj në të
  • Inflamacionet serioze në sy: uveiti
  • Periudha para dhe pas operacionit të syve
  • Keqformimet e lindura të syrit

A paraqet gonioskopia rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe i sigurt. Pikat që hidhen në sy për mpirje lokale mund të shkaktojnë pak djegie, që kalon shpejt.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.