logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ekzaminimi i feçeve: një mostër e jashtëqitjes, sa më e freskët që të jetë e mundur, ekzaminohet në laborator.
Ekzaminimi i feçeve: një mostër e jashtëqitjes, sa më e freskët që të jetë e mundur, ekzaminohet në laborator.

Çfarë është analiza e feçeve?

Analiza e feçeve përfaqëson ekzaminimin e mostrës (kampionit) më të fundit të feçeve (materialeve të jashtëqitura) në kushte laboratorike. Ndryshimet në cilësinë e feçeve (pamja, qëndrueshmëria, pesha, aroma) dhe përbërjen e tyre sigurojnë informacion thelbësor mbi praninë e sëmundjeve të aparatit të tretjes. Feçet mund të analizohen në veçanti për mikrobe të ndryshme që shkaktojnë sëmundje (bakteret, kërpudhat, parazitët) ose gjakun e padukshëm (testi i gjakut okult në feçe). Një analizë e feçes që vlerëson përmbajtjen e yndyrës, mbetjet e tretjes dhe enzimat ndihmuese të tretjes, mund të zbulojë sëmundje të pankreasit, mëlçisë dhe rrugëve të tëmthit. Testi i gjakut okult në feçe shërben për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës.

Analiza e feçeve është një ekzaminim i fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë për analizën e feçeve?

Analiza e feçeve mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.

Çfarë duhet të sqarohet përpara analizës së feçeve?

Nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim i veçantë përpara këtij ekzaminimi.

Si realizohet analiza e feçeve?

Mostra e feçeve merret nga vetë pacienti nga jashtëqitjet që eleminon normalisht. Për këtë qëllim, mjeku i jep një kuti mbajtëse sterile për vendosjen e feçeve, e cila përmban një tub për të mbajtur feçen, një lugë dhe një kapak. Feçet nuk duhet të bien në kontakt me urinën ose me ujin e shpëlarjes. Për këtë, gjëja më e mirë është që defekimi (jashtëqitja) të bëhet në një "mbajtës të feçeve", të cilin e merrni edhe në kabinetin e mjekut. Si një alternativë, mund të vendosni disa shtresa letre higjienike në pjesën e brendshmë (gropën) të ËC-së. Gjithashtu, mund të vendosni shumë shtresa letre higjienike në të gjithë gropën e ËC-së dhe ta bllokoni atë. Në këtë mënyrë feçet bien në këtë zonë dhe me lugën sterile për feçet mbushet tubi deri në 3/4 e tij, sa më shumë të jetë e mundur, me një mostër të vazhdueshme feçeje. Është e domosdoshme të mos i lëvizni feçet gjatë transportit, për të parandaluar hyrjen e oksigjenit, përndryshe disa lloje bakteresh në feçe nuk do të mbijetonin. Pasi mbyllet me kapak, mbajtësja e feçeve dorëzohet në kabinetin e mjekut ose në laborator, për t’u analizuar më pas në kushte laboratorike.

Kur përdoret analiza e feçeve?

Analiza e feçeve përdoret kryesisht për të diagnostikuar sëmundjet e organeve të tretjes dhe për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës.

Arsyet e shpeshta për analizën e feçeve janë:

  • Testi i gjakut okult në feçe, për zbulimin e gjakut të fshehur (të padukshëm) në feçe: polipet e zorrës, divertikujt e zorrës, kanceri i zorrës.
  • Sëmundjet diarreike të shkaktuara nga bakteret, viruset, kërpudhat ose parazitët, krimbat (cestodes).
  • Inflamacioni i stomakut dhe i zorrëve: zorra e irrituar, sëmundja e Crohn, koliti ulçeroz.
  • Çrregullimet e tretjes, çrregullimet e metabolizmit (dëmtimi i funksionit të pankreasit, çrregullimet e rrjedhjes së tëmthit (ikteri nga pengesa në rrugët e tëmthit), mbetjet ushqimore, përmbajtja e yndyrës.
  • Sëmundjet e mëlçisë, fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit.
  • Sëmundjet alergjike: problemet me tretjen, intolerancat ushqimore, sëmundja celiake.
  • Çrregullimet e tretjes: diarrea, kapsllëku, fryrja e barkut, jashtëqitjet jo të rregullta.

A paraqet ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara analiza e feçeve?

Mostra e feçeve merret nga feçet e eleminuara normalisht gjatë jashtëqitjes së fundit. Prandaj ky ekzaminim nuk paraqet asnjë rrezik apo efekt të dëmshëm.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...