Kisti i gropës pas gjurit (Kisti i Baker, Kisti popliteal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kisti i Baker është një xhep i vogël i mbushur me likid, i vendosur ne gropën që gjendet pas gjurit. Ai mban emrin e kirurgut që e përshkroi për herë të parë (William Baker) dhe përfaqëson një shenjë jo të drejtpërdrejtë të dëmtimit të kyçit të gjurit.
Dëmtimi i gjurit, që mund të jetë pasojë e shumë faktorëve, provokon një mbiprodhim të likidit në kyç. Duke u përpjekur të vajoset mirë, kyçi prodhon shumë likid. Kjo shkakton rritjen e presionit brenda tij dhe lëshimin e indit lidhor që gjendet përreth, duke çuar në formimin e një xhepi të vogël të mbushur me likid.
Karakteristike e kistit të Baker është fakti që ai formohet në nivelin e zonës më të brishtë të kapsulës së kyçit, përgjithësisht në nivelin e gropës pas gjurit.
Shenjat kryesore të kistit të Baker janë: dhimbjet sa herë që lëvizet kyçi i gjurit, enjtje në nivelin e tij dhe të muskujve të kofshës.
Kisti i Baker është përgjithësisht beninj (i parrezikshëm). Megjithatë, çdo enjtje e kyçit të gjurit duhet të konsultohet nga mjeku, me qëllim që të përjashtohet një tumor malinj (kancer) i tij.
Kistet e Baker shfaqen kryesisht tek personat e moshuar, ndërkohë që fëmijët preken më rrallë prej tij.

Shkalla e rëndesës së simptomave të kistit të Baker varet nga madhësia e kistit dhe sasia e likidit që gjendet brenda tij. Këto simptoma janë:
- Dhimbjet e shpeshta në zonën e gjurit dhe të kofshës
- Ndjesia e shtypjes (tensionit) në nivelin e kyçit të gjurit
- Enjtje në kyçin e gjurit pas një sforcimi, që zhduket në gjendjen e qetësisë.
Kur kisti ka arritur një madhësi të caktuar, enjtja është e vazhdueshme dhe simptomat janë të pranishme edhe në qetësi.

Diagnoza e kistit të Baker bazohet në:
- Simptomat e pacientit, që përgjithësisht mjaftojnë për vendosjen e diagnozës.
- Ekzaminimin trupor të pacientit: kisti është i dukshëm dhe i prekshëm në zonën e gropës pas gjurit.
- Ekzaminimin ekografik, që mundëson lokalizimin e saktë të kistit dhe përcakton madhësinë e tij.
- Ekzaminimin radiografik, që tregon dëmtimet e kyçit të gjurit.
- Rezonancën magnetike, që është e nevojshme të kryhet vetëm në rastet me hemorragji dhe këputje të indeve, që e bëjnë të pamundur egzaminimin ekografik. Kjo proçedurë jep informacion mbi shkaqet e mundshme të kistit.
- Analizat laboratorike, me matjen e treguesve të inflamacionit dhe faktorët reumatizmalë.

Trajtimi i kistit të Baker varet nga tipi i dëmtimit të kyçit të gjurit. Ai konsiston në aplikimin e disa masave të përgjithshme, përdorimin e medikamenteve, punksionin (zbrazjen) e kistit, ndërhyrjen kirurgjikale dhe artroskopinë (skopinë e kyçit).
Masat e përgjithshme
Medikamentet
Në këto raste rekomandohet përdorimi i medikamenteve qetësuese të dhimbjeve (antialgjikët), antiinflamatorëve (që luftojnë inflamacionin) dhe antireumatizmalëve (kundër proçesit reumatizmal). Ata duhet të përdoren në mënyrë tepër të kujdesshme, pasi përdorimi për kohë të gjatë i tyre mund të shkaktojë dëmtime të mukozës së stomakut. Frenuesit COX-2 janë medikamente të reja, që shkaktojnë më pak efekte të padëshiruara, duke qenë njëlloj efikasë.
Operacionet
Punksioni (zbrazja e kistit)
Bëhet fjalë për thithjen e përmbajtjes së kistit me ndihmën e një shiringe. Kjo proçedurë mund të shoqërohet edhe nga injektimi lokal i kortizonit, që lufton inflamacionin. Kjo mënyrë trajtimi nuk e heq kistin, por i qetëson simptomat e tij për një kohë të gjatë. Për shkak të efekteve të padëshiruara, injektimi i kortizonit nuk duhet të kryhet më shpesh se 2-3 herë në vit.
Ndërhyrja kirurgjikale
Nëse brenda disa muajve nuk konstatohet asnjë përmirësim i simptomave, kryhet ndërhyrja kirurgjikale, që konsiston në heqjen e të gjithë kistit dhe të indeve përreth që e lidhin atë me kyçin. Kisti i hequr duhet të analizohet, për të përjashtuar ose konfirmuar praninë e qelizave kanceroze në të.
Artroskopia e gjurit
Nëse dëmtimi i kyçit mund të riparohet nëpërmjet një artroskopie, kisti i Baker thithet përgjithësisht spontanisht. Ky kist duhet të hiqet në rastet e sëmundjeve reumatizmale.