Pletizmografia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është pletizmografia?
Pletizmografia është një provë funksionale e mushkërive, që kryhet në një kabinë të mbyllur me mure xhami, të ngjashme me një kabinë telefonike. Ajo është një nga metodat kryesore ekzaminuese për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK) dhe sëmundjet e tjera të mushkërive, si dhe një ndihmesë e vlefshme për spirometrinë (provën respiratore). Falë pletizmografisë, mund të maten me saktësi treguesit specifikë të funksionit të mushkërive dhe të frymëshkëmbimit. Për shembull, në sajë të kësaj metode mund të zbulohet burgosja e ajrit në mushkëri, ngushtimi i rrugëve të frymëshkëmbimit ose rezistenca frymëshkëmbyese e rritur në bronke.
Pletizmografia është një ekzaminim i Pneumologjisë, një degë e mjekësisë interne.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Pletizmografia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para këtij ekzaminimi?
Në përgjithësi, paraprakisht kryhet një spirometri (test i funksionit të mushkërive). Për pjesën tjetër, nuk ka nevojë të sqarohet asgjë e veçantë.
Si realizohet pletizmografia?
Ekzaminimi kryhet ndërkohë që pacienti ulet në një kabinë të mbyllur me xham, të ngjashme me një kabinë telefonike, nën kontroll të vazhdueshëm pamor nga mjeku. Komunikimi me stafin bëhet nëpërmjet një citofoni. Frymëthithja dhe frymënxjerrja normale provokojnë ndryshime të presionit në kabinë, që maten nga sensorë të presionit, duke mundësuar nxjerrjen e rezultatit për raportet e presionit në mushkëri. Më pas, pacienti thith dhe nxjerr frymën në një tub të veçantë frymëshkëmbyes, nëpërmjet një pipëze në gojë, pasi të jenë mbyllur më parë vrimat e hundës me një kapëse të posaçme. Në këtë mënyrë, ajri mund të thithet dhe të nxirret vetëm përmes gojës. Nën mbikëqyrjen e një profesionisti shëndetësor bëhen manovra të ndryshme të frymëshkëmbimit. Veçanërisht e rëndësishme është matja e rezistencës frymëshkëmbyese. Kjo realizohet nëpërmjet mbylljes për disa sekonda të valvulës së tubit frymëshkëmbyes, dhe matjes së vazhdueshme të treguesve frymëshkëmbyes. Të dhënat e matura reflektohen menjëherë në kompjuter në formën e një kurbe.
Kur nevojitet pletizmografia?
Ekzaminimi përdoret për të diagnostikuar dhe kontrolluar trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të mushkërive dhe të aparatit të frymëshkëmbimit.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e pletizmografisë janë:
- Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK)
- Astma bronkiale
- Emfizema pulmonare
- Fibroza pulmonare
- Diagnoza e alergjive
- Detresi respirator
- Kolla kronike
A paraqet pletizmografia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe i sigurt.