logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lythat: rritje të shpeshta, virulente dhe ngjitëse të lëkurës.
Lythat: rritje të shpeshta, virulente dhe ngjitëse të lëkurës.

Lythat janë përgjithësisht rritje mishtore beninje (të parrezikshme) në lëkurë, të dallueshme qartësisht me sy të lirë. Ato janë me origjinë virale dhe tepër ngjitëse. Egzistojnë pothuajse 80 nënkategori të virusit shkaktar të tyre. Lythat e lëkurës mund të shfaqen mbi të gjitha pjesët e trupit. Rreth një e katërta e tyre shërohen spontanisht. Gjysma e fëmijëve dhe të rriturve mund t’i shfaqin lythat të paktën një herë gjatë jetës së tyre.

Lythat e lëkurës janë me origjinë virale. Virusi depërton në shtresën e sipërme të lëkurës (epidermë) nëpërmjet vendit të dëmtuar të saj, nga plagosjet e ndryshme. Pas disa kohësh, në zonën përkatëse shfaqet lythi. Në rastet e kontaktit me lythat, ndodh përhapja e virusit drejt pjesëve të tjera të trupit, veçanërisht kur në lëkurë gjenden plasaritje ose të çara të vogla. Lythat mund të transmetohen edhe në mënyrë indirekte, në dushe ose pishina. Si faktor favorizues për shfaqen e lythave duket se shërben djersitja e theksuar në zonën e duarve dhe këmbëve, pasi personat që paraqesin këtë fenomen shfaqin më shpesh lytha në lëkurë. Edhe personat me lëkurë të thatë duket se janë më të prirur të shfaqin lytha, krahasuar me personat me lëkurë normale.

Personat me lytha të lëkurës karakterizohen nga shfaqja e një rritjeje mishtore, me aspekt të fortë dhe të ngritur mbi nivelin e lëkurës, që mund të marrë forma dhe ngjyra të ndryshme dhe mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit. Format e lythave janë:

  • Lythat vulgarë (të zakonshëm), që përbëjnë formën më të përhapur, që shfaqet përgjithësisht në nivelin e duarve dhe këmbëve.
  • Lythet e sheshta, që shfaqen shpesh në fytyrë.
  • Lythet e shputës (tabanit) së këmbës, që zhvillohen në thellësi dhe janë të dhimbshme gjatë ecjes.
  • Kondilomat, që janë lythat që shfaqen në pjesët gjenitale. Ato transmetohen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale dhe nëse nuk trajtohen, mund të arrijnë një madhësi relativisht të madhe, duke marrë pamjen e lulelakrës.
  • Molusku ngjitës

Diagnoza e lythit të lëkurës vendoset nga mjeku specialist dermatolog, duke u bazuar në:

  • Simptomat e pacientit dhe kohëzgjatjen e tyre
  • Egzaminimin e kujdesshëm të lëkurës
  • Pas lyerjes me acid acetik, lythat bëhen të bardha. Në këtë mënyrë, mund të bëhen të dukshme edhe lythat që nuk dukeshin më parë.

Nuk egziston asnjë medikament kundër virusit përgjegjës për zhvillimin e lytheve të lëkurës.
 
Ndërkohë, egzistojnë shumë "receta të gjysheve" dhe "mrekulli shëruese" të tyre, efikase ose jo. Duke patur parasysh që një numër i madh i lythave shërohen spontanisht, nuk dihet asnjëherë nëse këto metoda kanë dhënë efekt ose jo. Lythat mund të jenë tepër rezistentë dhe arrijnë shpesh që të rishfaqen. 

Lythat mund të trajtohen me medikamente ose me lazer.

Medikamentet që përdoren për trajtimin e lythave kanë për qëllim t’i djegin ato. Ato përmbajnë acid salicilik ose acid laktik dhe mund të dëmtojnë lëkurën e shëndoshë. Këto medikamente janë efikase përgjithësisht për lythat e zakonshëm (vulgare).

Lythat e shputave të këmbëve, mjeku mund t’i ngrijë, t’i gërryejë ose t’i eleminojë me lazer. Këto trajtime mund të lënë shenja (cikatrice) në lëkurë.

Masat e përgjithshme

  • Për personat mbi 45 vjeç, rekomandohet egzaminimi i lytheve nga një mjek specialist dermatolog. Vetëm ai mund të bëjë dallimin nëse bëhet fjalë për një lyth të thjeshtë apo për një kancer të lëkurës.
  • Asnjëherë nuk duhet të hiqet (shkulet) vetë një lyth, pra nga persona që nuk janë kompetentë, pasi ky veprim mund të shkaktojë infeksion në zonën e lënduar të lëkurës, si dhe përhapje të virusit.
  • Solucionet dhe fashot kundër lytheve mund të veprojnë vetëm pasi janë eleminuar qelizat e vjetra të lëkurës.
  • Parandalimi i lythave konsiston në mosfutjen zbathur në pishina, dushe dhe sauna publike.
  • Në rastin e lytheve gjenitale (kondilomave), rekomandohet trajtimi sa më i hershëm dhe korrekt, me qëllim që të parandalohet shndërrimi i tyre në kancer.

Parandalimi i shfaqjes së lytheve të lëkurës bazohet në:

  • Evitimin e prekjes së tyre
  • Në rast se lythat shfaqen në nivelin e këmbëve, të ndërrohen dhe lahen rregullisht çorapet.
  • Të përdoren veshje speciale për këmbët në pishina, dushe dhe sauna publike.
  • Të ndërrohen rregullisht peshqirët, mundësisht të zihen. Të mos përdoren peshqira banjoje të personave të tjerë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.