Timpanometria (Matja e presionit në veshin e mesëm)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është timpanometria?
Timpanometria është një ekzaminim i veshit, nëpërmjet të cilit presioni në veshin e mesëm dhe lëvizshmëria e timpanit (daulles së veshit) maten nga jashtë veshit. Ajo mund të zbulojë sëmundjet e timpanit dhe veshit të mesëm, për shembull nëse gjendet likid në veshin e mesëm (prapa daulles), ose nëse funksioni i kockave të vogla të veshit është çrregulluar. Timpanometria nuk është një provë dëgjimi, pra nuk vlerëson dëgjimin.
Timpanometria është një ekzaminim i fushës së Otorinolaringologjisë (ORL).
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Timpanometria mund të kryhet pa përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para kryerjes së timpanometrisë?
Asnjë element i veçantë nuk duhet sqaruar para timpanometrisë. Përgjithësisht, përpara këtij ekzaminimi kryhet otoskopia.
Si realizohet timpanometria?
Timpanometria zgjat rreth 5-10 minuta dhe është krejtësisht e padhimbshme. Në vesh futet një sondë e vogël matëse, që është e lidhur me një pajisje që mat raportet e presionit prapa daulles në veshin e mesëm. Pajisja lëshon tonalitetet testuese dhe paralelisht rrit ose pakëson presionin në vesh. Gjithashtu, ajo mat edhe mënyrën me të cilën reagon daullja e veshit ndaj tonaliteteve të ndryshme nën presione të ndryshme. Vlerat e matura sigurojnë informacion mbi kapacitetin lëkundës të daulles dhe çrregullimet e veshit të mesëm. Ekzaminimi zhvillohet në pozicionin ulur. Gjatë ekzaminimit nuk duhet të flisni, të gëlltiteni, të përtypeni ose të lëvizni kokën, pasi kjo do të ndikojë në presionin e veshit të mesëm dhe mund të japë rezultate të pasakta në fund të ekzaminimit.
Kur përdoret timpanometria?
Ekzaminimi përdoret për të zbuluar sëmundjet e daulles së veshit dhe të veshit të mesëm.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e timpanometrisë janë:
- Ndjesia e presionit në vesh
- Humbja e dëgjimit
- Prania e zhurmave në vesh, tringëllima në vesh
- Inflamacioni i tubave
- Grumbullimi i likidit në veshin e mesëm
A paraqet timpanometria rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Timpanometria është një ekzaminim i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Gjatë ekzaminimit, në vesh ndihet një presion i lehtë, si ngritja ose ulja e një avioni. Nga disa njerëz referohet si ekzaminim i parehatshëm.