Kisti i gjirit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kisti i gjirit është një zonë e enjtur në fomën e qeses, e rrethuar nga një kapsul dhe që përmban likid. Ai përfaqëson një ndryshim beninj (të parrezikshëm) të strukturës indore të gjinjve, që në disa kushte mund të shndërrohet në malinjitet (kancer), fenomen ky që është shumë i rrallë.
Prania e kisteve në organe të tjera, si vezoret, gjendra tiroide, etj. nuk ka asnjë lidhje me kistet e gjinjve. Kjo për faktin se për zhvillimin e kisteve nuk egziston asnjë predispozitë gjenetike (faktor trashëgimie).
Kistet e gjinjve mund të trajtohen me efikasitet. Vetëm mjeku mund të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një kist apo për një tumor, duke u bazuar në egzaminimet specifike.
Jashtë periudhës së shtatzanisë, gjendrat e gjirit prodhojnë në mënyrë të vazhdueshme një sasi të vogël likidi. Kur rrugët e rrjedhjes së tij janë të bllokuara, ai grumbullohet në lobet e gjendrës, duke formuar në këtë mënyrë kistet, të cilat rriten gradualisht.
Kistet e izoluara, pra të vetme, mund të jenë të lindura.

Shpesh, kistet nuk shkaktojnë simptoma. Kur ato arrijnë një madhësi të caktuar, mund të konstatohet enjtje në gji, në formën e një kokrre. Mundësia e prekjes së saj varet nga madhësia e gjirit. Vetëm nëpërmjet palpimit (egzaminimit të gjirit nëpërmjet prekjes) nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për një kist, apo tumor beninj ose malinj (nodus kanceroz). Për këtë arsye, për çdo lloj kokrre që preket në gji duhet të kryhet sa më shpejt konsulta me mjekun specialist.
Dhimbjet mund të shfaqen kur kisti është tepër i mbushur, pra përmban shumë likid në brendësi, dhe në varësi të ciklit menstrual.
Ndonjëherë mund të shfaqet likid në nivelin e thithit të gjirit (mamelës), që tregon për praninë e një kisti në gjirin përkatës.

Diagnoza e kistit të gjirit vendoset në bazë të:
- Historisë së sëmundjes dhe simptomave të pacientes
- Ekzaminimit të gjirit nëpërmjet prekjes (palpacionit)
- Ekzaminimit ekografik të gjinjve
- Mamografisë, për të përjashtuar praninë e sëmundjeve të tjera, në veçanti të tumoreve.
- Punksionit (zbrazjes) së kistit të gjirit, e shoqëruar nga analiza e likidit të nxjerrë prej tij.
- Pneumocistografisë, me injektimin e lëndës së kontrastit dhe ajrit (nga ku merr edhe emrin «pneumo») në kist. Më pas, realizohet radiografia që vlerëson muret e kistit. Mbi këto mure mund të formohen papiloma, që janë ndryshime (tumore) përgjithësisht beninje të indit të gjirit.

Kistet e vegjël të gjinjve janë përgjithësisht të fshehtë dhe të padhimbshëm. Kistet e mëdhenj dhe të dhimbshëm mund të trajtohen sipas mënyrave të mëposhtme:
- Punksioni (zbrazja) që konsiston në zbrazjen e kistit nëpërmjet një gjilpëre ose një prerjeje të vogël. Më pas, kjo shoqërohet me injektimin e ajrit në brendësi me anën e një shiringe. Në këtë mënyrë, muret janë të ngjitura dhe kisti nuk mund të mbushet më me likid.
- Heqja kirurgjikale dhe egzaminimi indor (biopsia). Nëse punksioni tregon praninë e qelizave specifike, kisti duhet të hiqet së bashku me murin rrethues.
Medikamentet: përdoren kur kistet janë të përsëritura.