Rinoskopia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është rinoskopia?
Rinoskopia është një ekzaminim i pjesës së brendshme të hundës. Duhet bërë dallimi ndërmjet rinoskopisë së përparme, të mesme dhe asaj të pasme. Në rinoskopinë e përparme, me anë të një pajisjeje të posaçme (spekulumi i hundës) dhe një llampe ballore, ekzaminohet pjesa e përparme e hapësirës së hundës dhe ndarësja e hundës (septumi nazal). Në rinoskopinë e mesme, me anë të një endoskopi për hundën dhe një kamere të vogël të integruar, ekzaminohet pjesa e përparme e vrimave të hundës. Rinoskopia e pasme, që kryhet me gojën të hapur, me një pasqyrë të vogël dhe një llampë ballore, mundëson ekzaminimin e pjesës së pasme të nazo faringut (pjesa e sipërme e faringut, që lidhet me hapësirën e hundës).
Rinoskopia është një ekzaminim i fushës së ORL-së (Otorinolaringologjisë).
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Rinoskopia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm përpara kryerjes së rinoskopisë.
Si realizohet rinoskopia?
Ekzaminimi kryhet në pozicionin ulur. Gjatë rinoskopisë së përparme ose të mesme, në hundë futet spekulumi i hundës në formën e pincës ose endoskopi i hundës. Mjeku hap krahët e spekulumit, duke hapur në këtë mënyrë vrimat e hundës. Kjo mundëson një pamje të qartë të tyre dhe të pjesës së përparme të hapësirave të hundës. Me endoskopin e hundës, imazhi i kamerës së vogël transmetohet në monitor. Në rastin e rinoskopisë së pasme, një pasqyrë e vogël që vendoset prapa qiellzës, nëpërmjet gojës së hapur, lejon ekzaminimin e nazofaringut.
Në rastet me inflamacione të dhimbshme ose me enjtje të theksuar të mukozave të hundës, përdoret një qetësues për dhimbjen dhe/ose enjtjen, në formën e sprait në hundë. Veç kësaj, gjatë këtij ekzaminimi mund të hiqen koret dhe të thithet gjaku dhe mbeturinat e mukozës së hundës, për një pamje më të mirë të mjekut. Kur konstatohen ndryshime inflamatore, merret material për të kërkuar praninë e mikrobeve patogjene. Gjithashtu, gjatë rinoskopisë jo vetëm evidentohen trupat e huaj dhe hemorragjitë, por mund edhe të eleminohen nëpërmjet saj.
Kur përdoret rinoskopia?
Rinoskopia shërben për diagnostikimin dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve të hundës dhe nazofaringut, si dhe për kontrollin e tyre pas operacioneve.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e rinoskopisë janë:
- Deviacioni i ndarëses së hundës
- Polipet e hundës
- Angina, amigdaliti
- Gjakderdhjet nga hunda
- Tumoret beninje ose malinje të hundës
- Trupat e huaj
- Abcesi
- Keqformimet
A paraqet rinoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është përgjithësisht i parrezikshëm. Futja e spekulumit ose endoskopit të hundës mund të ndjehet ndonjëherë si e pakëndshme, por është përgjithësisht e padhimbshme. Në rastet me inflamacione të dhimbshme, përpara ezaminimit kryhet anestezia lokale me një sprai në hundë. Të rralla janë dëmtimet e mukozave të hundës me gjakderdhje shoqëruese.