Testi i shikimit (Ekzaminimi i pamjes, Ekzaminimi i syve, Testimi i aftësisë së të parit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i shikimit?
Testi i shikimit përcakton aftësinë e të parit për çdo sy në veçanti, si për shikimin afër dhe për shikimin larg. Shikimi afër është aftësia për të parë në një distancë prej rreth 30 centimetrash, dhe është i domosdoshëm psh. për leximin. Shikimi larg është aftësia për të parë në një distancë prej 1 metër dhe është i rëndësishëm psh. për dallimin e sinjalistikës rrugore. Aftësia pamore normale korrespondon me një vizus prej 1.0 (100%). Testi i aftësisë së të parit realizohet nga ekzaminimi subjektiv i syve, si dhe nga përcaktimi subjektiv ose objektiv i përthyerjes së dritës. Termi «subjektiv» do të thotë që bashkëpunimi i pacientit është i domosdoshëm.
Testimi i syve është një ekzaminim oftalmologjik.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Testi i aftësisë së të parit mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë. Nëse pacienti përdor syze ose lente kontakti, duhet t’i ketë me vete ditën e ekzaminimit.
Çfarë sqarimi nevojitet para këtij ekzaminimi?
Para kryerjes së testit të shikimit nuk nevojitet ndonjë sqarim i veçantë.
Si kryhet testi i shikimit?
Si pjesë e ekzaminimit subjektiv të syrit, para syve vendoset një tabelë e bardhë me shkronja të zeza, numra ose unaza të hapura, me madhësi që zvogëohet nga lart poshtë. Pacienti duhet t’i lexojë me zë, nga lart poshtë sipas rreshtave. Niveli ku pacienti paraqet vështirësi në lexim shërben për të përcaktuar devijimin nga aftësia normale e shikimit. Për sa i përket unazave, duhet të dallohet nëse hapja e unazës është lart, poshtë, në të djathtë ose në të majtë. Për fëmijët, ka tabela të veçanta me figura, të cilat janë të rëndësishme për njohjen e modelit.
Kur përcaktohet aftësia përthyese e syrit, përcaktohet edhe korrigjimi i kërkuar për aftësinë pamore optimale. Gjatë përcaktimit subjektiv të kësaj aftësie, para syve të pacientit vendosen lente korrigjuese të fuqive të ndryshme dhe ai tregon me cilat prej tyre sheh më qartë. Matja objektive e përthyerjes kryhet duke përdorur pajisje të caktuara (refraktometër) dhe nuk kërkon bashkëpunim aktiv. Kjo metodë është gjithashtu e përshtatshme për fëmijët e vegjël dhe foshnjat, pasi instrumentet matin automatikisht nivelin e korrigjimit të nevojshëm për të parë qartë.
Kur kryhet testi i shikimit?
Ky test përdoret për të përcaktuar aftësinë e të parit dhe korrigjimin e nevojshëm të lenteve të syzeve ose lenteve të kontaktit, për të siguruar një aftësi optimale të të parit.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë një testim të shikimit janë:
- Miopia
- Hipermetropia
- Presbiotia
- Astigmatizmi
- Hemianopsia
- Përkeqësimi i shikimit i shkaktuar nga një strabizëm i njëanshëm në moshat parashkollore
- Verifikimi i aftësisë për të drejtuar automjetin
- Zgjedhja e syzeve, zgjedhja e lenteve të kontaktit
- Rastet e trajtimit të syrit me lazer
A paraqet ndonjë rrezik apo efekt të padëshirueshëm ky ekzaminim?
Testi i shikimit nuk shkakton dhimbje dhe është krejtësisht i sigurt.