logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Marrja e mostrës së mukusit vaginal: një vet-ekzaminim i femrës, përmes të cilit ajo mund të përcaktojë ditët gjatë të cilave është pjellore ose jo.
Marrja e mostrës së mukusit vaginal: një vet-ekzaminim i femrës, përmes të cilit ajo mund të përcaktojë ditët gjatë të cilave është pjellore ose jo.

Çfarë është vet-ekzaminimi i kampionit të mukusit?

Bëhet fjalë për një vet-ekzaminim të femrës, përmes të cilit ajo mund të përcaktojë ditët gjatë të cilave është pjellore dhe ato gjatë të cilave është jopjellore. Për ta bërë këtë, gruaja vetë përdor gishtat e saj çdo ditë për të vlerësuar sekrecionet vaginale (mukusin e qafës së mitrës) të prodhuar nga mukoza e qafës së mitrës. Kjo metodë përdoret nga femrat për kontracepsion natyral (parandalimin natyral të shtatzanisë) dhe anasjelltas, edhe nga femrat që kërkojnë të mbeten shtatzëna. Ky ekzaminim përdoret shpesh paralelisht me matjen e temperaturës. Sidoqoftë, si një metodë kontraceptive, marrja e mostrave të mukusit është shumë e pasigurt, pasi gjithsesi shumë femra mbeten shtatzëna.

Sasia dhe përbërja e sekrecioneve vaginale ndryshojnë gjatë ciklit. Pak para ovulacionit, prodhimi i mukusit rritet dhe sekrecioni bëhet i lëngshëm dhe fijëzor. Pikërisht gjatë kësaj faze mundësitë për të mbetur shtatzënë janë optimale. Ditën e katërt pas ovulacionit, sekrecioni (mukusi) bëhet i bardhë dhe i trashë, dhe gruaja nuk mund të mbetet shtatzënë deri në ovulimin e ardhshëm.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Një kampion i mukusit vaginal mund të merret pa ndonjë përgatitje të veçantë.

Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?

Nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim i veçantë përpara marrjes së kampionit të mukusit.

Si realizohet marrja e mukusit?

Çdo mëngjes, gruaja tërheq sekrecioni vaginal me gishtin e saj tregues. E shtyp sekrecionin ndërmjet gishtit të madh dhe atij tregues, pastaj i largon gishtërinjtë dhe vlerëson përbërjen e sekrecionit. Nëse mukusi formon fije disa centimetra të gjata, ovulimi është i afërt. Përveç kësaj, në farmaci gjenden pajisje për matjen e përbërjes së sekrecioneve vaginale.

Kur përdoret mbledhja e kampioni të mukusit?

Nga njëra anë, mund të përdoret si një metodë kontraceptive natyrale. Nga ana tjetër, është i përshtatshëm për femrat që duan të mbeten shtatzëna.

A paraqet kjo proçedurë rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky vet-ekzaminim është pa dhimbje dhe i sigurt. Sidoqoftë, ai konsiderohet i rrezikshëm për kontracepsionin natyror, pasi mund të çojë në gabime në gjykim. Konsistenca (përbërja) e sekrecioneve vaginale mund të ndikohet nga sëmundje ose medikamente të ndryshme. Si një metodë kontracepsioni, ajo nuk ofron mbrojtje kundër sëmundjeve veneriane ose sëmundjeve ngjitëse seksualisht të transmetueshme. Vetëm prezervativët ofrojnë mbrojtje në këtë drejtim.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.