logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Nishanet: zakonisht të padëmshme.
Nishanet: zakonisht të padëmshme.
Nishanet, të njohura edhe si njolla të mëlçisë, janë njolla të pigmentuara të lëkurës, zakonisht të padëmshme. Ato formohen kur qelizat e lëkurës që prodhojnë pigment, të quajtura melanocitet, prodhojnë shumë melaninë. Melanina i jep lëkurës, flokëve dhe syve ngjyrën e tyre dhe mbron lëkurën nga dielli. Thënë thjesht, nishanet janë njolla të ngjyrosura në lëkurë, të lindura ose që formohen nga ekspozimi në diell.

Termi "nishan" vjen nga ngjyra e tij, e cila është e ngjashme me ngjyrën e mëlçisë. Përveç këtij fakti, nishanet nuk kanë asnjë lidhje tjetër me mëlçinë. 

Njerëzit me shumë nishane duhet t'i kontrollojnë këto rregullisht, të paktën një herë në vit nga një dermatolog. Gjithashtu, duhet t'i vëzhgojnë vetë me kujdes gjatë gjithë kohës, nëse u ndryshon ngjyra, madhësia ose forma. Sepse disa nishane mund të degjenerojnë në kancer të lëkurës. Rreziku i kancerit zakonisht mund të shmanget duke e hequr një nishan të dyshimtë në kohën e duhur.

Qukat janë gjithashtu depozita të padëmshme të pigmentit në lëkurë. Pikat e kuqe-kafe janë të zakonshme në njerëzit me lëkurë të bardhë, veçanërisht tek njerëzit biondë dhe me flokë të kuq, dhe shkaktohen nga rrezet e diellit në fëmijëri. Ato kryesisht shfaqen në zonat e lëkurës që janë më të ekspozuara ndaj diellit, si hunda, fytyra, supet, krahët dhe këmbët.
Prirja e të pasurit shumë nishane shpesh trashëgohet nga prindërit. Por rrezet e forta të diellit gjithashtu nxisin zhvillimin e tyre, dhe në këtë mënyrë numri i nishaneve mund rritet në moshën e rritur. Numri i nishaneve që ka një person varet nga përbërja gjenetike, mosha dhe koha e ekspozimit të tij në diell.
Nishanet mund të shfaqen në të gjithë trupin. Ato janë kryesisht kafe deri në të zeza dhe mund të jenë me madhësi dhe forma të ndryshme. Janë të sheshta ose pak të ngritura, ose të zgjatura. Sipërfaqja e tyre mund të jetë e lëmuar ose e ashpër, madje dhe me pak qime.

Nishanet zakonisht nuk shkaktojnë ankesa. Sidoqoftë, disa prej tyre mund të degjenerojnë në kancer të lëkurës. Shenjat paralajmëruese të kancerit janë gjithmonë kur një nishan rritet në madhësi, ka një kufi të parregullt, ka disa ngjyra ose skuqet, lagështohet, ka kruajtje, gjakderdhje ose bëhet i dhimbshëm.

Rregulli ABCDE ndihmon për të identifikuar nishanet dhe qukat potencialisht të rrezikshme. Nëse të paktën njëra prej këtyre pikave është ''Po'', duhet të bëhet një kontroll tek dermatologu si pjesë e kujdesit paraprak:

A = asimetri: nishani nuk është i rrumbullakët ose oval, por ka një formë të çrregullt ose është i skuqur.
B = kufiri: kufiri i jashtëm është i padallueshëm, pra nuk dallohet qartë nga pjesa tjetër e lëkurës. 
C = Ngjyra: nishani ka ngjyra të ndryshme: është i zi, kafe, i kuqërremtë ose gri në disa vende, ose papritmas shtohen hije të reja.
D = diametri: nishani ka diametër mbi 5 milimetra.
E = madhësia: nishani është i fryrë dhe i prekshëm me gishta.

Dermatologu kërkon në të gjithë trupin për nishane dhe kontrollon secilin veç e veç. Gjithashtu, disa nishane ekzaminohen për një vlerësim më të saktë të pigmentimit nën një mikroskop ekzaminimi të posaçëm, të ashtuquajturin mikroskop të dritës së pasqyruar. Kjo pajisje speciale, e ndihmuar nga kompjuteri, mund të përdoret gjithashtu për të ruajtur fotot e nishaneve. Në çdo kontroll të mëvonshëm, kjo lejon një krahasim të hollësishëm me regjistrimet e mëparshme. Ndryshimet mund të evidentohen herët dhe mund të shmangen operacionet e panevojshme në nishanet e pandryshuara.

Nëse një nishan është në të vërtetë malinj, mund të përcaktohet me siguri vetëm pas heqjes dhe ekzaminimit të indit nën mikroskop.

Nishanet nuk kanë nevojë të trajtohen, por duhet të kontrollohen. Vetëm një dermatolog mund të vendosë nëse një nishan është malinj apo ka filluar të degjenerojë në malinj.
Një nishan i dyshimtë ose malinj duhet të hiqet gjithmonë me rrugë kirurgjikale. Kjo zakonisht bëhet nën anestezi lokale. Nëse dyshohet për kancer të lëkurës, nishani i hequr gjithmonë ekzaminohet nën mikroskop për qelizat e kancerit.
Nishanet e parrezikshme, por që përbëjnë një problem estetik, gjithashtu mund të hiqen plotësisht pa operacion, duke përdorur trajtimin me lazer. Sidoqoftë, kjo duhet të bëhet vetëm nga një dermatolog. Në një studio kozmetike, ekziston rreziku që të mos njihet një nishan malinj.
Kujdes: në asnjë rrethanë nuk duhet të përdoret trajtimi me lazer për nishanet malinje! Kjo provokon copëtimin e indeve dhe e bën të pamundur ekzaminimin e tyre nën mikroskop. Përveç kësaj, trajtimi me lazer provokon përhapjen me shpejtësi të kancerit.
Nishanet mund të parandalohen vetëm në një masë të kufizuar, pasi janë të lindura ose shkaktohen nga ekspozimi në diell. 
Në thelb, zbatohen 
të njëjtat rregulla si për parandalimin e kancerit të lëkurës:
  • Shmangni djegien nga dielli, mos qëndroni për shumë kohë në diell dhe përdorni gjithnjë mbrojtje të përshtatshme nga dielli.
  • Kontrolloni rregullisht lëkurën: vetëkontrolli i nishaneve sipas rregullit ABCDE dhe kontrollet e rregullta tek mjeku dermatolog, veçanërisht i nishaneve të shfaqura rishtazi ose që ndryshojnë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...