Tenosinoviti
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Tendinet (që lidhin muskulin me kockën) rrethohen nga një këllëf sinovial, i cili përbëhet nga ind lidhor, është i mbushur me një likid lubrifikues dhe rrethon tendinet si një tub. Në rastin e përdorimit të tepruar të një kyçi të caktuar, për një periudhë të gjatë kohore, zhvillohen dëmtime të vogla në zonat e tendinit që i nënshtrohen fërkimit. Kjo çon në zhvillimin e një inflamacioni lokal. Në raste të rralla, mund të shfaqet tenosinoviti i provokuar nga infeksione bakteriale.
Teorikisht, tenosinoviti mund të prekë të gjitha kyçet. Gjithsesi, kyçi i dorës preket më shpesh se të tjerët.
Tenosinoviti është një sëmundje tepër e dhimbshme dhe e vështirë, që çon në paaftësi të zgjatur për punë. Personat që kryejnë aktivitete të përsëritura me një kyç të caktuar, janë më të rrezikuar për të zhvilluar tenosinovit. Sa më herët të trajtohet tenosinoviti, mundësisht sapo të shfaqen simptomat e para, aq më shpejt shërohet ai.
Tenosinoviti shkaktohet nga trashja e murit të brendshëm të këllëfit sinovial, që është rezultat i përdorimit të përsëritur dhe të vazhdueshëm të një kyçi. Në rastet e dëmtimeve të vogla, muri i brendshëm i këllëfit sinovial bëhet i ashpër, duke favorizuar një inflamacion në atë nivel.
Në raste të rralla, në origjinën e një tenosinoviti mund të jetë një sëmundje inflamatore e kyçeve. Gjithashtu, inflamacionet me natyrë infeksioze ndodhin pothuajse vetëm pas plagosjeve, të tilla si pickime, kafshime, prerje, etj.
Më të rrezikuar për të zhvilluar tenosinovit janë:
- Personat që merren me pastrim
- Personat që shtypin shumë në tastierën e kompjuterit ose që luajnë shumë me lojra në kompjuter.
- Kopshtarët dhe kultivuesit
- Motoçiklistët
- Muzikantët
- Personat që praktikojnë kanotazhin
- Masazhuesit
Sëmundja manifestohet në mënyrë tipike me dhimbje të forta, që shfaqen fillimisht vetëm gjatë lëvizjeve dhe më pas edhe në qetësi (natën).
Simptoma të tjera:
- Ndjesia e nxehtësisë në zonën e prekur
- Enjtje dhe skuqje
- Dhimbje në shtypje
- Zhurma e kërcitjes në tendinin e prekur
- Mund të preken kokrra në kyçin e dorës
Diagnoza e tenosinovitit përcaktohet nga mjeku specialist ortoped, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit. Është e detyrueshme të përmenden të gjitha aktivitetet e kryera në mënyrë të përsëritur.
- Zhurma që dëgjohet gjatë lëvizjeve i mjafton përgjithësisht mjekut për të vendosur diagnozën.
- Radiografia e kyçit të prekur
- Analizat e gjakut, për të evidentuar një inflamacion ose një sëmundje reumatizmale.

Masat e përgjithshme
Në fillim, rekomandohet vendosja e kompresave të ftohta, për të ulur shkallën e inflamacionit, dhe më pas e kompresave të ngrohta.
Vendosja që në fillim e krahut në qetësi, duke e fashuar ose duke e vendosur në allçi.
Medikamentet
Në pacientët me tenosinovit rekomandohet përdorimi i:
- Medikamenteve kundër dhimbjes (antialgjikët)
- Medikamenteve kundër inflamacionit (anti-inflamatorët)
- Antibiotikëve, në rast infeksioni.
Operacionet
Operacioni i kryer në këto raste, që konsiston në prerjen e këllëfit sinovial të ngushtuar, nuk jep gjithmonë rezultate të kënaqshme.Masat fizike
Në rastet e nevojshme rekomandohet: elektroterapia, terapia me valë goditëse.