logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kriptorkidia: testikujt nuk zbresin në skrotum.
Kriptorkidia: testikujt nuk zbresin në skrotum.

Në rastin e kriptorkidisë, njëri ose të dy testikujt nuk kanë zbritur në skrotum (qesen ku vendosen normalisht testikujt). Normalisht, në fillim të zhvillimit të fëmijës në barkun e nënës, testikujt formohen në zgavrën e barkut dhe zbresin progresivisht në qesen skrotale, nëpërmjet kanalit inguinal që lidh kavitetin e barkut me skrotumin. Kriptorkidia shfaqet tek rreth 4 nga 100 fëmijë të lindur në kohën e parashikuar dhe më shpesh tek fëmijët e lindur përpara këtij afati. Gjatë vitit të parë të jetës, testikujt mund të zbresin ende në mënyrë spontane në skrotum.

Në varësi të pozicionit të testikulit, dallohen:

  • Kriptorkidia abdominale: përfaqëson një formë të rrallë, ku testikuli mbetet në zgavrën e barkut.
  • Kriptorkidia inguinale: në këtë rast testikuli ngec në kanalin inguinal dhe nuk mund të zbresë në skrotum.
  • Testikuli periodik: testikuli vendoset në hyrje të skrotumit. Meqenëse kordoni spermatik i tij është shumë i shkurtër, ai e tërheq gjatë gjithë kohës testikulin në kanalin inguinal. Testikuli mund të jetë zmadhuar në skrotum por ai ringjitet në kanal në rastet e relaksimit.
  • Testikuli i lëkundur: është forma më e shpeshtë, beninje, ku testikuli ka zbritur në skrotum, por ngjitet ndonjëherë në kanalin inguinal pas një kontakti apo nën ndikimin e të ftohtit.
  • Ektopia testikulare: "testikuli i gabuar", vendoset larg nga vendi normal ku duhej të vendosej (si psh. në nivelin e kofshës)

Si shkaqe të mundshme të kriptorkidisë shërbejnë zakonisht pengesat anatomike, keqformimet ose mangësia e gonadotropinave (hormoneve që prodhohen në tru e që kontrollojnë zbritjen e testikujve).  

Kriptorkidia është asimptomatike, pra pa shqetësime të dukshme. Në rast se nuk konstatohet dhe trajtohet në kohë, ajo mund të shkaktojë infertilitet. Ajo gjithashtu rrit shkallën e rrezikut për kancer të testikulit në moshën e rritur. 

Kriptorkidia: ekografia sqaron pozicionin e testikulit.
Kriptorkidia: ekografia sqaron pozicionin e testikulit.

Gjatë egzaminimit mjekësor të të porsalindurit, mjeku palpon (prek) për të parë nëse testikujt kanë zbritur plotësisht në skrotum.

Për të dalluar format e ndryshme të kriptorkidisë, mjeku përdor një teknikë specifike të palpimit: ai prek me njërën dorë kufirin e kanalit inguinal në drejtim të skrotumit dhe tenton të palpojë testikulin me dorën tjetër. Nëse testikuli nuk palpohet, ai mund të lokalizohet nëpërmjet ekografisë ose proçedurave të tjera imazherike mjekësore. Në rastet e nevojshme, mund të jetë e nevojshme laparoskopia (egzaminimi në brendësi i zgavrës së barkut), nën efektin e anestezisë së përgjithshme.

Testi i stimulimit hormonal lejon të dallohet një kriptorkidi e dyanshme nga një mungesë e plotë e testikujve (anorkidia). 

Kriptorkidia: terapia hormonale me anë të sprait në hundë.
Kriptorkidia: terapia hormonale me anë të sprait në hundë.

Nëse kriptorkidia vazhdon pas vitit të parë të jetës, mundësia e zbritjes spontane të testit (ose testeve) është shumë e vogël. Për këtë arsye, rekomandohet fillimi i trajtimit që në fillim të vitit të dytë të jetës.

Trajtimi i zakonshëm konsiston në përdorimin e hormoneve, pra rrit nivelin e testosteronit në gjak, për të nxitur zbritjen e testikulit. Ky trajtim fillon me përdorimin e një sprai nga hunda për 4 javë. Nëse reagimi ndaj këtij mjekimi është i dobët, mund të kalohet në aplikimin e injeksioneve hormonale. Sa më shumë të ketë zbritur testi në drejtim të skrotumit, aq më efikas konsiderohet trajtimi. Kështu, në rastin e testikulit të lëkundur, terapia hormonale është efikase në 90% të rasteve.

Nëse testikuli nuk zbret edhe pas injeksioneve, duhet të kryhet zbritja mekanike e tij me rrugë kirurgjikale, mundësisht përpara fundit të vitit të dytë të jetës. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, testikuli zbritet në skrotum përmes kanalit inguinal. Për të evituar ringjitjen e tij në kanal, ai fiksohet në skrotum me anën e një qepjeje të vogël.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, është e nevojshme të kontrollohet pozicioni i testikulit në intervale të rregullta kohore, veçanërisht në rastet me testikul periodik. 

Në periudhën pas pubertetit, në testikul prodhohet sperma.Për t’u zhvilluar, testikuli ka nevojë për një temperaturë rreth 32-37°C. Për këtë arsye ato janë të vendosura në skrotum, që gjendet jashtë trupit. 

Në rastin e kriptorkidisë, testikuli ekspozohet ndaj një temperature më të lartë, që mund të shkaktojë dëmtime të tij. Gjithashtu, mund të shfaqet infertiliteti.

  • Në rast se nuk trajtohet, kriptorkidia rrit shkallën e rrezikut për kancer të testikujve në moshën e rritur.
  • Në rastin e zbritjes së vonuar të testikulit, ai mund të rrotullohet, duke shkaktuar jo vetëm përdredhjen e tij, por edhe të kordonit spermatik.
  • Këto ndërlikime të vonshme në nivelin e testikujve mund të parandalohen vetëm nëpërmjet diagnostikimit dhe trajtimit sa më të hershëm të kriptorkidisë. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.