logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Haluks valgus: deformim i gishtit të madh të këmbës.
Haluks valgus: deformim i gishtit të madh të këmbës.

Gishti i madh i këmbës në latinisht emërtohet haluks (halux), ndërkohë që valgus quhet devijimi i tij për nga jashtë. Termi “haluks valgus” përfaqëson devijimin e gishtit të madh të këmbës për nga jashtë, pra një deformim të këmbës, që është shpesh pasojë e një deformimi tjetër, siç është këmba e sheshtë. 

Mjaft rrallë kjo sëmundje mund të jetë e lindur (kongenitale), për shkak të zhvillimit jonormal të kyçit (artikulacionit) të gishtit të madh të këmbës. Termi “deformim dytësor” përdoret pikërisht për rastet kur haluks valgus është pasojë e deformimeve të tjera.

Haluks valgus shkaktohet shpesh nga dobësia e trashëguar e indit lidhor dhe ligamenteve (që lidhin kockat me njëra-tjetrën). Kjo dobësi mund të shkaktojë shfaqjen e këmbës së sheshtë dhe të shtrirë, që do të thotë rrafshim i harkut të këmbës në drejtimin gjatësor, duke shkaktuar një sheshim gradual të harkut tërthor të saj.

Mbajtja e këpucëve të papërshtatshme, tepër të ngushta në pjesën e përparme ose me taka tepër të larta, luajnë një rol mjaf të rëndësishëm në zhvillimin e deformimeve të këmbëve.

Haluks valgus: dhimbje për shkak të kyçit të inflamuar.
Haluks valgus: dhimbje për shkak të kyçit të inflamuar.

Për shkak të presionit të lartë dhe të vazhdueshëm në këpucë, pacientët me haluks valgus paraqesin shpesh:

  • Dëmtime shoqëruese të bursës seroze (bursitet ose inflamacionet e cipës që mbështjell kyçin) dhe ndryshime në lëkurë. Këto fenomene e bëjnë tepër të vështirë mbajtjen e këpucëve.
  • Dhimbje të shpeshta në pjesën e shputës së këmbës, të lokalizuara nën kyçin e bazës së gishtit të madh. Këto dhimbje shoqërohen me formimin e kallove, të dhimbjeve lokale në shtypje dhe të dhimbjeve gjatë lëvizjes së këmbës. Alpinistët me haluks valgus ankojnë papritmas për dhimbje të tillë, pasi përshkojnë distanca shumë të shkurtra, edhe pse më parë nuk paraqisnin asnjë simptomë. 
  • Shpesh konstatohen ndryshime në brendësi të kyçit, veçanërisht në nivelin e bazës së gishtit të madh, që shkaktojnë çrregullime mekanike të kyçit dhe lëvizje jonormale të gishtit të madh të këmbës.
Haluks valgus në radiografi.
Haluks valgus në radiografi.

Haluks valgus mund të diagnostikohet menjëherë nga mjeku ortoped, nëpërmjet egzaminimit të këmbës me sy të lirë. Karakteristika kryesore orientuese është:

  • Devijimi i gishtit të madh të këmbës, me dalje të kokës së metatarsit të parë (kockës së fundit të gishtit), shpesh shumë e ndjeshme në shtypje dhe me ngjyrë të kuqe për shkak të inflamacionit. 
  • Pjesa e përparme e këmbës sheshohet, për shkak të një dobësie shoqëruese të ligamenteve. Forma ekstreme e këtij proçesi është këmba e sheshtë, e shtrirë dhe e devijuar për nga jashtë. 
  • Shpesh, haluks valgus shoqërohet me gishtat e mëdhenj në formën e çekanit ose të kthetrës. Për shkak të devijimit të gishtit të madh për nga jashtë, gishtat e tjerë të këmbës nuk kanë vend mjaftueshëm në pjesën e përparme tepër të ngushtë të këpucës.Për pasojë, ata pozicionohen më sipër ose më poshtë gishtit të madh dhe marrin formën e çekanit ose të kthetrës. 
  • Në rast se mjeku specialist ortoped nuk është i sigurt për diagnozën, mund të kryhet radiografia e këmbës, e cila konfirmon diagnozën e devijimit të gishtit të madh (haluks valgus). 
Haluks valgus: nevojitet operacion në shumicën e rasteve.
Haluks valgus: nevojitet operacion në shumicën e rasteve.

Trajtimi i haluks valgus mund të jetë i tipit konservativ (pa operacion) dhe kirurgjikal (me operacion).

Trajtimi konservativ

Ky trajtim mund të realizohet nga mjeku specialist ortoped në kushte shtëpie ose në një qendër riaftësimi. Që në fillim, në momentin e diagnostikimit të haluks valgus, mjeku duhet të informojë pacientin rreth sëmundjes dhe t’i shpjegojë atij që këto probleme janë pasojë e një dobësie të indit lidhor dhe atij muskular. Pacienti duhet të paralajmërohet që mundësitë e shërimit vetëm me trajtim konservativ janë minimale, dhe që ky trajtim lejon vetëm ngadalësimin ose frenimin e përparimit të sëmundjes.

Trajtimi konservativ është efikas vetëm kur ai fillohet në një stad të hershëm të sëmundjes, në format e lehta dhe tek pacientët me moshë të re.

Gjithashtu, ky trajtim përdoret edhe tek personat më të moshuar, që nuk duan ose nuk mund të operohen, për shkak të gjendjes së përgjithshme shëndetsore jo të favorshme. Ai konsiston në:

  • Ndryshimin e mënyrës së veshjes, në zgjedhjen e këpucëve të përshtatshme dhe të rehatshme, me majë të gjerë, me mbushje dhe mbrojtëse për gishtat.
  • Qëndrimin në shtrat
  • Vendosjen e akullit në zonën e gishtave
  • Përdorimin e medikamenteve kundër dhimbjes dhe medikamenteve kundër inflamacionit shoqërues (nëse ka bursit).
  • Përdorimin e pajisjeve të posaçme ortopedike, sipas rekomandimit të mjekut ortoped.

Operacionet

Për trajtimin kirurgjikal të haluks valgus mund të realizohen 150 teknika operatore tepër të ngjashme njëra me tjetrën. Zgjedhja e teknikës kirurgjikale varet nga gjendja klinike dhe rezultatet radiologjike të pacientit, por gjithashtu edhe nga zgjedhja e vetë kirurgut dhe përvoja e tij profesionale në teknika të caktuara. Edhe teknika në dukje tepër të ndryshme mund të japin rezultate të ngjashme. 

Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultohet një kirurg ortoped me përvojë. Teknika të shumta operatore kanë dëshmuar efikasitet në këtë drejtim. Gjithsesi, është e pamundur të përjashtohen përsëritjet e mundshme të devijimit të gishtit të madh të këmbës.

Në rastet kur pacienti paraqet devijim të gishtit të madh drejt gishtave të tjerë të këmbës, dhe ankon për dhimbje të forta në nivelin e gishtit të madh, operacioni është praktikisht i paevitueshëm për lehtësimin e dhimbjeve të pacientit.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...