Lipoma
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Direkt nën lëkurë gjendet indi dhjamor i nënlëkurës. Disa grupe qelizash të këtij indi mund të shtohen në mënyrë të pakontrolluar dhe të formojnë një kokërr (masë). Këto kokrra, të përbëra nga indi dhjamor, quhen lipoma. Megjithëse lipoma është një tumor, ajo është gjithmonë beninje, pra e parrezikshme për jetën. Lipomat mund të shfaqen të izoluara ose në grupe. Ato zhvillohen ngadalë dhe rrallë janë të dhimbshme. Ndonjëherë lipomat mund të formohen edhe mbi organet e brendshme, por kalojnë pa u vënë re sepse janë asimptomatike.
Shkaku i shfaqjes së lipomave është i panjohur. Gjithsesi, besohet se në këtë drejtim luan rol trashëgimia familjare. Duhet theksuar që shfaqja e tyre nuk ka asnjë lidhje me mbipeshën trupore.
Një lipomë është një kokërr elastike, e kufizuar mirë, që mund të kalojë me lehtësi. Ajo vendoset kryesisht në zonën e brezit të shpatullave dhe në nivelin e krahëve.
Në pjesën më të madhe të rasteve lipoma është asimptomatike. Ajo mund të paraqesë probleme estetike ose, kur është e pozicionuar keq (nën rripin e reçipetave, në parakrah), mund të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së pacientit. Rrallë lipoma mund të jetë e dhimbshme.

Përgjithësisht lipoma mund të diagnostikohet nga një egzaminim i imtësishëm i lëkurës me sy të lirë dhe nga palpimi (prekja) i masës, pa egzaminime të tjera shtesë. Meqenëse disa sëmundje tepër të rrezikshme mund të ngjajnë me një lipomë, diagnoza duhet të vendoset vetëm nga mjeku specialist dermatolog. Në rastet kur mjeku dyshon, kokrra duhet të hiqet dhe t’i nënshtrohet biopsisë, për të konfirmuar natyrën e saj beninje.

Në përgjithësi, një lipomë nuk ka nevojë të trajtohet, sepse nuk bart asnjë rrezik për shndërrim në malinjitet. Nëse lipoma është e dhimbshme ose përbën problem estetik, ajo duhet të hiqet me rrugë kirurgjikale, nën efektin e anestezisë lokale.
Lipoma nuk shndërrohet në kancer (tumor malinj). Liposarkoma malinje nuk e ka origjinën nga lipoma. Ndonjëherë ndodh që, pas heqjes së një lipome, të shfaqet një lipomë e re në të njëjtin vend.