logo
Testi Tampon-PCR
Unilabs.com
Testi Tampon-PCR

Testi diagnostik i bazuar në metodën Real Time PCR zbulon praninë e virusit para se ai të eliminohet nga sistemi imunitar. Testi është i aftë të identifikojë virusin në traktin nazofaringeal duke zbuluar praninë e materialit gjenetik të virusit SARS-CoV-2 (ARN) që përmbahet në mostër. Mostra merret nga profesionistë të liçencuar të shëndetit, nga hunda dhe faringu, në disa raste nga fyti, duke përdorur një tampon, i cili më pas dërgohet në laboratorë të kualifikuar për të testuar praninë ose mungesën e virusit.

Përveç tamponëve nazofaringealë, mostrat mund të merren edhe nga pështyma, aspirimi endotrakeal (lëngjet e aspiruara brenda trakesë) ose nga lavazhi i rrugëve të poshtme të frymëshkëmbimit (bronko-alveolar). Këto të fundit ka të ngjarë të jenë më të ndjeshme sesa tamponët nazofaringealë. Sidomos në pacientët e sëmurë rëndë, virusi shpesh është më i pranishëm në rrugët e poshtme të frymëshkëmbimit sesa në pjesën e sipërme. Sidoqoftë, me këto proçedura ekziston gjithmonë një rrezik i lartë i "aerozolizimit", dhe për këtë arsye rreziku më i madh i infektimit të stafit mjekësor.

Testi Real Time PCR për SARS-CoV-2 është metoda më efektive dhe e besueshme për zbulimin e virusit gjatë fazës aktive të infeksionit, pavarësisht nëse personi shfaq simptoma ose jo. Disa studime tregojnë se përqindja e rasteve pa simptoma (asimptomatike) ose para shfaqjes së simptomave është e konsiderueshme. Meqenëse këto subjekte përfaqësojnë një mjet shumë të rëndësishëm për transmetimin e sëmundjes, identifikimi i tyre është një aspekt themelor në luftën kundër virusit COVID-19.

Tamponët rinofaringealë - probleme praktike

Është tepër e rëndësishme kryerja me korrektësi e tamponit. Ekzekutimi i tamponeve nazofaringeale (nga hunda) dhe orofaringeale (nga goja) paraqet mundësi të shumta gabimi që mund të çojnë në rezultate false të gabuara. Përveç kësaj, duhet të merren masa mbrojtëse në mënyrë që të mos rrezikohet specialisti që merr mostrën. Çdo tampon mbart një rrezik të lartë të infeksionit! Kërkohen mbrojtje të rrugëve të frymëmarrjes, syze mbrojtëse, veshje mbrojtëse laboratorike dhe doreza. 

Proçedura kërkon që pacienti të ulet në një karrige dhe të anojë kokën pak mbrapa. Specialisti duhet të jetë në një pozicion pak të mënjanuar, jo drejtpërdrejt ballor, në mënyrë që të shmangë spërklat e mundshme të kollës së pacientit. Pacienti duhet të informohet për çdo shqetësim të shkurtër gjatë ekzaminimit. Duhet të përdoren tamponë të përshtatshëm për zbulimin e virusit. Tamponi duhet të mbahet midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, si një laps, në mënyrë që fundi të mos prekë asgjë. Muri i pasmë i nazofaringut zakonisht arrihet duke futur tamponin për 5-7 cm; me të arritur atë, mund të ndihet një rezistencë e lehtë. Duhet të shmanget kontakti i tamponit me dhëmbët ose gjuhën gjatë proçedurës; tamponi duhet të mblidhet nga muri i pasmë i nazofaringut, direkt pranë uvulës. Kujdes nga refleksi i faringut! 

Nëse është e nevojshme, në përputhje me informacionin që ju ka dhënë mjeku specialist, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut individual dhe kolektiv të punonjësve tuaj, përmes testeve PCR ju mund të përcaktoni menjëherë statusin shëndetësor të stafit tuaj dhe të aktivizoni praktikat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e punonjësve dhe klientëve tuaj.

Në situata me burime të kufizuara, asnjë aftësi diagnostike nuk duhet të harxhohet. Pacientët duhet të testohen vetëm nëse një rezultat pozitiv përkthehet në një veprim të nevojshëm. Ky nuk është rasti në shembujt e mëposhtëm:

  • Të rinjtë që kanë pasur kontakt me një person të infektuar disa ditë më parë, të cilët kanë simptoma të lehta ose të moderuara dhe që jetojnë vetëm nuk kanë nevojë për teste PCR, edhe nëse kanë temperaturë të lartë. Ata duhet të qëndrojnë në karantinë në shtëpi, ose në regjim shtrati nëse është e nevojshme, për të paktën 14 ditë pas shfaqjes së simptomave. Një test mund të jetë i dobishëm vetëm për të sqaruar nëse ata mund të punojnë në një spital ose në një institucion tjetër të kujdesit shëndetësor pas karantinës. Disa autoritete shëndetësore kërkojnë të paktën një test negativ (nazofaringeal) para se të kthehen në punë (plus të paktën 48 orë në mungesë të simptomave).
  • Një çift që kthehet nga një vend tjetër konsiderohet një burim i mundshëm i epidemisë, edhe nëse ka ose jo simptoma. Përsëri, testimi është i panevojshëm pasi gjithsesi ai duhet të qëndrojë në karantinë.
  • Një familje me katër persona me simptoma tipike të COVID-19: mjafton të testohet vetëm një person (simptomatik). Nëse testi është pozitiv, nuk ka nevojë të testohen kontaktet e tjera në shtëpi për sa kohë që ata qëndrojnë në të njëjtën shtëpi.

Këto vendime nuk janë të lehta për tu komunikuar, veçanërisht për pacientët e frikësuar dhe të shqetësuar.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...