Ekoencefalografia (Ekografia e kafkës, Ekografia e trurit, Ekografia transfontanelare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekoencefalografia?
Ekoencefalografia është një ekzaminim ekografik i brendësisë së kafkës dhe mbi të gjitha i trurit. Ajo përdoret për të identifikuar proçeset ekspansive, të tilla si hemorragjitë, tumoret dhe zgjerimet e ventrikujve (zgavrat e mbushura me lëng) të trurit, si dhe ndryshimet strukturore të indit të trurit.
Duke qenë se valët e ultratingujve mezi i përshkojnë kockat e kafkës, dhe meqenëse janë futur në përdorim metoda më të sakta dhe më moderne të ekzaminimit (si CT-skaneri dhe MRI), përdorimi i ekoencefalografisë tashmë është kufizuar kryesisht në ekzaminimin e të porsalindurve, të lindurve para kohe dhe foshnjave, si dhe në fushën e Neurokirurgjisë.
Ekoencefalografia është një ekzaminim radiologjik.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Ekoencefalografia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Asnjë element i veçantë nuk duhet të sqarohet para kryerjes së ekoencefalografisë.
Si realizohet ekoencefalografia?
Tek të porsalindurit, të lindurit para kohe dhe foshnjat:
Ekzaminimi zgjat rreth 20 minuta dhe është i padhimbshëm. Pas aplikimit në kokë të xhelit të ngrohur më parë, koka e sondës së ultratingujve vendoset butësisht në kafkë dhe zhvendoset butësisht me lëvizje para-prapa. Gjatë kësaj kohe në ekranin e aparatit të ekografisë shfaqet pamja e trurit. Në sajë të një tipi të veçantë të ekografisë, të quajtur "ekografia duplex", është gjithashtu e mundur të vlerësohet edhe rrjedhja e gjakut në enët e trurit dhe rrjedhja e lëngut truno-shpinor në ventrikujt e trurit.
Tek fëmijët nën 2 vjeç, kockat e kafkës ende nuk janë ngjitur plotësisht. Ndërmjet pllakave të ndryshme kockore gjenden ende hapësira membranore, fontanelat, të cilat forcohen me kalimin e kohës. Meqenëse kockat e kafkës përfaqësojnë një lloj pengese për valët e ultratingujve, ekoencefalografia realizohet kryesisht në nivelin e fontanelave, prandaj edhe emërtohet "ekografia transfontanelare". Ekzaminimi mund të kryhet gjithashtu edhe në nivelin e kockës së hollë temporale.
Në Neurokirurgji:
Gjatë dhe pas operacioneve të trurit, ekzaminimi kryhet në kushte sterile, në kafkën e hapur.
Kur përdoret ekoencefalografia?
Ekoencefalografia është zëvendësuar kryesisht nga tomografia e kompjuterizuar (CT) dhe imazhi i rezonancës magnetike (MRI). Sot, ajo vazhdon të përdoret kryesisht për ekzaminimin dhe monitorimin e të porsalindurve, të lindurve para kohe dhe foshnjave, si dhe gjatë dhe pas proçedurave neurokirurgjikale (operacionet e trurit).
Arsyet e zakonshme për kryerjen e ekoencefalografisë janë:
Tek të porsalindurit, të lindurit para kohe dhe foshnjat:
- Hidrocefalusi: zgjerimi i ventrikujve të trurit të mbushur me lëng
- Hemorragjitë: në tru dhe jashtë trurit, brenda ventrikujve të trurit
- Mungesa e oksigjenit (çon në leucomalacia periventricularis)
- Ngjitja e parakohshme e suturave të kafkës (craniosynostosis)
- Keqformimet e lindura
- Vonesat në rritjen trupore
- Tumoret
- Infeksionet
- Traumat fizike
- Ndjekja e ecurisë së anomalive ose sëmundjeve të njohura
Në Neurokirurgji:
- Gjatë operacionit, me qëllim që të lokalizohen tumoret, hemorragjitë ose humbjet e lëngut truno-shpinor.
- Pas operacionit, për të monitoruar, për sa kohë që kafka është ende e hapur.
Ekoencefalografia është një ekzaminim i padhimbshëm, i parrezikshëm, që nuk e ekspozon pacientin ndaj rrezatimit, dhe gjithashtu që mund të kryhet në shtratin e tij.